(Vijon nga numri i kaluar)
Marrëdhëniet konfliktuale Shqipëri-Jugosllavi në vitin 1957, shqetësojnë Moskën. Për këtë më datë 9 mars të këtij viti, Hrushovit i dorëzohet një raport i hollësishëm për këtë situatë. Ndërkohë më 15 gusht 1957, firmoset Vendimi i Presidiumit të KQ të PKBS “Mbi masat e udhëtimit të shokut Zhukov në Jugosllavi e Shqipëri”, duke caktuar axhendën e vizitës dhe anëtarët e tjerë të delegacionit.
Në dokumentet origjinale të arkivave sekrete ruse të kësaj periudhe (përfshirë në studimin e Hamit Kabës e Ethem Çekut), jepen detaje të tjera rreth zhvillimeve të rëndësishme të këtij muaj në marrëdhëniet Shqipëri-Bashkimi Sovjetik dhe Shqipëri-Jugosllavi…
(Shënim i zëvendës shefit të seksionit të KQ të Partisë Komuniste për Ukrainën në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, I. T. Vinogradov, mbi shkaqet e keqësimit të marrëdhënieve shtetërore ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë
9 mars 1957
Shoku Krillov – ish ambasador i BS në Tiranë, njofton se miqtë shqiptarë kanë bërë punë të madhe për demaskimin e pikëpamjeve antimarksiste të udhëheqjes jugosllave. Megjithatë, kohët e fundit, fjalimet e shpeshta të udhëheqësve shqiptarë për çështjen jugosllave, (pothuajse në çdo mbledhje masive dhe botimi i tyre në shtyp), kanë marrë një karakter tepër të ashpër dhe përmbajnë sulme personale, kundër personaliteteve të rëndësishme jugosllave.

E gjithë kjo çon edhe në acarimin e marrëdhënieve shtetërore ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Sekretari i Shtetit për Punët e Jashtme, Popoviç, në fjalimin e botuar në gazetën “Borba” të 27 shkurtit të këtij viti, deklaroi: “Të krijohet përshtypja se udhëheqja e tanishme shqiptare, për shkaqe të veçanta, ecën drejt prishjes së marrëdhënieve shtetërore me Jugosllavinë”. Shtypi i huaj borgjez me gjithfarë mënyrash e nxit Jugosllavinë të ndërpresë marrëdhëniet shtetërore me Shqipërinë.
Ambasada Sovjetike propozon një bisedë, me përfaqësues të nivelit të lartë të udhëheqjes shqiptare, në lidhje me forcimin e mëtejshëm të polemikës me jugosllavët, dhe të këshillohen ata, të tregohen të durueshëm për këtë çështje.
Do ta konsideronim të përshtatshme, që për këtë çështje, të bisedohet me udhëheqësit shqiptarë gjatë takimit të pritshëm midis delegacionit të PK të BS dhe PPSH, në fillim të prillit të këtij viti, në Moskë.
Zëvendësshef i seksionit për lidhjet me partitë komuniste të huaja.
I. Vinogradov
(Burimi:KPSS…. RGANI, F.5, Op. 28, D. 477, L. 4. Nr. 25. Origjinal).
* * *
(Bisedë e regjistruar ndërmjet të Ngarkuarit me Punë të Përkohshme të BRSS në RPSH, M. Ja. Hoshev, me Zëvendëskryetarin e parë të Këshillit të Ministrave Beqir Balluku, lidhur me veprimtarinë antishqiptare të misionit jugosllav në RPSH dhe ftesën e mareshalit G. K. Zhukov në Shqipëri
5 prill 1957
Sekret
Ekzemplar nr. 1
Nga ditari i M. Ja. Hoshev
Në mbrëmjen e 4 prillit, në restorantin e hotel “Dajtit”, u bë një pritje e madhe, e organizuar nga ambasada e Republikës Popullore të Hungarisë, lidhur me festën kombëtare – ditën e çlirimit të Hungarisë nga ushtria sovjetike. Në pritje folën ambasadori i Republikës Popullore të Hungarisë, Zhad Kullak dhe sekretari i Komitetit Qendror të PPSH, Hysni Kapo. Fjalimet e tyre i përshkonin idetë e unitetit të Kampit Socialist dhe ato të miqësisë me Bashkimin Sovjetik.

