Ekspertët e shëndetit bëjnë me dije se talasemia mund të parandalohet me anë të programeve parandaluese dhe depistuese, që mund të kryhen tek të gjithë të rinjtë, jo vetëm tek çiftet me rrezik të lartë. Kryerja e Elektroforezes së Hemoglobinës, identifikon portatorët e talasemisë, duke sjellë të dhëna për nivelin e HbA2, HbA, HbF. Konsulta me mjekun pediatër hematolog, ndihmon në interpretimin e rezultatit të analizës.
Nga ana tjetër, nëse një çift dëshiron të ketë fëmijë, dhe njëri, apo të dy prindërit vuajnë nga talasemia apo janë mbartës, fillimisht ata duhet të informohen për rrezikun që fëmija i tyre mund të ketë sëmundje. Çifti duhet të informohet gjithashtu mbi mundësinë e diagnozës së paralindjes.
Kjo diagnozë mund të bëhet nëpërmjet biopsisë së vileve koriale, amniocentezës, kordocentezës, apo me metodën e re të kuldocentezës. Zgjedhja e llojit të testit varet nga faza e shtatzanisë dhe nga rezultatet e vlerësimit paraprak të prindërve.
Ekzaminimi i vileve koriale (biopsia), mund të kryhet në fazën e hershme të shtatzanisë, pas javës së 10-të. Merret një kampion i ADN-së nga placenta dhe analizohet për të parë praninë ose jo të mutacioneve gjenike. Amniocenteza kryhet më vonë, pas javës së 15-të të shtatzanisë, duke marrë kampion nga lëngu amniotik, nën kontrollin e ekografisë.
Kuldocenteza, është test i ri i diagnozës prenatale që jep rezultate të besueshme nga muaji i dytë i shtatzanisë, pra një muaj para vilocentezës. Kampioni i marrë përmban qeliza fetale, dhe ai merret nëpërmjet rrugës transvaginale pa pasur nevojë për të përforuar qesen amniotike, apo placentën, çka do të thotë që ka rrezik më të vogël për abort dhe për të shkaktuar keqformime fetale.
p.k/dita
