Presioni i gjakut është forca me të cilën gjaku lëviz nëpër arterie. Enët e gjakut mbartin gjakun nga zemra në të gjithë trupin, dhe zemra me kontraktimin e saj pompon gjakun në të gjithë trupin me anë të arterieve.
Presioni i gjakut përbëhet nga dy komponentë:
Presioni sistolik i gjakut, i cili është niveli më i lartë i presionit të gjakut që arrihet kur zemra rreh apo pompon gjakun në arterie. Vlera normale e tij është ≤120 mmHg.
Presioni diastolik i gjakut, i cili është niveli më i ulët i presionit të gjakut që arrihet kur zemra relaksohet midis dy rrahjeve të saj. Vlera normale e tij është ≤ 80 mmHg.
Hipertensioni zhvillohet kur muret e arterieve të mëdha humbasin elasticitetitn e tyre dhe bëhen të ngurta, apo kur enët e vogla të gjakut ngushtohen. Nëse tensioni juaj i gjakut është 140/90mmHg ose më i lartë, për disa ditë, atëherë ju mund të keni hipertension.
Ju mund të keni hipertension edhe nëse njëri nga numrat është më i lartë se norma. Hipertensioni zakonisht nuk ka simptoma apo shenja klinike. Ai është quajtur ndryshe dhe një vrasës i heshtur ndaj dhe duhet monitoruar vazhdimisht.
p.k/dita
