Personi i dyshuar për sulmin me furgon në Toronto kishte shkruar në Facebook rreth “Rebelimit Incel”, duke i dhënë vëmendje të madhe asaj që është kthyer në një sub-kulturë interneti.

Si një term i cili nuk është hasur më parë, incel është bashkimi i fjalëve (involuntary-celibate), që do të thotë “beqar i pavullnetshëm”.
Djemtë e rinj, që frekuentojnë forumet e beqarëve të pavullnetshëm, shkruajnë në forumet incele në Reddit apo dhe në faqe të tjera nën frymën e stresit, zemërimit e urrejtjes.
“Nuk kam shpresa ta bëj një vajzë të më pëlqejë”, shkruan 19-vjeçari Xhek Piterson nga Çikagoja, një nga mijëra djemtë që vizitojnë forumet incele.
“Kam përvoja të këqija nga lidhjet e mëparshme dhe tani është e vështirë të vazhdosh me lidhje të tjera. Kam pasur lidhje me vajza që më kanë bërë gjëra të këqija”, vazhdon të shkruajë ai.
Gazetari i BBC, Jonathan Griffin, thotë se këto djem janë ose adoleshentë, ose sapo kanë mbushur të njëzetat, dhe flasin për shumë përvoja negative me femrat.
Xheku ka një kanal në Youtube dhe është një nga “incelët” e paktë që janë gati të flasin me median, pas sulmit në Toronto. Të tjerë pranojnë të flasin po të ndryshojnë emrin, sepse u vjen turp për marrëdhëniet pa fat që kanë pasur në jetë.
Seksi dhe gjenetika
Ideja që të gjitha vajzat janë manipuluese e që shkojnë pas parasë, është një nga parimet mbizotëruese në forume. Atyre u është vënë emri “Stejsi”. Ndërsa “Çad” quhet karikatura që përhapet për burrat seksualisht të suksesshëm. Dhe incelët mendojnë se ata thjesht janë gjenetikisht inferiorë ndaj “Çadëve”.
Çadi përshkruhet shpesh si biond, muskulor, me makina sportive e me strukturë kockore të bukur në fytyrë, të cilën incelët e kanë zili. Sipas incelëve, për ata, loja e seksit dhe joshjes është bërë me hile që në lindje. Kështu që kur njëri prej tyre ka sukses me vajza, quhen si “fake-cel”, ose incelë të rremë.
Vrasjet në masë
Mes incelëve është edhe Eliot Roxher, i cili vrau gjashtë veta në vitin 2014, para se të vetëvritej. Ai fliste për një manifesto të mbushur me sharje ndaj femrave, e madje kishte postuar shumë video në Youtube, ku ankohej se vajzat nuk donin të bënin seks me të.

Ai citohet shpesh nëpër forumet e incelëve, sidomos kur ndonjë nga anëtarët shprehet se ka dëshirë të vetëvritet, e të tjerët nëpër komente sugjerojnë dhunë, qoftë si me shaka prej humori të zi, qoftë seriozisht.
Njëri prej tyre madje i shkruante: “Mos u bëj egoist, por shko në ndonjë shkollë fillore e vrit disa fëmijë para se të vrasësh veten. Të lutem!”
Incelët duhen mbajtur nën vëzhgim
Moderimi ndaj grupeve të incelëve është i dobët: pavarësisht se forumi Reddit e bllokoi grupin më të madh në nëntor, ka shumë të tjerë që mbeten të lirë virtualisht.
Emili, një grua nga Kanadaja, ka vite që i vëzhgon grupet e incelëve. Ajo ka hyrë në grupet e tyre duke u hequr si mashkull e thotë që kur flet si femër merr kërcënime se do të përdhunohet. Por ajo që e trazonte më shumë ishin diskutimet mes incelëve pas sulmit në Toronto. Ndërkohë që disa incelë donin të shkëputeshin nga agresori, të tjerë përpiqeshin të mos e lejonin këtë distancim.
“Ditën e sulmit pashë një student britanik që ishte incel. Sipas tij, nuk ishte pranuar në shkollën e mjekësisë sepse ishte intervistuar nga një grua, dhe refuzimi ishte bërë ngaqë i ishte dukur shumë i shëmtuar për të qenë mjek”, thotë ajo.
“Ai kishte në plan të vetëvritej atë natë, dhe në komente kishte njerëz që e nxisnin të hakmerrej e të mos vdiste vetëm. E nxitnin të sulmonte njerëz të tjerë, dhe askush nuk po merr masa. Po ta kishte bërë ISIS këtë do të ishin angazhuar menjëherë e do të ishin arrestuar shumë veta”, thotë Emili.
Emili thotë që grupi i incelëve në Toronto është veçanërisht aktiv, ndoshta prej faktit që kryeministri i Kanadasë e quan veten feminist.
Lëvizja e incelëve duket se ka ngjashmëri me nacionalistët dhe lëvizjet kundër feminizmit, që vijnë nga e djathta ekstreme. Të dy palët e shohin botën si të ndarë nga gjenetika. Një ish-incel nga Australia, madje, thotë që u largua sepse po kthehej në diçka politike.
s.a/dita
