E bukur, bjonde dhe engjëllore, Magdalena Frackowiak është bërë engjëlli më i fundit i “Victoria’s Secret”. Frackowiak, me origjinë polake i ka të gjitha mundësitë për të triumfuar në modën e veshjeve intime. Mjafton të shikoni disa prej fotove të katalogut të saj dhe do ta kuptoni përse
Le të fillojnë të dridhen engjëjt e “Victoria’s Secret”. Marka e njohur e veshjeve intime sapo ka punësuar një modele të re, e cila, me shumë të ngjarë, do të ngjallë zilinë midis top-modeleve ekzistuese të linjës. Quhet Magdalena Frackowiak dhe ka lindur në Gdańsk të Polonisë, në tetor të 1985-s. Ishte vetëm 16 vjeçe kur e ëma dërgoi disa foto të saj për një konkurs bukurie që zhvillohej në Varshavë dhe Magda fitoi midis dhjetëra aspiranteve të tjera.
Pas përfundimit të aventurës së Miranda Kerr që u largua nga pasarelat e “Victoria’s Secret” me dëshirën e saj, marka e zëvendësoi menjëherë me modelen që ka sfiluar në pasarelat më të mira të modës. Magda ka qenë protagoniste e spektakleve të ndryshme “Fashion” dhe ka lënë gjurmën e saj në raste të ndryshme. Në foto e shohim me një fizik perëndeshe për koleksionin e fundit të veshjeve intime të “V.S.” dhe duhet të dini se nuk është aspak e re në botën e modës. Ka punuar për disa nga stilistët më të famshëm, si Ralph Lauren, Alessandro Dell’Acqua dhe Oscar de la Renta. Madje në internet edhe “Wikipedia” i ka dedikuar një faqe, ku ndër të tjera shpjegon se ajo është shfaqur në kopertinat e numrave të revistës prestigjoze “Vogue” në versionin italian, gjerman, japonez, rus dhe atë francez.
Fytyrë porcelani, trup të përsosur dhe poza tërheqëse nuk kishte si të mos tërhiqte vëmendjen e emrave më të rëndësishëm në këtë fushë. 26-vjeçarja është konsideruar nga revista “French Revue de Modes” si një nga modelet më të mira të viteve 2000. Aktualisht ajo sfilon për agjencinë “DNA Model Management” në Nju Jork./ D. Gjuzi