Në vigjilje, të festës së 3 prillit në Tiranë u bë një mbledhje solemne dhe u organizua shikimi i një filmi hungarez. Në mbledhjen solemne dhe në pritje, ishin të pranishëm personalitetet drejtuese të PPSH, të qeverisë shqiptare, si dhe përfaqësuesit diplomatik të vendeve të Kampit Socialist dhe të Jugosllavisë. Italianët e francezët refuzuan të merrnin pjesë në festime e në pritje.
Beqir Balluku duke folur në pritje dhe në mbledhjen solemne, kushtuar përvjetorit të çlirimit të Hungarisë nga ushtria sovjetike, më njoftoi se ambasada hungareze kishte ndërmend të organizonte vetëm një shikim filmi dhe një pritje të vogël në ambasadë, afërsisht për 50 deri në 70 persona. Kur qeveria shqiptare e mori vesh, e quajti të përshtatshme të organizohet një mbledhje solemne dhe pritje në po atë nivel, si në vitet e kaluara. Ambasadorit hungarez Zhad Kullak iu tha t’i jepte hotel Dajtit dhe ato që kishte me vete, ndërsa gjithçka tjetër do ta bënin shokët shqiptarë. Zhad Kullak e kuptoi mirë dëshirën e palës shqiptare dhe siç e shikoni, tha Beqir Balluku, mbledhja solemne dhe pritja u bënë me një nivel të lartë organizativ e politik. E gjithë kjo, tha Beqir Balluku, duhet të tregonte forcën, unitetin dhe ndihmën reciproke të vendeve të Kampit Socialist.
Gjatë bisedës së mëtejshme, Beqir Balluku tregoi, se pas dëbimit nga vendi (Shqipëria) i sekretarit të parë të misionit jugosllav Vuçiç, i cili ishte rezidenti kryesor i Jugosllavisë në Shqipëri, këto funksione i kaluan të dërguarit jugosllav Arso Milatoviç. Edhe ai u tregua shumë aktiv në punë, por më pak në grup. Milatoviçi udhëton në vend dhe bën hapur propagandë të ndryshme antishqiptare, në veçanti iu shpërndan dhurata të ndryshme qytetarëve shqiptarë, në emër të Jugosllavisë. Ka shkuar pa lejen e organeve të pushtetit shqiptar në qytetin Stalin dhe ka fotografuar aerodromin ushtarak etj. Lidhur me këtë, tha Beqir Balluku, kemi ndërmend që në ditët e ardhshme, të ftojmë Milatoviçin në MPJ dhe ta paralajmërojmë atë, për të mos lejuar veprime të tilla në Shqipëri. Në këtë rast, Beqir Balluku theksoi se gjatë ushtrimit të detyrës së vet, Milatoviçi shfrytëzon gjerësisht ambasadorin polak Pshenioslo, dhe bën përpjekje për t’i shfrytëzuar çekët për interesat e tij.

Për sa i përket problemit të ftesës së mareshalit të Bashkimit Sovjetik Zhukov, në Shqipëri, Beqir Balluku tha se ata, janë pothuajse të bindur, në zgjidhjen pozitive të kësaj çështje. Sipas mendimit të Beqir Ballukut, periudha më e përshtatshme për vizitën e Zhukovit në Shqipëri, mund të ishte periudha pranverë-verë e këtij viti, me një skuadrilje ushtarake sovjetike, e cila presupozon të bëjë vizitë miqësore në portet shqiptare. Për këtë rast, Beqir Balluku u interesua të dinte nëse e kisha informuar Moskën për letrën e tij mbi këtë çështje. Unë i ktheva përgjigje pozitive. Beqir Balluku më njoftoi gjithashtu, se në periudhën e pushimeve verore do të vijnë në Shqipëri rreth 80 ushtarakë sovjetikë, si dhe grupe ushtarakësh nga Çekosllovakia dhe Polonia.
Beqir Balluku theksoi më se një herë, se punonjësit drejtues shqiptarë, do të dëshironin t’i kalonin pushimet në Bashkimin Sovjetik. Megjithatë, tha Beqir Balluku, tani për tani, ende nuk ka një marrëveshje më shokët sovjetikë, nëse mund t’i pranojnë shokët tanë. Gjatë gjithë bisedës vihej në pah mendimi, se nuk do të ishte keq nëse shokët sovjetikë do t’i ftonin punonjësit drejtues shqiptarë për pushime në Bashkimin Sovjetik, afërsisht në periudhën kur do të bëhet Festivali i Rinisë.
I Ngarkuari i Përkohshëm me Punë i BRSS në Shqipëri M. Hoshev.
Shënim: “Në arkiv. material informativ. V. Lesakov 26/04/57”.
(Burimi:KPSS…., RGANI, F.5, Op. 30, D. 477, F. 36-38. Nr. 26. Origjinal.
* * *
(Vendim i Presidiumit të KQ të PKBS “Mbi masat e udhëtimit të shokut Zhukov në Jugosllavi e Shqipëri”
15 gusht 1957
Tepër sekret
P 107/XI
Vendosën afatin e udhëtimit të mareshalit të Bashkimit Sovjetik, G.K Zhukov nga 8 deri 16 tetor në Jugosllavi, dhe nga 17 deri në 25 tetor 1957 në Shqipëri.
Ngarkohet Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e BRSS (shoku Gromiko) të bashkëpunojë me qeveritë e RPFJ dhe RPSH, për afatet e udhëtimit të mareshalit të Bashkimit Sovjetik G.K. Zhukov, në përputhje me këtë vendim.
Ngarkohet MPJ (shoku Gromiko) së bashku me Ministrinë e Mbrojtjes (sh. Zhukov) të bashkëpunojnë me qeveritë e RPFJ dhe RPSH për programin e qëndrimit të shokut Zhukov, në këto vende.
Të përfshihen në numrin e shoqëruesve të mareshalit të Bashkimit Sovjetik G. K. Zhukov, personat e mëposhtëm: 1- Komandanti i trupave të qarkut ushtarak të Odesës – gjeneral-kolonel A.I Radznjesvkij 2-Zëvendëskomandanti i Flotës së Detit të Zi, zëvendësadmirali S.E. Çursin. 3- Zëvendësshefi i Drejtorisë Qendrore Politike, gjeneral lejtant F.P. Stepçenko.
Ngarkohet TASS (Agjencia Telegrafike e BS) (shoku Palgunov) që së bashku me sekretarin e shtypit të MPJ të BRSS, të sigurojnë pasqyrimin e udhëtimit të mareshalit të Bashkimit Sovjetik, G.K.Zhukov dhe të personave që e shoqërojnë atë në Shqipëri e Jugosllavi në shtypin sovjetik.
Të gjitha shpenzimet që lidhen me mareshalin e Bashkimit Sovjetik dhe të personave që e shoqërojnë, të përfshihen në llogari të fondit rezervë të Këshillit të Ministrave të BRSS.
Ngarkohet Ministria e Financave e BRSS (Z. Zverjev) të caktojë fondin e nevojshëm valutor për mbulimin e shpenzimeve, që lidhen me udhëtimin e mareshalit të BS dhe e personave që e shoqërojnë atë, në Shqipëri e Jugosllavi.
Sekretari i KQ të PKBS
Nikita Hrushov
(Burimi: KPSS…., RGANI, F. 3, Op. 14, D. 141, L. 4-5. Nr. 33. Origjinal).
(Vijon nesër)
NESËR DO TË LEXONI:
-Arkivat sekrete ruse: Telegramin ‘Tepër sekret’ datë 24 tetor 1957 të ministrit të Mbrojtjes të BRSS, G. K. Zhukov, drejtuar Kremlinit mbi ecurinë e vizitës dhe bisedimet me udhëheqësit e Shqipërisë.
-Telegramin ‘Tepër sekret’ të datës 25 tetor 1957 të ministrit të Mbrojtjes së BRSS, G. K. Zhukov, drejtuar KQ të PKBS, mbi bisedimet me E. Hoxhën.
-Bisedën e ambasadorit të BRSS në Republikën Popullore të Shqipërisë, V. I. Ivanov, me ministrin e Punëve të Jashtme të RPSH, Behar Shtylla, (9 dhe 12 dhjetor 1957) mbi marrëdhëniet reciproke me Turqinë dhe SHBA
SHPJEGIME NGA ARKIVAT RUSE
-I.T. Vinogradov (lindur në vitin 1905) – nga viti 1953 zëvendës shef i parë i seksionit të KQ të PKBS për lidhjet me partitë e huaja komuniste. 1957 -1959 zëvendësshef i seksionit të KQ të PKBS, për lidhjet me partitë komuniste e punëtore të vendeve socialiste.
-Hysni Kapo (1915-1979) – në vitet 1950-1954 zëvendëskryetar dhe në 1954-1956 zëvendëskryetar i parë i Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Shqipërisë. Njëkohësisht në vitet 1951-1955 – ministër i Bujqësisë dhe i Grumbullimit të RPSH. Nga qershori i vitit 1956 – sekretar i KQ të PPSH.
-Beqir Balluku – zëvendës i parë i Kryetarit të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë.
-Qyteti Stalin – deri në vitin 1990; pas vitit 1991 – qyteti Kuçovës.
-Në mbledhje e 15 gushtit 1957 asistuan: anëtari i Presidiumit të KQ, N. I. Belajev, L.I. Brezhniev, N.A. Bulganin, K.E. Voroshilov, G.K. Zhukov, O.B. Kusnec, A.I. Mikojan, M.A. Susllov; kandidatët për anëtarë të Presidiumit të KQ, A.N. Kosigin, M.G. Pervuhin, P.N. Pospjellov. Drejtoi mbledhjen: N. S. Hrushov.
-A.I Radznjevskij (1911-1979) në vitet 1950-1952, Kr. Komandant i Grupit Verior të Trupave. 1952-1953, Komandant i Trupave të Qarkut Ushtarak të Turkestanit. (QU) 1953-1954 Komandant i Trupave Mbrojtjes tankiste dhe të mekanizuara të ushtrisë sovjetike. 1954-1959 Komandant i Trupave të QU së Odesës. 1959-1969 Zëvendës i parë i Shefit të Akademisë së Shtabit të Përgjithshëm, shef i Drejtorisë Qendrore të Institucioneve Ushtarako-Mësimore të Ministrisë së Mbrojtjes së BRSS. 1969-1978 Shef i Akademisë Ushtarake me emrin M.V. Frunze. 1978 në Grupin e Inspektorëve të përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes së BRSS.
-S.E. Çursin (1906 -1985) 1948-1955 Komandant i Flotileve Ushtarake të Dunait dhe Kaspikut. 1955 Shef i Shtabit të Flotës së Detit të Zi. 1956 Zv/i parë i Komandantit, 1962 Komandant i Flotës së Detit të Zi. 1969 Profesor Konsulent i Akademisë Luftarako-Detare. 1971 – në pension
–F.P.Stepçenko (1909-1978). Nga viti 1953-1956-anëtar i Këshillit Ushtarak të QU të Prikarpatit. 1956-1958 Zv/Shef i Drejtorisë Politike Qendrore të Ushtrisë Sovjetike dhe FLD. 1958-1960 Anëtar i Këshillit Ushtarak – Shef i Drejtorisë Politike të QU të Odesës. 1960-1970 – anëtar i Këshillit Ushtarak – Shef i Drejtorisë Politike të QU të Zakaukazit. 1971- në pension.
-V.I. Ivanov (1905) – 1953 – 1955 zv. kryetar i Këshillit të Ministrave të Republikës Socialiste Federative Sovjetike të Rusisë. Në vitet 1955 – 1957- ambasador i BRSS në Republikën Popullore Demokratike të Koresë (KNDP). Në vitet 1957-1959 ambasador i BRSS në Shqipëri. Që nga viti 1960 me punë diplomatike.
–Baza sovjetike luftarake-detare e Vlorës u krijua, në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave të BRSS më 26 korrik 1957 (shiko N.V.Vasiljev, V. A. Gavrillov qorrsokaku ballkanik. Fati historik i Jugosllavisë në shek. XX). M., “Geja interum”, 2000, c.275.


Jugoslavia asnje te mire si ka bere shqiperise.Ata e kishin mendjen vetem per teknologjine e makinave ”YUGO” dhe per bunkieret
Po kush i beri mire Shqiperise atehere edhe sot! Vete shqiptaret e kane katandisur atehere edhe sot Shqiperine ne dite te hallit, ndonese Saliu nga Vicidoli thote qe konkurojme me Gjermanine!? Kur do veje mend ky popull, vetem nje Zot e di!
Megjithese ‘Indiferent’, kete radhe nuk ja ka futur kot, opor ja ka futur plot!
Agjentet e Serbise jane gjithmone e me shume active , rastet e tyre jane te shumta mjafton te permendim Sali Berishen,Fatos Lubonjen ose te ashtequajturin nastradin&Hithri.