Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë denoncon faktin se ende asnjë nga drejtuesit e firmës fasone në Durrës, ku u helmuan mbi 13 gra dy ditë më parë, nuk është vendosur përpara përgjegjësisë.
Duke iu referuar burimeve pranë spitalit të Durrësit, KSSH deklaron se shkak i helmimit dyshohet se janë kimikatet që përdoreshin nga kjo kompani fasone që merrej me qepjen e rrobave ushtarake.
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë i kërkon kompanisë fasone të japë sqarim publik për këtë ngjarje të rëndë në mënyrë të menjëhershme.
“Inspektoriati i Punës duhet të mbyllë menjëherë këtë firmë fasone deri në sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë. Duke parë helmimin masiv të punonjësve, Konfederata e Sindikatave denoncon faktin se kjo firmë nuk ka respektuar as kushtet minimale të sigurisë dhe shëndetit në punë. Situata në ndërmarrjet fasone është kritike, kur krahu i punës është më i keq paguari në rajon dhe shteti e ka lënë këtë biznes në mëshirë të disa mashtruesve, që vijnë nga vende të ndryshme të BE nën petkun e biznesmenëve.
Prokuroria dhe Policia e Shtetit duhet të kenë një reagim publik për këtë ngjarje të rëndë, e cila nuk duhet kaluar në heshtje.
Kjo është tabloja që sjell mosfunksionimi i Institucioneve Shtetërore, të cilat në shumë raste janë kthyer në marioneta të kompanive private, ku nuk mungojnë edhe rastet që inspektorët e punës marrin honorare nga kompani private”, thuhet në reagimin e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë.
s.a/dita
