Nafta, pranë 80 dollarëve, rënia e prodhimit në Venezuelë mbështet çmimet

DITA Online

 

Çmimet e naftës janë rritur drejt 80 dollarëve për fuçi në sesionin e sotëm, për shkak të rënies së prodhimit në Venezuelë dhe pritshmërive për një ulje të eksporteve edhe nga Irani.

Këto zhvillime kanë shtuar shqetësimet përsa i përket furnizimit të tregut global me naftë. Në këtë mënyrë, nafta po tregtohet sërish pranë nivelit më të lartë që nga nëntori i vitit 2014.

Çmimet po gjejnë një mbështetje edhe nga marrëveshja e OPEC, Rusisë dhe disa vendeve të tjera për të ulur prodhimin me 1.8 milionë fuçi në ditë dhe nga kërkesa e fortë.

Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 79.8 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 72.6 dollarë për fuçi.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sanksione shtesë ndaj Venezuelës, pasi presidenti Nicolas Maduro u rizgjodh në këtë post, në zgjedhjet e së dielës.

Sipas analistëve, ky vendim do të rrëzojë më tej prodhimin e naftës, që aktualisht gjendet në nivelin më të ulët në një dekadë. Venezuela dhe Irani janë vende anëtare të OPEC, dhe së bashku me aleatët kanë nënshkruar marrëveshjen për uljen e prodhimit në janar të 2017.

Teorikisht, për shkak të rënies së prodhimit nga këto vende, Arabia Saudite dhe anëtarët e tjerë duhet të prodhojnë më tepër naftë për të plotësuar kërkesën.

Investitorët janë në pritje të të dhënave mbi rezervat e naftës në SHBA, që sipas analistëve pritet të kenë rënë me 2.8 milionë fuçi, gjatë javës së kaluar.

a.s/dita

Share This Article
1 Comment
  • E gjithe kjo loje e ndryre duke vene saksione ndaj nje shteti, pse populli zgjedh ate qe do dhe jo ate qe duan te tjeret, duke vene saksione ndaj ketij shteti ka sjelle kete anomali dhe rritje te cmimit te kar-buranteve qe po perballohet nga xhepat e shterur te qytetareve te thjeshte.
    Kjo eshte marria e rradhes e politike sunduese qe bejne shtete e medha apo te forte.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *