Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan mbajti në Sarajevë një tubim elektoral ku iu drejtua rreth 3 milionë turqve që jetojnë jashtë kufijve.
“Kjo turmë dhe ky zë i njerëzve të Sarajevës janë shenjat e një fitoreje të madhe në zgjedhjet që do të mbahen në Turqi (24 qershor). Vendet europiane nuk i deshën tubimet tona, por Bosnja na e dha këtë mundësi. Bosnja dëshmoi demokracinë e saj”, deklaroi Erdogan duke pohuar arsyen se përse ai vendosi të mbajë një tubim elektoral në Bosnje e Hercegovinë.
Erdogani i nxiti turqit e diasporës që të marrin dyshtetësinë, të mësojnë gjuhët e vendeve ku jetojnë, përfshirë atë boshnjake, e të jenë aktivë në jetën politike.
Ai nuk harroi të godiste armikun e tij, klerikun Fetullah Gylen dhe organizatën e tij Feto.
Tubimi u mbajt në kompleksin olimpik Zetra. Në të morën pjesë rreth 12 000 vetë, ndërsa 10 000 të tjerë ishin mbledhur jashtë godinës, raporton Anadolu Agency.
Përpara mitingut, teksa diskutonte bashkëpunimin ekonomik me Bakir Izetbegoviçin në presidencën boshnjake, Erdogan premtoi investime të reja turke.
s.a/dita
