Fati na përndjek si një demon i armatosur me një brisk – Andrei Tarkovski
“Kam humbur shumë nga vetja”, m’u drejtua ajo me dy sy melankolikë e të lodhur nga pengesat e jetës.
Nuk e tregon moshën, por gishtat e përthyer e të copëtuar të këmbëve mund të shërbejnë si një hartë shumë e mirë e Tiranës.
“Vetëm të më shohësh këmbët si i kam”, vazhdonte ajo së treguari.
Trokiste në derën e parë, “kthehu më mirë pas”, monologonte me veten. Trokiste në atë të dytën, ”mos m’u mërzit”, iu drejtonte shpresave teksa i puthte një e nga një. Tak-tak në atë të tretën, “kaq ishte, nuk përpiqem më”, përdhoste çërçafët me pendesë e zhgënjim.
Por një mëngjes i ri do të vinte e hapa të tjerë do përshkruheshin.
E gjendur e porsa diplomuar, strehuar tek një nga familjarët e saj në Tiranë, me ëndrra të vendosura si byzylyk në qafën e ambicies…dhe me një xhep të lodhur,bosh.
Kishte uri për gjithçka. Edhe për përqafimet e së ëmës, por kjo nuk do t’ia zinxhiroste vrullin. Donte ta përndiqte me çdo kusht atë, që nuk i kërkoi asgjë në këmbim, në asnjë moment, thjesht iu dha…
Aq shumë i kish dhënë sa ia ndjeja konsumimin në palcë. Nën shoqërinë e muzgut të brishtë, nën gjysmë zëri më tha se qeshte më shumë, këndonte më shumë e dashuronte më shumë…
Gjuetia e pasionit e kishte vendosur pashmangshmërisht në përballje me lëkundje të forta themelesh.
Fatin mund ta bësh që të bjerë në dashuri kokë e këmbë me ty, mjafton të mos të t’dridhet qërpiku – Anonim
Pasionet e mëdha janë të destinuara të fishken, ngadalë e ngadalë…megjithatë, sytë e vegjël e picërrues të vajzës nga Rubiku tani orientoheshin më lehtë, kishin fituar dinakërinë e viteve që i rëndonin mbi supe.
Sikurse Sizifi me një cop masivi shkëmbor, ashtu do luftonte edhe ajo për ëndrrën e të qenurit gazetare në hapësirën mediatike të vendit.
Guri do rrokullisej tatëpërpjetë e do përfundonte sërish deri në rrëzë të fundit. Nuk do mundej kurrë të ngjitej deri në majë, do të mundohej kjo është e sigurt. Do të lodhej, do të ngjyhej në djersë e do të derdhte lotë vetëtimthi por shkëmbi i idealit do t’i kthehej përsëri poshtë.
“80 mijë lekë të vjetra ishte e para ime rrogë dhe kur e kam marrë, oh ç’ndjesi!”, nuk lodhej aspak të ndante me mua copëzat e të së kaluarës.
Teksa mbante cigaren e hollë nën buzë, nuk vonoi shumë të mbërrinte errësira…sa natë u bë! Nuk po ia shihja dot më qukat lozonjare e as gishtat që herë zgjidhnin të përshkonin flokët e shkalitura e herë siluetën e cigares.
Në të tashmen iu rikthyen disfatat e së shkuarës pa orientim, pa drejtim!
Por ajo ishte më e fortë se kurrë për to. Me dy duar të shkathëta fshiu ato pak gjurmë që iu rishfaqën poshtë kapakëve të syrit e ndezi dritën e buzëqeshjes.
Më preku parakrahun, të cilën e kisha mbështetur në një parvaz të ftohtë, më buzëqeshi e iu rikthye karriges së vjetëruar.
E shkëputur nga një mbrëmje mëse e zakonshme dhe e ngrohtë maji, shumë pak larg makinerisë së ujit, kompjuterave të rreshtuar dhe ankthit për të nxjerrë lajmin në kohë.
Alessia Selimi

Fati ,
i ngjan edhe atyre gishtrinjeve te gjakosur ,te atyre trokitjeve plot pasion , mbas asaj Porte,
me mendimin se pas saj ,fshihej vertet Fati .
E duke fshir dhimbjen mbi ato gishtrinj te copetuar ,
pushtohesh nga ajo ndjenje zhgenjimi dhe mbyllesh Brenda tij ,duke menduar se Fati eshte thjeshte nji iluzion zbavites per trurin e njeriut . 😉
– Tjeter ,
Fati vjen gjitmone nga Drejtimi qe ne marrim …!