Esse Çehoviane, Stina e Pamoshë e Dashurisë

DITA Online

 

Nga Prof. Nasho Jorgaqi

Afro Pesëdhjetë Vjet të Shkuara, kur një rastësi fatlume më çoi në Jaltën e largët, kryeqendra e gadishullit të Krimesë, kontakti i parë që pata me këtë qytet të bukur bregdetar ishte vizita në Shtëpinë-muze të A.P Çehovit. Ajo gjendej diku në periferinë e hershme, në Autka, në një pozicion nga shfaqej deti dhe hapsirat e gjelbra të relievit të butë. Ishte një vilë e bardhë, ndërtuar me gurë, rrethuar nga një kopsht plot pemë e lule gjithfarësh. Mbaj mend, se tek shkela në pragun e saj, kisha emocione, jo vetëm se m’u zgjuan vrullshëm mbresat nga gjithë sa kisha lexuar prej Çehovit, por, duke çapitur nëpër mjediset e muzeut, m’u bë sikur ndjeja praninë e të zotit të shtëpisë. Në fakt, kjo do të ishte vetëm një fanitje e çastit që kaloi, sapo përballë ne vizitorëve, u shfaq ciceronia e muzeut, një grua e re, me një bukuri mahnitëse, shtat lartë, sykaltër e leshverdhë. Thuajse të gjithë u stepëm sa nga pamja e saj rrezëllitëse, e më pas, nga zëri i ngadaltë e delikat, kur zuri të na tregojë për historinë dhe reliktet e shtëpisë së shkrimtarit të madh. Të ngjante sikur ajo nuk ligjëronte, por këndonte, me ca tonalitete të buta e të qarta, që të kujtonin rrëfimin Çehovian. E jo vetëm kaq, por duke kaluar nga një mjedis në tjetrin, të joshur pas fjalëve të saj, na u bë se kishim përpara një nga heroinat e Çehovit, e porsadalë nga ndonjë tregim a dramë e tij. Të paktën unë, do ta kisha aq të fortë këtë ndjesi sa që kur mbaroi vizita, qëndrova veç të tjerëve, e falenderova dhe pastaj, për të tërhequr vëmendjen e saj, i tregova se kush isha dhe nga vija. Madje, guxova t’i thosha se isha shkrimtar dhe të gjithë këto s’kish si të mos e tërhiqnin. Kështu, teksa mbetëm vetëm,kur të gjithë u larguan, nisëm të bisedojmë për Çehovin. Biseda jonë do të qe e ngrohtë dhe e çiltër, ndonëse pak e ndrojtur dhe e përmbajtur.

Por ky qe vetëm takimi i parë, sepse në ditët që erdhën, unë do të shkoja përsëri dhe përsëri në Autkë të takoja ciceronen e Shtëpinë muze. Nuk e teproj po të them se duke përjetuar sëbashku botën çehoviane, ne u miqësuam. Unë do t’i drejtohesha tani me emrin e saj Svetllana Sergejevna dhe shpesh do të mësoja diçka nga jeta e saj private. Kësisoj, një ditë më tregoi se ishte martuar me një oficer marine dhe se i shoqi kishte një detyrë të vështirë, nëpër dete, se kthehej në shtëpi tre a katër herë në vit, ndaj ajo ishte dhënë e tëra pas studimit të Çehovit dhe kalonte një jetë pak a shumë vetmitare. Dhe unë, vetëm si i dëgjova këtu, gjeta arsyen të shpjegoja vetmevete trishtimin e lehtë të syve të gruas së re dhe atë lloj pezmi që ndjeja në zërin e saj. Madje, zura të dyshoj për martesën e saj, si një lidhje e palumtur, ndoshta aksidentale apo mendjelehtë, pasojat e së cilës ajo i vuante. Drejt kësaj më nxiste atmosfera që më rrethonte tani, përftuar nga rrëfimet e saj për Çehovin dhe shtëpia e shkrimtarit.

