Në Torino e shtuna e 19 majit 2018 do të mbahet mend si dita kur Gianluigi Buffon u tha lamtumirën bardhezinjëve pas 17 sezonesh të mbushur me trofe.
Për t’ia lehtësuar disi barrën e lamtumirës së dhimbshme, Max Allegri vendosi që ta zëvendësojë në minutën e 63-të. Me kokën ulur për të mos treguar sytë e përlotur dhe me duart lart duke falenderuar tifozët, Gigi iu drejtua stolit.
Ovacionet e tifozerisë bënë që 40-vjeçari të shpërthente në lot dhe u ul në stol. I emocionuar, Gigi iu drejtua dhomave të zhveshjeve, duke u premtuar tifozëve se do të kthehej sërish. Dhe kështu ndodhi. Mes duartrokitjeve e brohoritjeve, Buffon vendosi të ngjisë shkallët e stadiumit, drejt vendit nga ku do ta shohë tani e tutje skuadrën e tij.
Buffon debutoi me fanelën e Juventusit në vitin 2001. Ai u ble nga Parma për 35 milionë euro, një shifër rekord për një portier. Këtë rekord do ta mbante deri në qershorin e vitit 2017, kur Manchester City shpenzoi rreth 38 milionë euro për portierin brazilian, Ederson.
Në palmaresin e tij numëron një Kupë Bote, nëntë tituj kampion i Italisë, pesë Kupa të Italisë dhe gjashtë Superkupa të Italisë.
Pengu më i madh për të mbetet Champions League, një trofe të cilit i shkoi 3 herë pranë. Buffon humbi në të trija finalet, përkatësisht ndaj Milanit me penallti në 2003, ndaj Barcelonës në 2015 dhe vitin e kaluar ndaj Realit të Madridit.


s.a/dita
