Çmenduritë e ndërhyrjeve estetike në të cilat kanë rënë viktima personalitete të televizionit dhe kinemasë, janë prova sesi mania për perfeksionizmin fizik, veçse e pamotivuar shpesh iu është kthyer kundër atyre që kanë abuzuar me të. Shoubizi ndërkombëtar sot është një tribunë botoksi, lifting-u dhe gjinjsh me silikon. Ja cilat janë dështimet më të famshme të kirurgjisë estetike:
1.Mastoplastika është një nga ndërhyrjet më të kërkuara në kirurgjinë estetike, por shpesh pasojat janë rrënuese: Kur Viktoria Beckham dhe Pamela Anderson iu drejtuan kirurgut plastik sigurisht nuk e imagjinonin që rezultati të ishte aq i pakëndshëm. Anderson ka pësuar aq shumë operacione sa ka shenja të dukshme në gjinj të deformuar, ndërsa ish-ylli i popit anglez tani e gjen veten me dy “tullumbace” që rrinë pezull në ajër. Ai zonjës Beckham është një nga gjokset që nuk do duhet të propozohen kurrë në Hollywood. Madje drejtuesja e rreptë e “Vogue”, Anna Wintor, ia mohoi kopertinën e revistës për shkak të ‘vulgaritetit të atij gjoksi’ (sipas fjalëve të saj).

2.Por nuk janë të vetmet që e kanë lënë veten në duar të gabuara: Katie Price, ish-lepurushja e “Playboy” ka pësuar 5 ndërhyrje për të pasur siç thotë ajo, “dy gjinj në formë plumbi”, edhe pse në të vërtetë tani vetëm me plumbat nuk mund të krahasohen. Ndërsa Courtney Love iu nënshtrua zmadhimit të gjoksit, por pasi u pendua, u kthye te kirurgu dhe i kërkoi t’ia hiqte protezat. Përfundimi? Një lëkurë që varej dhe qeni i saj i ngordhur sepse kishte gëlltitur silikonin e të zonjës.
3.Brooke Shields
Ishte një nga fytyrat më të bukura të kinemasë në vitet ‘80-’90. Themi ‘ishte’ sepse përgjatë viteve, ajo ka bërë çdo gjë për të ngrirë imazhin e saj me ndërhyrje të të gjitha llojve (mollëza, buzë, rudha), me rezultatin që sot fytyra e saj ka trajta mashkullore.
4.Tori Spelling
Është e njohur për interpretimin e saj në serialin më të ndjekur të viteve ’90, “Beverly Hills 90210”. Spelling nuk ka qenë kurrë një muzë bukurie, por të paktën ishte e këndshme për t’u parë. Tani është e famshme jo aq për rolet e saj sesa për faktin që ka gjoksin me silikon më të shëmtuar në Kaliforni.
5.Meg Ryan
Është padyshim një shëmbëlltyrë e dështimeve të kirurgjisë estetike. E mbani mend sa e ëmbël ishte fytyra e saj e freskët dhe gjallë te filmi “Harry meet Sally”? Ishte ajo vajza që të gjithë amerikanët e dashuronin dhe me shumë mundësi as nuk do të ishte mplakur keq nëse do të kishte qëndruar natyrale. Megjithatë, gjatë viteve të fundit, ‘marka’ e saj dalluese u bënë buzët e saj me silikon tejet të tjetërsuara. Më shumë sesa një fytyrë, tani ajo e saja ngjan me një maskë gome.
6.Brigitte Nielsen
Të gjithë ishin të bindur se ajo kishte një madhësi natyrale, por gaboheshin pasi dolën në dritë disa nga fotot e rinisë së saj, ku gjoksi i vogël thuajse nuk dallohej nga pjesa tjetër e trupit. Kështu aktorja ia mveshi me silikon, duke e ekzagjeruar dukshëm. Rezultati? Dy protezat e saj impresionuese thuajse i kanë mbërritur te kërthiza.
7.Alba Parietti
E kudondodhur në studiot televizive dhe revistat e skandaleve prej dhjetëvjeçarësh, Alba Parietti nuk është veshur kurrë me mister. Me një sinqeritet ç’armatosës italiania i ka pranuar që në fillim ndërhyrjet në gjoks dhe në buzë (dhe me thënë të drejtën e pamundur të mos dallohen). Midis gjithë atyre që për vite të tëra janë stërbetuar në gënjeshtër se janë natyrale , ajo me vërtetësinë e saj fiton simpatinë e publikut, pavarësisht se fytyra e tejmbushur me botoks është në kufijtë e të papranueshmes.
8.Tara Reid
Është një nga dështimet më të bujshme të kirurgjisë plastike. Tara Reid është më e famshme për barkun e saj më shumë se për të kaluarën si lepurushe e “Playboy”-t. Mesa duket bërja e gjoksit nuk i mjaftoi dhe iu nënshtrua thithjes së dhjamit në bark. Urojmë që kirurgu që e operoi të marrë ndëshkimin hyjnor dhe sa për fillim Reid e ka hedhur në gjyq sepse palët e lëkurës të varura në barkun e saj është pak të thuash që janë të tmerrshme. A nuk do të ishte më mirë pak tul i shëndetshëm?
9.Nina Moric
Shougërlja e bërë e famshme në Itali jo vetëm për bukurinë e rallë, por edhe sepse ka qenë për një kohë të gjatë partnerja e mbretit të paparacëve, Fabrizio Corona, ashtu si shumë të tjera ia nisi me buzët (që ishin shumë mishtore edhe të paprekura). Pas dështimit të parë, për motive që mbeten mister nuk u ndal më, duke impantuar dy palë mollëza të reja dhe duke shtuar lifting mbi lifting (tërheqje lëkure). Pasojat do të jenë shqetësues për një vajzë që është vetëm 35 vjeç!
10.Heidi Montag
Është një pseudo-vip, protagoniste në një “reality show” (të tipit Big Brother) dhe gjëja më bujshme e jetës së saj është pikërisht varësia ndaj kirurgjisë plastike. Ç’motiv mund të ketë një vajzë e re dhe e bukur për t’iu nënshtruar 10 operacioneve të njëpasnjëshme brenda një dite?! Mund të jetë disi e pranueshme ndërhyrja në gjoks për shkak të numrit të vogël, por përse të ishte i nevojshëm edhe ‘restaurimi’ i plotë i fytyrës?! Tani 25-vjeçarja duket si një 35-vjeçare me shprehi të ngurtësuara dhe nuk guxojmë të mendojmë se ç’do të ndodhë kur fytyra të fillojë të bjerë me kalimin e viteve./D.Gjuzi