Ndodhi pastaj që njohja jonë mori një drejtim pak intrigues kur një mbrëmje, Svjetllana Sergejevna më foli për një tregim që unë s’e njihja. Ishte fjala për “Zonjën me kone”, të cilën ajo ma dhuroi në një botim të ilustruar. E lexova dhe e rilexova që atë natë dhe të nesërmen mezi prisja sa ta takoja për të ndarë sëbashku emocionet që më kish ngjallur. E gjeta vetëm. Ajo sapo kish përcjellë vizitorët e fundit dhe më ftoi të rrinim në kabinetin e punës së Anton Pavlloviçit. Gjendja ime shpirtërore ishte e trazuar. Tregimi më kish sugjestionuar aq tepër, sa më dukej çudi që gjendesha në viset ku zhvilloheshin ngjarjet e tregimit dhe kisha përpara një grua të re, e cila i përgjasonte aq shumë heroinës së tij. Tek dëgjoja komentet e Svjetllana Sergejevnës më ngjante se dëgjoja muzikë. Një muzikë magjepsëse, që më kish zgjuar brenda vetes ndjenjën e pritjes së një gjëje të bukur. Isha vërtetë si në ëndërr, kur mendoja se bisedonim nën çatinë e shtëpisë së shkrimtarit, ku ishte shkruar tregimi. Dolëm pastaj prej andej të heshtur e të menduar dhe morëm të baresim nëpër vendet e “Zonjës me kone”. Shëtitëm përgjatë bregdetit, shkuam nga porti dhe stacioni i trenit, lëvizëm nëpër lulishten e qytetit për të qëndruar në një kafe të vjetër, që kish të ngjarë të ishte kafja Vernër e tregimit. E sikur të mos mjaftonin këto, ditën që ajo kishte pushim shkuam në Oreandë, një kodër e bukur, që shihte nga deti dhe ku heronjtë e “Zonjës…” e kishin gdhirë gjithë natën duke medituar për dashurinë dhe përjetësinë njerëzore.

Në tërë këto shtëtitje dhe takime miqësore, bisedat tona, bile dhe heshtja jonë kishin të bënin me Çehovin. Svjetllana Sergejevna më kish dhënë shortin të hyja në botën e tij, jo vetëm duke shkelur në gjurmët e jetës së shkrimtarit nëpër Jalltë, apo duke më pasuruar me një informacion të pasosur, por ç’është më e rëndësishme, ajo më magjepste, kur me rrëfimin e saj më zbulonte mrekullitë e universit çehovian. Ky univers ishte i populluar me aq njerëz të ndryshëm, me karaktere e tipa që kishin fate nga më të çuditshmet, me diagrama tronditëse psikologjike, ngritur mbi drama realiste, mbushur plot bukuri shpirtërore e mençuri njerëzore, me reflekse origjinale të jetës dhe njëmendësisë ruse, të shprehura këto në vepra të tij qetazi e pa bujë, plot delikatesë e sidomos me një thjeshtësi sugjestionuese dhe sens mase të admirueshme. Erdhi një moment sa unë, gjithë sa dëgjoja dhe shikoja, do t’i përjetoja aq thellë sa thuajse u tjetërsova, m’u duk vetja si një personazh i Çehovit, u identifikova me situata dhe role, që kur i kujtoj tani nuk mund të mos buzëqesh hidhur. Është kjo një buzëqeshje enigmatike, që sa më ngazëllen duke më sjellë kohën e bukur të rinisë, aq dhe më trishton për parajsën e humbur. Dhe kjo për shkak të “Zonjës me kone”, që u ngrit në rininë time si një ylber i madhërishëm dhe mbeti i tillë nga një stinë e jetës në tjetrën. E kur them kështu, kam parasysh faktin se ajo më bëri të lidhem pazgjidhshmërisht me Çehovin, ta kem mik dhe mësues të pazëvendësueshëm, të jetë shkrimtari im më i dashur. Dhe mirënjohjen dhe admirimin tim për të do ta shprehja në radhë të parë, duke i kthyer në gjuhën time disa nga kryeveprat e prozës së tij.

Një detyrë tepër e vështirë, por çfarë nuk bën dashuria për Çehovin! “Zonja me kone” do të ishte tregimi i parë i tij që do të shqipëroja. E shqipërova sapo u ktheva nga Krimea në atdhe, madje e botova si libërth më vete dhe gjëja e parë që bëra, ia dërgova Svjetllana Sergejevnës në shenjë të kujtimi të paharruar. Mbaj mend se ajo, siç më shkruante, u gëzua shumë duke nënvizuar faktin se libërthi që i kisha çuar, ishte e vetmja vepër e Çehovit në shqip, që mbante muzeu i tij në Jaltën e largët.

Tani, pas afro gjysmë shekulli, po i kthehem rishtazi “Zonjës me kone”. Gjatë këtyre dekadave, ajo ka bërë jetën e saj, duke fituar zemrën e mijërave lexuesve shqiptarë dhe kjo s’ka si të mos më gëzojë. “Zonja” ka mbetur po aq e freskët dhe e hirshme, me kumtin e saj njerëzor të qëndrueshëm, me një koeficent filozofik dhe artistik të paprekur, triumf i dashurisë dhe i lirisë së shpirtit të njeriut, mbi meskinitetin, hipokrizinë, falsitetin.

Çehovi e shkroi “Zonjën…” në kulmin e krijmtarisë së tij, në një kohë kur kish fituar aoreolën e një shkrimtari të madh. E botuar fillimisht në revistën “Ruska misll” (1899), ajo bëri jehonë në rrethet e gjera të lexuesve dhe u vlerësua lartë nga shkrimtarët rusë më të shquar të kohës, nga Tolstoi e deri te Korolenko e Bunini; por, meritat e mëdha të veprës ndoshta më qartë e saktë i shprehu M.Gorki në letrën që i shkruante autorit: “Para këtij tregimi të vogël, të gjithë tregimet e tjerë, më duken të vrazhdë, sikur nuk janë shkruar me penë, po me ndonjë kërcu dhe kryesorja është se të gjithë më duken jo të thjeshtë, d.m.th më duken të rremë. Kjo është e vërteta. Ju bëni një punë të madhe me tregime të vogla dhe u ngjallni njerëzve neveri për jetën gjysmë të vdekur e të përgjumur, që e marrtë dreqi! Tregimet tuaja janë si flakone elegante parfumesh, që kanë gjithë aromat e jetës dhe më besoni, një nuhatës i hollë, gjithmonë do të kapë aromën e tyre të vërtetë, të lehtë, të mprehtë, jetëdhënës dhe do të përcaktojë vlerën e mirëfilltë e të nevojshme që ka çdo flakon i juaji”.

Kritika letrare, do ta cilësonte si një vepër me kualitet të veçantë, jo vetëm për trajtimin origjinal të temës, por dhe për nga pesha e dramës dhe sinteza e ideve, nga dendësia e jetës dhe forca përgjithësuese. Madje u quajt roman, duke arsyetuar se, me një subjekt të tillë, I. Turgenievi do të shkruante një roman të tërë.

“Zonja…”, në vështrim të parë, duket si një vepër kushtuar thjeshtë dashurisë, kurse në fakt, ajo i kapërcen caqet e saj. Është e vërtetë se dashuria në krijimtarinë e Çehovit përbën temën më të preferuar të autorit, e pranishme dhe e gjithpushtetshme gjithandej si në prozën dhe dramaturgjinë e tij. Tek ai “ndjenja më e bukur dhe më e natyrshme njerëzore, siç e përcakton L. Tolstoi, shpërfaqet dhe trajtohet, jo vetëm në një spektër të gjerë dhe nga kënde origjinale, plot variacione dhe tonalitete madhore emocionale, por, ajo që i jep peshë të veçantë është rrokja e thelbit njerëzor dhe social i kësaj ndjenje universale dhe të përjetshme. Falë magjisë së tij, lexuesi ngjitet në majat apo zbret në honet, ku e çon dashuria.

Te “Zonja…” rrëfehet për historinë e një dashurie, që nis, siç ndodh jo rrallë me disa burra, si një roman zbavitës, në rrethanat e një njohjeje të rastit. Duket sikur për Gurovin nuk ka asgjë të veçantë, është thjeshtë një histori e re në vargun e aventurave të vjetra. Ka shtënë në dorë një grua të bukur, të re sa gjysma e moshës së tij, kur nga ana tjetër ka lënë prapa një martesë të dështuar, që mbahet në këmbë vetëm nga fëmijët. Lidhja e re hyn në jetën e tij të zbrazët e plot limonti si një rreze drite, që i jep shpresa për kënaqësi të tjera fizike. Madje duke i konsideruar gratë si “racë e ulët”, atij asnjëherë nuk i shkon mendja se veç kënaqësisë së rëndomtë trupore, një grua mund t’i falte dashuri dhe t’i jepte kuptim jetës së çoroditur të një burri. Në fakt Gurovi nuk e njihte dashurinë e vërtetë, forcën e saj gjallëruese e përtëritëse. Po ja që nuk ishte kështu. Lidhja e re solli një tërmet në jetën e tij. Ajo nisi, siç kish ndodhur rëndomë, por në ditët që erdhën, Gurovi përjetoi situata të pangjara. Krejt papritur dhe vrulltas, atij iu zgjua një ndjenjë e fuqishme, e papërmbajtur dhe e gjithpushtetshme, që ai s’e dinte se fshihej brenda tij. Kjo ishte dashuria, që Gurovi s’e kish njohur kurrë, dhe që nuk merret vesh se në cilën stinë të jetës vjen, a në rini a në moshën e burrërisë, apo dhe në pleqëri. Duket si një lloj destini, sikur fati luan misteriozisht me zemrën e njeriut dhe ai, jo vetëm s’është në gjendje të shpjegojë, por as s’e ka veten në dorë. Kështu do të ndodhte me Gurovin, të cilin dashuria e fut nëpër shtigje të ngatërruara e i krijon situata dramatike, që e bëjnë të ndjehet njeri i vërtetë. Kupton dhe ndjen forcën jetësore të dashurisë, bukurinë dhe përtëritjen që i sjell ajo shpirtit të njeriut. Është kjo metamorfoza e brendshme që ai pëson, falë ekzistencës dhe dashurisë së Ana Sergejevnës.

