Para dy javësh në Maternitetin e Vjetër të Tiranës, mamia me përvojë Bardha Daçi po vizitonte një zonjë që ishte gati për lindje. Me duart e saj të hajthme por të sigurta, vendosi mbi barkun e gruas (që për pak mund të mos bëhej nënë) stetoskopin, për të dëgjuar rrahjet e zemrës së fetusit (i cili gjithashtu për pak mund të mos thirrej bebi). Veshi i saj i stërvitur ndër vite, brenda 10 sekondash kapi brakikardinë e fëmijës. Shkoi vrap tek mjeku (i cili zakonisht rri shtrirë, vetëm për ndonjë të “papritur” dhe…për “t`u dhënë dorën” të afërmve të gruas pas lindjes), e i tha: -Fëmija ka bradikardi! Duhet urgjent të futet në sallë! Ai, siç ishte gjysmë shtrirë duke parë televizor, ia priti: -Mirë, mirë, po e çoni andej nga godina tjetër, i bëni një Ekografi, e pastaj silleni lart… Ç`të bënte mamia?!? Ajo e vendosur i tha: -Doktor, mbase unë nuk di sa ju, por po ju them se do kemi fetomorto, përpara se gruaja të bëjë ekon! Duhet shkuar në sallë!
Një mjek tjetër që kaloi aty pari, sapo dëgjoi fetomorto-shqip: -barrë e vdekur në barkun e nënës- i foli prerë kolegut, i cili ishte shkolluar në një vend të ish Lindjes, e ish punësuar “me tender” nga ish drejtori para pak vitesh. Ndërsa mamia u diplomua në shkollën e Mesme Mjekësore “Jani Minga” në vitin 1981. U futën në sallë, u krye ndërhyrja, u vërtetua bradikardia, e kështu fetusi u shndërrua në një bebe të bukur që qante me gjithë fuqinë e mushkërive, kurse gruaja u shndërrua në një nënë të lumtur…
SHTET BRADIKARDIK?!?
Është pyetje e natyrshme që mund ta bëjë sekushi që kupton brakikardinë. Por për lexuesit që s`e kuptojnë (edhe unë s`e dija), le ta themi shkurt. Kordoni umbilikal-ajo që në gjuhën e përditshme quhet kërthizë- që ushqen fetusin për nëntë muaj, është i gjatë; nga 50 cm deri në1 metër. Gjatë rrugës që bën fëmija për të parë dritën e kësaj bote, të paktën të kësaj shqiptare, ndodh që ky kordon t`i mplikset dy-tre herë për qafe, ta shtrëngojë, ta asfiksojë, ta detyrojë që në mënyrë të pa kohëshme të nxjerrë feçet (ato që ka) e njëherazi t`i marrë ato përmes gojës, t`i ngadalësojë rrahjet e zemrës-bradikardi, dhe të shuhet në barkun e nënës, nëse mjeku delirantoxhambaz, nuk dëgjon maminë me përvojë….
Por… cila, lidhja me shtetin tonë? Nëse vëren administratën e këtij vendi-thënë më shqip, lukunitë e partiako-militantëve famëkëqinj të punësuar me tufa në tetë vite rresht, për të çimentuar pushtetin e disave dhe për të shuar qysh në bark shtetin e të gjithëve, më së paku çdo lloj krijese që ka lidhje me fjalën shtet-pavarësisht se i kujt është, është e lehtë të bësh lidhjen mes dy fenomeneve. Të gjitha krahasimet çalojnë, por në këtë rast më pak, ose aspak.
Viti që kaloi, për të gjithë shqiptarët e të gjitha trojeve, ishte viti i 100 vjetorit të Pavarësisë. Por politikanët, bënin-ç`bënin, dhe ashtu si pa kuptuar nëpër fjalimet patetike të tyre shpesh, në vend të… “100 vjetori i Pavarësisë”, thoshin: -“100 vjetori i shtetit shqiptar”.
Besoj të gjithë biem dakord, që shteti shqiptar, është shumë më i vogël se 100 vjeç (edhe sikur të fusim në hesap ato 15 vitet e “lumtura” të atij farë shteti zogollian). Pikërisht për këtë që nuk ishte, u duhej edhe politikanëve të thoshin shteti ynë ishte edhe “shtet”, madje edhe 100 vjeç! Njihet tanimë fakti se për rreth dy shekuj, fqinjët tanë vertikalë (Jug:Veri), sa herë kanë dashur të bindin Fuqitë e Mëdha për copëtimin e Shqipërisë, argumenti më i fortë që kanë patur ka qenë: -“Shqiptarët janë të pazotët të bëjnë shtet”!.
Me keqardhje duhet pranuar se edhe në këto njëzetë e dy vite që ne me shumë mund e zor përpiqemi t`i quajmë edhe demokraci, u kemi dhënë plotësisht të drejtë fqinjëve tanë me… karikaturën e shtetit që pretendojmë se kemi ndërtuar! Por, sa herë që krijesa që kemi dashur të ngremë në këmbë e ta quajmë shtet, ka marrë rrugën e lindjes në këtë vend, gjithnjë ekziston një dorë e “kujdesshme” e cila e shtyn mbrapsht, duke i lidhur edhe litarët për qafe, që fetusi-shtet shqiptar, të vdesë qysh atje, në barkun e mëmës… Dora e “kujdesshme” edhe sot ekziston kudo, qysh nga bizneset e fqinjëve (vertikalë) të stisura buzës së autostradës, tek koncesionet e ndryshme, e hija e saj ngjitet deri në kolltukët e lartë të pushtetit.
BARRA E RËNDË E EDI RAMËS
Do të vazhdoj të këmbëngul në këtë nëntitull, përderisa Edi Rama (apo Edvin) siç duan ta thërrasin kundërshtarët e tij, e ndjen këtë fitore si përgjegjësi të madhe. E ka gabim. Nuk është përgjegjësi: Është barrë e rëndë! “Ose hyjmë në Histori, ose… largohemi më me turp sesa këta” -tha Rama, ditën që lexoi në mënyrën e vet rezultatin, përpara pankartës së madhe me fjalën “Mirënjohje”. Por në Histori do të hyjë ndonjëherë në këtë vend, ai ose ata që dikur do të bëjnë shtet, -pikërisht atë:- shtetin. Shtetet i kanë bërë burrat idealistë dhe jo horrat që presin t`u vijë radha për të “menaxhuar” buxhetin dhe pasuritë e vendit të tyre. Shtetet i themeluan, strukturuan dhe forcuan ata që i thanë nepsit: -teps!, pra ata që e “lidhën në zinxhir” nepsin e tyre, e që në shumicën dërrmuese të tyre vdiqën të varfër (nga paratë). Shtetet i bënë ata që nuk ngurruan të fusin në burgje edhe njerëzit e tyre më të afërt, që nuk ngurruan të paguanin nga xhepi i tyre për arkën e shtetit dhe jo e kundërta, ta vidhnin atë. Prandaj shtetet e Europës që janë shtete, por edhe Amerika, kanë betimin solemn që bën shtetasi kur emërohet në një detyrë të caktuar në shtetin e tij. Prandaj ai shtetas përballet me të gjithë rreptësinë e ligjit nëse gabon, pa lere po të abuzojë me postin…
Prandaj është krenari në botën që duam të shkojmë, për dikë që është nëpunës i shtetit. E për të njëjtën arsye atje, ndjehet krenar edhe çdo shtetas për… shtetësinë që ka në pasaportë (për kombësinë po se po)
Po fjala shtet nënkupton që Presidenti i vendit (i atij vendi që ka shtet), të jetë Nëpunësi Numër 1 i Shtetit, e Kryeministri-Nëpunësi Numër 2 i Shtetit, e kështu me radhë, deri tek unë i fundit.
Nuk di nëse mjeku e falenderoi maminë në fund të lindjes. Por një gjë e di mirë: Që shumicën që merr pushtetin në Shtator, do ta falenderojnë dikur shqiptarët, nëse do të bëjë shtetin…
…Para dy vitesh, në njërin prej kanaleve televizive tanë “kombëtarë”, u stis një lojë që vuri në lëvizje gjithë gjimnazet e Tiranës, me titull: “Ëndrra ime për t`u bërë kryeministër”. Ishte stisur kjo lojë me mirëkuptimin e qeverisë (prej nga merreshin reklamat), për të promovuar një anëtar të LRI-së-ish maturant në gjimnazin “Ismail Qemali”. Kur paraqitën të dhjetë gjimnazistët, programet e tyre, se ç`do të bënin ditën e parë kur të uleshin në karrigen e kryeministrit, mbeti në mendjet e njerëzve programi i një nxënësi të gjimnazit “Sami Frashëri”-Fatjon Allkaj, nëse nuk gaboj e quajnë. Pika e parë që kishte Fatjoni për ditën kur do të ulej në karrigen e kryeministrit, ishte: -“Nuk do të marr detyrën, pa u bërë gjendja e Arkës së Shtetit, e nëse ka abuzues, do ta marr detyrën vetëm kur abuzuesit të ulen në bangon e drejtësisë”. Ashtu siç pika e fundit e programit të tij, fliste se si do të luftonte korrupsionin, pasi siç tha Fatjoni i “Samiut”… “Bleta që grabitet, vdes ose roitet”. Menaxheri i emisionit, misionari më mirë me thënë i një klani të emëruar, e pyeti: -Si? Si e the këtë?!?! I shkreti menaxher! Ishte zhytur në milionat e klaneve, e s`mund të kapte fillin e mendimit filozofik të një populli të tërë, që iu soll i koncentruar në një fjali të vetme nga një djalosh shqiptar,17 vjeçar!
Me sa duket, Edi e ka dëgjuar 17 vjeçarin Fatjon para dy vitesh, e andaj kërkoi audit të jashtëm, për të bërë gjendjen e “kosheres”. “Mamitë” nuk kanë munguar t`i flasin Edit dhe gjithë atyre që kanë qeverisur, për bradikardinë shtetërore. Varet nga këta, nëse bëjnë ndërhyrjen në sallë për të prerë litaret rreth grykës, dhe lind ndonjëherë shteti shqiptar, siç do të duhej të ishte, siç në gjithë botën, përjashto… neve.
Ky popull, mirë apo keq, është mësuar të jetojë shtrënguar. Por do të ndjehet gjithnjë i nëpërkëmbur, i përdhunuar e aspak krenar (pa lere “sovran”), nëse shikon që ai vetë-populli, pra Bleta, vidhet, pikërisht prej atyre që ai i zgjedh si …bletërritës! Atëherë ai-pra ajo Bleta, do të vdesë, ose do roitet, domethënë, do të iki ashtu siç ka plot 23 vite që ikën, ikën, pa mbajtur hartë përpara vetes, por një “pasqyrë”, në të cilën shikon fytyrën e vet dhe krenohet me tiparet që pat patur dikur, qyshkur s`mbahet mend, e as ai vetë nuk e di!…

Si shkrim I botuar pa lejen e shefit ky, Panooo!!!
Megjithate ke qelluar, ne shenj e kam llafin.
TE FALENDROJ QE ME NDJEK BERNAAAARD!
nje shkrim qe te le pa mend nje shkrim qe te jep mesim te jep shprese dhe momente te spikatura qe me te vertet jane reale ,,djali qe ju permendni z pano te mahnit nuk do ta haroj kure kete shkrim ,,njerez ka vendi yne po politika eshte e mrapshte drejtesi vetem drejtesi kjo eshte motua e demokracise
Uroj qe dhe ky shkrim te bjere ne vesh jo te shurdher !
Emocionues, i forte, shpresedhenes!
JU FALENDEROJ TE GJITHEV. MIRE ESHTE TE BEJME SECILI ATE QE MUNDIM. UNE KETE MUNDEM, KETE BEJ…
ORA 1.50. I DASHUR PANO. ME RA NE SY ARTIKULLI JUAJ KETU NE FAQEN TIME (FB) DHE PA AS ME TE VOGLIN HEZITIM, FILLOVA TE LEXOJ. NUK KAM DESHIREN T’JU THUR LAVDE SEPSE AFTESITE TUAJA NE KETE PROFESION, NJIHEN DHE VLERESOHEN NGA SHUME NJEREZ AKADEMIKE, STUDIUES, GAZETARE SI DHE OPINIONI QYTETAR LEXUES (NATYRISHT ATA QE E KANE NE EDUKATE LEXIMIN). ESHTE NJE ANALIZE QE NGJIT MJAFT “BUKUR” ME REALITETIN E BOTES SHQIPTARE, KY INFORMACION DO TA QUAJA, SHPREH JO VETEM FAKTET QE SHPESH MBIZOTEROJNE NE SHOQERINE SHQIPTARE POR, EDHE KURAJON QYTETARE QE JUVE GEZONI. JU UROJ SHENDET DHE SHUME SUKSESE NE MISIONIN TUAJ FISNIK.
O Pano.Sme pelqeu dicka ne shkrimin tend.Seshte problem kundershtari,se mik ate Edvin kristaq Ramen as e kam dhe as do ta kem ndonjehere,po ay emrin e ka Edi apo Edvin?Kjo e para.E dyta nese ay kerkon te beje auditin,kerkon ta beje per te pare se sa mundesi ka per te vjedhur o Pano.Ti se njeh fare o Pano se cfar mendje diabolike ka ay per te vjedhur.E treta,dhe kjo eshte me e rendesishme,nga je zhdukur.Ke dy jave qe sje bere i gjall fare.Kam frik se te ka kapur sindroma e lindjes.
I dashur Nesti! te falenderoj qe me ke lexuar, ashtu siç te falenderoj edhe per sinqeritetin ne kritike. Por:
1-Nuk e di e nuk me duhet te di se si e ka emrin. Prandaj edhe ne shkrim, i jap te dy variantet e emrit te tij.
2-Nuk mund te paragjykoj asnje levizje per mire qe ndermerret nga kushdo ne kete vend. Ketu jemi, rofshim, pafshim, dhe shkrofshim! Nese nuk do te shkruaj po qe se ai do te beje ato qe ti thua, ketu me ke, e mos me fol me, se shkruaj ti kunder meje.
3-Jam ne levizje keto kohe sepse kam hapur ato filialet ne rrethe qe te kam thene, e jam shume “i zene”….
Shkrim i bukur po shiko se ke material me bollek andej nga MM dhe ushtria
Pano, te lumte. Ata qe aspirojne per shtet mbushen me fryme e shohin ndonje shprese per te ardhmen kur shohin e lexojne pena te tilla qe duhen vleresuar e ndjekur per zbatim.
Pano! Ne pergjithesi mire.
SH ALIAJ. Peshendetje i nderuar Pano…! E lexova me kenaqesi artikullin tuaj.Kuptohet qe ishte nje shkrim i guximshem politik, filozofik, letrar,…Te shkrime te tilla, te gjykimet e drejta , te analizat pa paragjykime e ndikime partiake te djathta a ta majta, me sedren dhe perkushtimin per ta bere kete vend te lodhur nga pushtetaret e inkriminuar ,shohim driten e shpreses qe ky vend do te behet nje dite…Respekte i dashur PANO…
Nje shkrim qe te jep kenaqesi intelektuale kur e lexon. Kenaqesine vazhdon ta ndjesh madje dhe kur e rilexon. Shkrim me domethenien e madhe te bërjes se shtetit te cilin jo vetem nuk e kemi por dhe kemi frike a do ta kemi? Pyetja duket pesimiste por nuk eshte e tillë po te kemi parasysh mentalitetin shqiptar dhe mentalitetin regresiv te politikes sone 23 vjeçare. Kjo e fundit, per me teper ka demonstruar se per shume çeshtje qendron prapa nivelit konceptual te popullit per shtetformimin. Me pak ndryshime duhet pohuar se perseri ajo politike dhe ata politikane jane perseri. Me e keqja eshte se veshtire te gjesh idealiste dhe idealizem midis tyre! Idealizmi duket nje filozofi shtetformuese teper e larget nga speciet politike qe kemi zgjedhur te na drejtojne. S’kemi ndeshur akoma dhe gjestin me elementar te idealizmit tek ndonjeri nga te zgjedhurit tane. Madje dukuria me e perhapur mes tyre eshte se “po u ngulên nuk shkulen”! Nuk eshte vetem saliu tipik ne kete sjellje. Jemi vend me shume salinj. Kemi nje ego te madhe per pushtet edhe si shqiptare. Kemi etje te madhe per para e per pasurim te shpejte. Jemi njerez qe idealizmin e shkembejme shpejt me mercenarizmin. Jemi pak a shume te mbytur nga simptomat e bradikardise siç e shpjegon me elegancë panua! Kemi dhe zhytemi shpejt në nje fare psikologjie që anon nga anarkia e rremuja. Panua tregohet i moderuar ne prezantimin e difekteve tona por sidoqofte ne analizen e tij ndjehet kamzhiku me te cilin fshikullon çdonjerin prej nesh!!? A do te jete edi idealisti yne i madh i krijimit te shtetit . Nuk e di. Nuk e di sepse dhe nëse eshte do te kete jo vetem reaksion te madh por dhe sepse nuk mendoj se skuadra e tij rilindase ka shume idealistë. Mirpo trimi i mire me shoke shume! Sidoqofte le te shpesojme sepse ka dhe trima te vetem ne luftë. Midis rreshtave te panos e gjen me shumice rastin e dyte te trimërisê. Pergezime autor dhe keshilla qe deshëroj te ma pranoni eshte se duhet ta vazhdoni me shkrime te tjera analizen e sotme . Kuptohet ne te njejtën linje filozofie shtetformuese e shtetndertuese. Mos harroni qe pushtetit te ri ti kujtoni se ushtaraket jane kontigjenti i pare shtetformues qe duhet te shenoje ne listen e vet.
Sikur ta lexonin te gjithe shqiptaret kete shkrim te rralle ,do te kuptonin me mire te kaluaren ne demokraci dhe shpresen shume te desheruar per nje te ardhme te nje demokracie te vertete.