E lehtë mund të jetë vdekja e secilit në pasluftë…

DITA Online

 

Nga Bedri Islami

ENIGMË  PAVDEKSIE

Pavdeksinë nuk ta jep çasti i luftës,

breshëria, gjaku i derdhur dhe
netët në lëvizje,
as vetmia e fisme
rruga e dhimbshme
ringjallja,
nata e fundit e zërave që shkëlqejnë,
as rrebeshi i errët
ku vdekja mund të jetë edhe lavdia,
as yjet e ftohtë, të përbashkët
me të vrarët,

Pavdeksinë ta jep paslufta,
zëri i harmonizuar me të rënët,
mposhtja e dimrit,e mahnitjes ndaj
pushtetit,
ta jep çasti i kthimit në shtëpi
dhe mund të shohësh fëmijët
në dritën e së nesermes,
duke thënë ,
mohimi i tij ishte
lavdia ime,
“Jo” e tij
ishtë paqja e stërnipërve.

E lehtë mund të jetë vdekja e secilit
në pasluftë…

24 mars,2018
mesnatë,
i sapo kthyer nga
e djeshmja…

5 MARS , 1998

Çfarë ndodhi asaj nate në Drenicë?-

Ata mund të iknin,
i gjithë vendi ishte i tyre,
pyjet, burimet ujore, vreshtat nën yje,
kodrat e qeta si një copë bukë e thyer,
buka në magje e papërlyer….

dhe serbët ishin aty,

të errët si një natë e përjetshme,
mizori e përgjakur në heshtje…
kurrë një herë në vendin e vet
anti-jetë…

Jasharët mund të iknin,

të braktisnin gjithçka
zjarrin në votër, tokën pjellore,
vozat prej lisit, këngën majëkrah,
mollët e skuqura vjeshtore…

Kudo që të shkonin do të ishte Shqipëri…
nuk mund të largohesh prej saj…
aty është deti , malli, qielli ynë,
hapësirë e jetës dhe brengës pa skaj…

Nuk mund të iknin nga vetja
Më lehtë
Mund të iknin nga jeta…

ÇËSHTJE FRYME.

Unë e kuptoj dashurinë më mirë se gjithkush,
prej saj kam mbetur
pa frymë

si mbetet fillesa e një luleje
nën
brymë…

Kur ju që do të doni
të kuptoni dashurinë
ejani e merrni frymën time,

këtë frymë…

si bari i gjelbër
mbetur
nën brymë….

15 dhjetor,2017

 

KOHË E PAMJAFTUESHME

Ne e duam kohën që nuk e kemi më,
Ashtu si duam më fort ata që na ikën…

Për të gjallët
Koha është e pamjaftueshme për t’i dashur…

 

I KAM FALUR

I kam falur armiqtë,

Për diellin e përmbysur kur doja dritën,
Për mungesën e dashurisë dhe kërcitjen e dhëmbëve,
Për shkëmbijtë që hodhën mbi mua, natën e ditën,
Për mohimin e gjakut të shenjtë të të rënëve,

I kam falur për goditjet në shpatullat e lodhura,
Për buzët e përgjakura pas sharjeve dhe mallkimeve,
Falur i kam për rrafshinat e jetës të humbura,
Për lumin e zhdukur të kohës mes mundimeve,

I kam falur armiqtë,
Veç jo si Jezusi,
As,
Për bjerrjen e pafuqishme të një jete,

Falur i kam,

Por emrat e tyre më mbetën në mendje.

 

PARA FJALËS SË FUNDIT

Para se të them fjalën e fundit
Kam edhe disa gjëra të tjera
Për të thënë…
Dhe mall…

Le të më dëgjojnë njerëzit,
Për Zotin kam të të tjera fjalë…

Nuk mund të harroj askënd
Të qeshurat, miqtë e shumtë,ata që më nuk janë,
Plagët,
Ashtu si nuk harrojmë dot të shkuarën tonë
Hapat e hënës në rërën e lagët…

Nuk mund të themi deri në fund dashurinë ngulmuese
Faktin që në të njëjtën kohë,
Urryem e dashuruam marrëzisht,
Buzët na u përgjakën nga dhimbja,
Shpirti fryu aty ku kishte dëshirë
Çmendurisht…

Ku janë ditët e netët pa Ty,
Mes hirit – zjarri ende fuqishëm ka mbetur
Vetëm e shkuara është e vërtetë,
Dhe betohem-
Ajo nuk ka vdekur…

Kaq kisha për njerëzit..
Më tej – është tepër
Për Zotin kam të tjera fjalë
Në një kohë tjetër…

Tani le të vijë tek fjala e fundit:
Ti.

MATEMATIKË LIRIE!

Nëse unë
nuk jam i lirë
edhe ti
do të kesh pranga…

ferrin e Zotit bashkë e kemi
ndjerë,
terrin
pamjen magjike
iluzionet e prapa…

Matematikë lirie:

Ose do të jemi
të dy të lirë,
ose nuk do të jetë
asnjëri…

kur batica e gjelbër
të jetë ngrirë…

këmbanëzat e argjëndta
do të tunden
përsëri…

Shtutgart, 13 gusht 2017, paranatë…

TË KESH NJË DASHURI!

Të kesh një dashuri do të thote
të të bjerë në mend një dritë e gjatë dhe e bukur,
nën qiellin që derdhet nëpër djerrinat e kohës
dhe heshtja të ketë në mbrëmje ngjyrë flutur.

do të thotë të kapërcehen mëngjeset,
pa fund të ulesh si i çmendur në shkallinat e shpresës
të jetosh ëndrrën dhe të kërkosh kujtimin
edhe në një fletë trëndafili nën bulëzat e vesës…

të kesh një dashuri do të thotë
të jetosh më shumë se të vdekurit që shkuan,
i mundur të biesh në gjunjë dhe të falesh,
në të gjithë gjuhët e atyre që dashuruan,

BLASFEMI

Çfarë bëri bota nga Adami
tek Jezusi
ç’ndryshim kishte…
i pari lindi 33 vjeçar,
i dyti, kur vdiq,
33 vjeçar ishte…

Çfarë bëri nga Jezusi
tek Muhameti,
nga palmat e larta
në shkretëtirën e bardhë,
të dy sollën fjalën para shpatës,
por shpata përgjaku çdo fjalë…

E djeshme jetoi saora tek secili,
në secilën jeta dhe ëndrra
si pjesë të një libri u shfaqën,
në çastin e fundit
na thanë diçka
për përdorimin e dobishëm të përjetsisë,
harresën dhe plagën…

Rrjedha e kohës kaloi
përmes tyre,
na la të habitur,
si mbërrimi i pambërritshëm i së ardhmes,
me kokën në yje,
me trupin në llumin e përgjakjes…

Në mijra vite,
me dishepujt, faltoret,
apostujt,
të vërtetë e të rremë,
tradhtorët,
ngjashmëri enigmatike,
e besimit dhe blasfemisë
së mirës, së keqes,
pangopjes dhe zilisë…

Njeriu kishte nevojë që Zoti
të vigjëlonte mbi të,
ndaj i thirri,
shkujdesje, largim faji
apo një jetë në ndëshkime…
askush nuk e di tashmë,

e di,
kjo është Blasfemia ime…

KOHË E PA KOHË

As kohën dhe as hapësirën
nuk e kuptuam,

rrënonjat e tyre
na mbështollën
nën mjegullën e viteve,

nuk e ngritëm deri në fund
tempullin që donim,
megjithatë,
me emërin tënd e thirra botën,

Sonte, nën shiun vjenez,
e bind veten
Ti ishe arsyeja
unë isha fjala,

çfarë është thënë,
do e themi përsëri…

emrat nuk na duhen më,
Lëvizim sëbashku

biem
si ky shi…

 

ËNDËRR

Ëndërrova
rikthimin e Fehmi Lladrovcit,
erën që sjell afrimin e udhëve
të hapura si një plagë,
gjërësinë
që perëndimet kanë gjakun e tij,
dhe sytë
që digjen në mbarimin e natës,

ÇAST

Belfast,
dimër,fillim shkurti,
borA që bie mbi supet e përmendoreve
dhe shkrin në rrënonjat e një kështjelle,
në sfond një katedrale,

dëgjoj kambanat e saj në heshtjen tim.

 

 

DËBIMI

 

Dëboi mëkatarët, o Zot, nga tempulli yt,

Na kthyen në grigjë delesh – pa eshtra mendimi,

Dëboi ata që na mashtruan me parajsën,

Dhe nuk i vret pendimi,

Ata që na lanë mes frikës

dhe shpresës

Nën imazhin iluzor të jetës..

 

Mos na bëj të besojmë në njerëz

Që kurrë nuk besuan tek njerëzit…

 

Kaq vite, oh Zot,

Ngjitim Kodrën e Golgotasë dhe

Bartim kryqin e ëndrrës së thyer,

Nuk mund të durojmë më dhimbjen,

Nën këtë qiell – kob të përlyer,

 

Nën hënën e besimit të humbur kemi ftohtë,

Kurrë farë dielli nuk po nxen,

Kaq kohë mes vdekjes dhe jetës,

Ajri po duket si lartim i mureve

të burgut të vetvetes..

 

Dëboi mëkatarët, oh Zot,

paçavrat e politikës, të epshit,parasë e të gjakut,

Ne po na dëbojnë ata nga tempujt,

 

Kur të mos ngelë asnjëri prej nesh

Çfarë do të të  duhen tempujt….

11 qershor, 2016

PORTOKALLI

Dalngadalë,
format e brishta po shndrrohen,
në muzgje të një
nate të gjatë,

e gjelbëra po kthehet
në purpurin e mbrëmjes së artë,

mes degëve që lëkunden,
në kopështet
e herëshme të djalërisë,

portokalli

shfaq frutat e tij
si lot të skuqur
nga vuajtjet e mallit
dhe të dashurisë…

Spanjë, Lugina e Ebros,
viti 2000 shenojnë kalendarët e botës,
duke dëgjuar nën degët e portokalleve
inçizimin e kitarrës së
Federiko Garsia Lorkës

ASKUJT

Askujt nuk i thashë më
jam i yti,
askush nuk më tha më
jam e ytja

Krejt çka erdhën pas teje
ikën nëpër mjegull

Tani, ne, dy ishuj
në vend të fjalëve
çojmë drejt njëri tjetrit dallgë…

mos mendoni se kanë çelur lulëkuqet
janë plagë…

 

DRERI I PLAGOSUR

poetit Frederik Reshpja

Kam parë drerin e plagosur në luginën e hënës,
lotët si qelq i kishin ngrirë në sytë e bukur,
rreth tij – lulëkuqet e shkelura nga kalorës të çoroditur
si ëndrra të mundura,
dhe muzgu i një kohe tjetër po binte.

Duart e mia lëvizën mbi shpindën e drerit të gjakosur,
nuk e dita kurrë se çfarë kishte ndodhur,
pas meje lëviznin vitet që kurrë nuk i ndjeva
pikërisht si ky drer i plagosur…

Kush do i përkdhelë plagët e tij?

Askush nuk mundet,
medet, nëna iku….
vdekja i erdhi nga heshtja,
nga ëndrra e të vdekurve të kahershëm…

hëna e vetmisë së madhe
u ul mbi mëkatet tona..

SHKODRA

Vend i çuditshëm ky,

përflakur nga diejt
yllësuar nën hënë,

liqenin
kam mbi shpatulla,

lumejtë
kam nën këmbë.

Share This Article
2 Comments
    • Poesi,

      Ne , un & ti

      s’jemi ai veshtrim _si dikur,

      ne ato Sy ajo ngjyr mungon,

      s’eshte me ai ndricim ai emocion …

      Ne te dy , nji <3 nji shpirt qe s'thithi dot oxigjenin e Amores .

      Un & Ti

      Poesi …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *