Cilat janë “arritjet për rendin”?!

editor

Sipas statistikave, tashmë është e vërtetuar se me marrjen e mandatit të dytë nga Partia Demokratike, niveli i krimit të vrasjes në Shqipëri ka pësuar një rritje progresive. Në kohën e drejtimit të Ministrisë së Brendshme nga Lulzim Basha, vitet 2010 dhe 2011, kemi shifrat më të larta të krimit të vrasjeve në rang republike, krahasuar edhe me vitet para 2005-s, 142 të vrarë ose 4.4 vrasje për 100 mijë banorë, që përbën nivelin më të lartë të këtij krimi në rang republike.

Kurse gjatë vitit 2012, janë bërë 134 vrasje në vendin tonë, ku 5% e tyre vetëm për gjakmarrje.  Familjet në hasmëri po vrasin njëra tjetrën për dhjetra vite, duke mos kursyer gra dhe fëmijë të mitur që vriten për një vijë uji. Vetëm në qarkun e Shkodrës janë të ngujuar mbi 90 familje me mbi 400 persona nga të cilët rreth 100 janë fëmijë. Qytetarët shqiptarë mbeten të vrarë pa zot dhe pa gjetur vrasësit me armë zjarri, pranë familjeve të tyre, në hyrjet e shtëpive dhe pallateve, në lokale, në plazhe e në vende publike, deri dhe në parcelat e e tokave të tyre pranë banesave në çdo fshat e cep të Shqipërisë. E kush përgjigjet dhe kush deri më sot ka mbajtur një faturë, morale, autokritike, qoftë dhe fallco apo ka dhënë dorëheqjen formalisht. Askush. Po përse? Sepse vrasësi i vërtetë nuk është gjakësi apo krimineli që fshihet pas shkurreve si burracak dhe vret fëmijët, por shteti që vazhdon të mbyllë sy e veshë përballë kësaj maskarade, e cila nuk mund dhe nuk duhet lejuar të vazhdojë më tej.

Vrasjet mafioze kanë gjunjëzuar vendin edhe gjatë këtyre muajve të vitit 2013, që përkojnë dhe me fundin e qeverisjes Berisha. Bandat kriminale me këtë Ministri të Brendshme profesionalisht e paaftë, janë ndjerë më të sigurta se në asnjë vend tjetër, pa iu trembur ligjit dhe burgut. Madje, krimi ka ngritur dorë edhe mbi policinë, mbi vetë shtetin, duke ekzekutuar deputetë, gjyqtarë, komisarë dhe inspektorë policie, etj. Nga janari e deri në qershor janë numëruar 48 ngjarje, me 52 viktima, duke dominuar fenomeni i vrasjeve pa autor dhe që shpesh thuhet se ekzekutorët kanë qenë vrasës me pagesë. Duket se ky lloj “biznesi” po zhvillohet me ritme të shpejta, pa hasur në ndonjë pengesë prej policisë, prej qeverisë, apo ndoshta ajo po i organizon vetë vrasje të tilla si ato të 21 janarit.

Këto të dhëna tregojnë se Shqipëria është problematike në krime krahasuar dhe me vendet e rajonit ballkanik të cilat edhe të përfshira me situata e mungesë stabiliteti, konflikte nacionale, luftëra dhe shpërbërje për rikrijim shtetesh, në shumicën e treguesve mbi numrin e çështjeve penale për vrasje paraqesin situatë shumë më të mirë. Qytetarët shqiptarë paguajmë rreth 10,000 punonjës policie ose mbi 302 policë për 100 mijë banorë dhe krimi ka vazhduar të rritet. Shteti, kjo qeveri së bashku me Ministrinë e Brendshme dhe organet e specializuara që ne i paguajmë, nevojitet që të japin llogari për disa nga vrasjet e bujshme pa autor të cilat nuk janë pak, por mbi 50 të tilla.

Dhuna në familje ka arritur nivele të papara për shoqërinë shqiptare ku mbi 30% e grave dhunohen, duke bërë që viktimat kryesore të krimit në familje në tërësi dhe vrasjeve në veçanti kanë qenë femrat dhe të rinjtë. Shqipëria numëron nga shifrat zyrtare 31.000 fëmijë jetimë. Mes tyre janë 400 për shkak të kauzës së gjakmarrjes dhe 600 fëmijë të tjerë që kanë mbetur jetimë për shkak të policëve të vrarë në krye të detyrës, të cilët nuk e kanë ndjerë realisht dorën e ngrohtë të shtetit, si një obligim moral dhe shenjë respekti edhe për 350 baballarët e tyre që dhanë jetën në mbrojtje të rendit e qetësisë, lirisë dhe vlerave të saj. Janë 1050 fëmijë të tjerë jetimë nga komuniteti rom që mbeten përditë në sytë e gjithë shoqërisë, që shihen me përbuzje e përçmim rrugëve të qyteteve kryesore të vendit. Cila është përgjegjësia politike, morale dhe institucionale e qeverisë në largim. A duhet të mbajë ndokush faturën e dhënies llogari para drejtësisë. Sigurisht që po.

Çdo vit në Shqipëri humbasin jetën rreth 400 persona, vetëm si pasojë e aksidenteve rrugore, ndërsa në dy vitet e fundit ky numër ka shkuar mbi 400 persona të vdekur në vit. Krahasuar me vitet e kaluara, numri i aksidenteve është rritur me 7%, ndërsa numri i të lënduarve me 13%. Në katër vitet e fundit mbi 1450 persona kanë humbur jetën dhe mbi 5508 të tjerë të plagosur. Këto shifra vdekjeprurëse nuk janë as në Afganistan, as në Irak, por janë në Shqipëri. 38.5% të të gjitha vdekjeve në dy vitet e fundit  janë shkaktuar nga drejtuesit e rinj pa eksperiencë, 30% e tyre nga shpejtësia dhe sjellja agresive në trafik dhe rreth 7% kanë ardhur si pasojë e gjendjes së dehur të shoferit. Vetëm në gjashtëmujorin e parë, kemi 1000 aksidente në të cilët janë përfshirë 1275 persona, për pasojë janë 187 të vdekur dhe 1088 të plagosur e të lënduar, ku më të ngarkuarit kanë qenë sërish muajt e verës. Fatkeqësisht, shumë nga viktimat e aksidenteve rrugore janë të moshës 16-44 vjeç, pjesa më produktive e popullatës sonë.

Shqipëria gjatë vitit 2000 renditej e 19-ta në rang evropian për vdekshmërinë nga aksidentet rrugore, aktualisht ka shkuar drejt vendit të tretë. Aksidentet rrugore në Shqipëri paraqiten 3.5 herë më të larta se ato në vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore. Ende në Shqipëri nuk llogariten kostot reale të riaftësimit ose kurimit të të aksidentuarve, e cila është barrë e rëndë financiare, jo vetëm për familjet, por edhe për shoqërinë. Dhe a e dini sa është: Vendet e BE-së, 2,5-3% të PBB-së e shpenzojnë për këtë qëllim, ndërsa Shqipëria shpenzon rreth 30 % të këtij prodhimi të përgjithshëm, shifra këto që arrijnë në miliona euro. E po ta dinit do të kishit marrë masa, por nuk dëshironi sepse dhe këtu keni abuzuar me shpenzimet dhe lekët e popullit.

Policia e shtetit asnjëherë nuk ka patur një raport të plotë të situatës në lidhje me jetët e shqiptarëve të ngelura pa zot rrugëve. Shpejtësia e madhe, alkooli, numri i madh i automjeteve, mungesa e tabelave dhe mospërqëndrimi në trafikun e dendur, bllokimi dhe punimet në rrugë, mungesa e madhe e sinjalistikës vertikale dhe horizontale, etj., renditen si shkaqet kryesore të aksidenteve.

Rritja e shpejtësisë së qarkullimit si rezultat i zgjerimit të disa akseve rrugore, nuk është shoqëruar me masa parandaluese për një edukim dhe disiplinim në trafik nga strukturat përgjegjëse të qarkullimit rrugor. Dhjetëra këmbësorë kanë humbur jetën duke kaluar nga njëri segment e krah i rrugës në tjetrin, sepse në pothuajse në tërë rrugët mungojnë mbikalimet sipas standardeve e sidomos në ato rrugë ku fluksi i lëvizjeve është shumë i lartë. Dhe humbja e jetës së këtyre kalimtarëve përbën 34 % të të vrarëve. E kush duhet të përgjigjet për këtë?

Bilanci i qytetarëve shqiptarë që kanë humbur jetën gjatë aksidenteve u është shtuar nga neglizhenca, moskokëçarja dhe mungesa profesionale e strukturave përkatëse të ndihmës së shpejtë në vendngjarje. Dhe këtë alarm për Shqipërinë e jep Organizata Botërore e Shëndetësisë, sipas së cilës, 30 % e viktimave të plagosur kanë humbur jetën nga pakujdesia në dhënien e ndihmës së parë.

Vetë organet përkatëse të Policisë së Shtetit kanë konkluduar se: kemi një rritje të aksidenteve në autostrada, aksidente që kanë rritur shkallën e fatalitetit, si pasojë e përfshirjes në to të më shumë se një mjeti, duke mbetur shumë problematike akset rrugore Fushë-Krujë-Milot-Lezhë, autostrada Tiranë-Durrës etj. Kemi 8 vjet rresht, që po të shikoni këto raporte të Policisë së Shtetit janë njëlloj të pandryshuara.

Pse nuk janë marrë masat e duhura për parandalimin e tyre, masa më efektive në lidhje me një sërë aspektesh të sigurisë rrugore siç janë: përgatitja dhe testimi i drejtuesve të mjeteve, kontrolli i mjeteve për drejtim të sigurt, sjellja e përdoruesve të rrugës dhe siguria e infrastrukturës rrugore, parandalimi i aksidenteve dhe i personave që shkelin rregullat e trafikut, apo më tej, me anë të zbatimit të planeve të veprimit të sigurisë rrugore me bashkërendim shumësektorial brenda një strategjie të përgjithshme me shumë ambicie, por njëkohësisht me objektiva të arritshëm, etj. Mënyra për të punuar ka plot. Por në qeverisjen demokratike nuk ka qenë dëshira e mirë për të vepruar e punuar.

Qeveria në largim në çdo aksident tragjik është ndodhur para faktit të kryer, sepse s’ka patur masa dhe misione të qarta për parandalimin e fenomeneve. Komiteti ndërministror i sigurisë rrugore që kryesohet nga Kryeministri, si rregull duhet të mblidhet për analiza tre herë në vit, por meqenëse atje nuk ka se çfarë t’i thotë opozitës, ka pak tendera e shumë punë, nuk mblidhet pothuajse fare, ose nuk marrin pjesë specialistët e vërtetë sepse nuk duan argumentime reale e të fuqishme. Policia rrugore dhe inspektoriatet edhe pse të pajisur me dylbi dixhitale dhe pajisje të tjera nuk gjobisin kundravajtësit, një pjesë e madhe e tyre nuk njohin fare Kodin Rrugor dhe udhëzimet që pasojnë atë, por bëjnë pazare për të futur lekët në xhep.  Qeveria në largim e  “rrugëve” ende nuk ka asnjë destinacion rrugor të përfunduar plotësisht e me kushte teknike. E keqja është se kjo situatë po vijon të sundojë e praktikohet dhe në akset rrugore të ndërtuara, apo rikonstruktuara kohët e fundit. E keni parë “Rrugën e Kombit” se si është katandisur? Përfundimisht, bazuar në këtë situatë tepër alarmante, janë një mal i madh me probleme për t’u zgjidhur nga ata që populli i votëbesoi më 23 qershor.

Share This Article
3 Comments
  • Vrasjet dhe krimet eshte e vertete qe jane ne shifra alarmante Por shkaqet qe ju renditni jane te sakta Natyrisht qe jane edhe te frikshme keto te dhena Por ketu ndikojne edhe shume shkaqe te tjera Ne rastin konkret kur nje kryeminister dhe nje minister i brendshem vret ne sy te gjithe njerzve kater veta dhe n efillim i mbulon duke ngritur e treguar histori si vrasje me cakmak pistolete e peralla te tjera Dhe ,me e keqja per mos thene kryesorja eshte mos ndeshkimi i krimineleve qe mbajne dhe graden Gjeneral eshte vertet e rende Une do thosha se mos ndeshkueshmeria e krimineleve te veshur me pushtet

  • Vrasjet dhe krimet eshte e vertete qe jane ne shifra alarmante Por shkaqet qe ju renditni jane te sakta Natyrisht qe jane edhe te frikshme keto te dhena Por ketu ndikojne edhe shume shkaqe te tjera Ne rastin konkret kur nje kryeminister dhe nje minister i brendshem vret ne sy te gjithe njerzve kater veta dhe fefillim i mbulon duke ngritur e treguar histori si vrasje me cakmak pistolete e peralla te tjera Dhe ,me e keqja per mos thene kryesorja eshte mos ndeshkimi i krimineleve qe mbajne dhe graden Gjeneral eshte vertet e rende Une do thosha se mos ndeshkueshmeria e krimineleve te veshur me pushtet eshte nje nga shkaqet kryesore Mos ndeshkueshmeria eshte nje problem shume serioz e cila duhet te ndryshoje menjehere Cdo person duhet te jete i barabarte para ligjit.

  • Gjendja este e keqe dhe pergjegjes nuk eshte populli, sic perpiqej te na mbushte mendjen prof. Artan Fuga, por qeverisja. Qeverite tona nuk kane bere ate qe duhet te bejne per te parandaluar kriminalitetin. Prej 21 vitesh qeverite tona kane bere sikur kane qeverisur. Po them se jane kujdesur te shfaqen sikur jane te merakosura per rendin dhe dic po bejne. Ne te vertete jane kujdesur kush do jete drejtori i madhe dhe cilet do jene drejtoret e vegjel, me sherbejen mua apo nuk me sherbejene.
    Kam degjuar Edi Ramen te thote se per 300 dite do vendos rendin. Por nuk kam pare dhe as degjuar si do ta beje kete. Si i doli llogaria qe i duehen 300 dhe jo 299 apo 301 dite.
    Kjo menyre te shprehuri me frikeson. Kam frike se edhe kjo qeveri do vazhdoje rrugen e te parave.
    Mos ndodht si une kam frike se do ndodhe!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *