Mjeshtri i maskave veneciane, Guerrino Lovato, gjendet sot në Tiranë përpara një publiku të mbledhur në Muzeun Historik Kombëtar.
Lovato është pikërisht mjeshtri i cili ka punuar shumë nga maskat e filmit hollywoodian “Eyes Wide Shut”.
Ai është shprehur i nderuar që arti i tij ishte kontribuues në suksesin e filmit me aktorë si Tom Cruise dhe Nicole Kidman.
“Jam i nderuar që maska e parë që shfaqet në film. E modeluar sipas portretit të Christopher Columbus, është e imja. Nga punishtja ime janë marrë 15 maska. Ndershmërisht puna ime në krahasim me atë të Stanley Kubrick është modeste, por ai film bëri që të flitej për maskat veneciane, edhe pse historia e tyre është më e hershme.”
Lovato është shprehur se arsyeja se përse ndodhet në Shqipëri nuk ka të bëjë me të mësuarit studentët me procesin e realizimit të maskës, pasi kjo do të ishte e pamundur në një orë. Por, ai thotë se kërkon t’i mësojë se si të jetojnë me art, atë të aplikuar në shërbim të kinemasë, teatrit, operas apo dekorimit.
Mes të tjerash, Guerrino Lovato thotë se sot është e vështirë t’i bësh ballë një tregu të pandershëm.
“E kam mbyllur punishten time tetë vite më parë. Maskat e bëra me plastikë dhe jo materiale artizanale janë problemi i kohës. Janë të bëra të gjitha në letër 40 vite më parë. Materialet si letër dhe ngjitës kushtojnë pak. Ajo që e bën këtë me vlerë mijëra euro është teknika, arti i derdhur mbi të”, ka përfunduar së thënuri ai për Tv Klan.
s.a/dita