Gjithë kjo histori dashurie në rrëfimin e Çehovit, rrjedh natyrshëm, e përshkallëzuar dhe aq’ e motivuar psikologjikisht, sa çdo njeri, i përfshirë në atmosferën dramatike të tregimit, gati sugjestionohet dhe dashur pa dashur ballafaqohet me veten. Dëgjon me vëmendje zemrën e tij, depërton në skutat e saj dhe dashuria kthehet në një kaledoskop të jetës së vet. I tillë paraqitet Çehovi në këtë tregim, jo në rolin e alkimistit, as të magjistarit, po të artistit e të psikologut të madh, që e sheh jetën e njeriut tej e tej, përmes zemrës, mrekullisë së universit njerëzor.

“Zonja…” e vë lexuesin në mendime, ngre përpara tij plot pyetje delikate, prek tabu, e bën të gjyqtojë me veten, e shtyn të diskutojë në rrethin e tij të ngushtë. Është fjala për një fenomen madhor, siç është dashuria, që nis me Adamin dhe Evën, provon Romeo dhe Zhulietën, por përballet dhe me Gurovin dhe Ana Sergejevnën. Në qoftë se fatin e dy çifteve të para njerëzit e dashuruar e provojnë rrallë, fati i çiftit të “Zonjës me kone” është ndoshta më i pranishmi dhe më i prekshmi në këtë botë kalimtare. Ka të drejtë shkrimtari rus K.Paustovski kur shkruan: “Çdo njeri ka pasur zonjën me kone. Në rast se nuk e ka, ai patjetër do ta ketë.”

E ndjej veten me fat që e solla në gjuhën time këtë kryevepër me kumte aq fisnike, të cilat koha s’i vjetron kurrë.

Share This Article
1 Comment
  • Rrespekt edhe njiher ,pafund per kto tregime Perrla qe na bejne te ispirojme pak Oxigjen te paster ne ate Atmosfere Bote Shqiptare te helmuar toxike .

    Shpesh her mendojm mos ti hapim me kto Dritare e hedhim veshtrimin ne Mediat Shqiptare , ku gjithcka e mbuluar marrezia ,e shndruar ne nji ambjent toxik per shqiptaret ,ku asgje s’frymon me jete Njerezore , por ja , qe ka te tille ai “Thesare Njerezore te Padukshem” ai vend ,qe i afrojne NJERIUT pak FRYMARRJE Ajer te Paster mbas ktyre dritareve mediatike pushtuar ne cdo cep ,nga plehrat toxike qe ndyjne cdo ambjent Shqiptare .

    Kush do te dij se s duket ne realitet nji Kritik i Vertete Letrar ka shancin e vetem dhe fatin e Madhe ne Shqiperi , te lexoje nji nder Shkrimtaret me te talentuar e te Medhenje te dekadave te fundit qysh mbas LIIB(par nga perspektiva e atij talenti qe posedon si Shkrimtare, kur dijme tashme mir ,qe nji Shkrimtare te Madhe nuk e ben numri i librrave te shitur ,apo Romaneve te shkruara ,por “Atomi ” – Shkrimtare qe ai posedon ne talentin e tij ) .

    Mbas nji Kritiku te Madh fshihet nji Njohes i Madhe i asaj qe nenkupton Literaturen e Vertete te ksaj Bote (ndryshe nga cdo intepretim idiot e rraces se nastradinave ne ate vend )

    dhe ky Fenomen ,eshte Guri me i Cmuar qe ka sot Shqiperia ,mbas se cilit duhet te rrotullohen studjusit e letersise dhe ata qe e Duan Letersine e Vertete dhe Talente qe pretendojne nji dite te behen Shkrimtare te Vertete e te suxsesshem .Ky eshte i Madhi Nasho Jorgaqi .
    Mbas nji Shkrimtari te Talentuar kuptohen ne cdo rast nji Kritik i Madhe .
    Vetem nji kombinacion i tille ben perfekte qenien Talent i Vertete i Literatures se lsaj Bote .

    Jete te gjate i nderuari Profesor / Shkrimtari z.Nasho Jorgaqi e Pena t’u beft Pishtari i Letersise …Shqiptare

    (Shqiperia ka shume nevoje per kongjillat nen hi…qe jane gjithmon te gatshem te ndezin perseri zjarrin e pasionit Shqiptare duke ndricuar erresiren qe ka plakosur boten e tyre .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *