Në një intervistë ekskluzive për Zërin e Amerikës, Sekretari amerikan Shtetit, Mike Pompeo shpjegoi përpjekjet e administratës Trump për t’i dhënë fund programit bërthamor të Iranit. Pompeo foli gjithashtu rreth protestave të kohëve të fundit në Iran dhe përpjekjet e administratës për të liruar amerikanët e burgosur në Iran.
Sekretari amerikan i Shtetit thotë se Irani është një vend i rëndësishëm.
“Presidenti e ka parë si një kërcënim serioz për stabilitetin e Lindjes së Mesme, dhe për sigurinë kombëtare amerikane. Ai gjithashtu e sheh se në ç’gjendje është populli iranian dhe mendon se Amerika mund të ndihmojë për ndryshime”, ka thënë ai.
Kuadri i ri i propozuar për sigurinë, thotë Pompeo, mbulon çështje të rëndësishme që ishin jashtë marrëveshjes fillestare. Ai shton se administrata Trump nuk po punon për ndryshim regjimi në Iran, por po mbështet përpjekjet e grupeve opozitare jashtë vendit.
Pompeo thotë se ekipi i tij po punon çdo ditë për të liruar të gjithë amerikanët e burgosur në Iran dhe beson se iranianët meritojnë të mësojnë të vërtetën mbi korrupsionin e përhapur në vendin e tyre.
“Ka udhëheqës të lartë që vjedhin fonde, duke përdorur biznese fallco, dhe sinqerisht, thjesht vjedhin. Nëse mund ta vërtetojmë me fakte këtë, do ta mirëprisja mundësinë ta ekspozoja atë në mënyrë që populli iranian të gjykojë vetë nëse duan që këta individë të vazhdojnë të udhëheqin vendin e tyre”, u shpreh ai.
Të enjten, Pompeo i tha një komisioni në Senat se administrata ka avancuar me planet për rivendosjen e sanksioneve të mëparshme e atyre të reja, “për t’i mohuar Iranit burimet financiare për të bërë akte keqëdashëse”.
s.a/dita
