Carlo Cottarelli do të jetë kryeministri i ri i Italisë, i cili është mandatuar nga Presidenti Sergio Mattarella pas tërheqjes se Guiseppe Conte, i propozuar nga aleanca mes Lega Nord dhe 5 Yjet për të formuar qeverinë e re.
“Do të dal para Parlamentit për të prezantuar një ligj për bilancin, e në rast besimi do të qëndroj deri në fillim të 2019-s. Në rast të kundërt do jap dorëheqjen e vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme pas muajit gusht”, kjo ka qenë deklarata e ekonomistit Cottarelli, i cili e ka pranuar me rezerva detyrën e caktuar nga presidenti Mattarella.
Po kush është Cottarelli?
Corriere della Sera në një profil për kryeministrin e mandatuar, e cilëson atë si një “kryeministër që u pëlqen tregjeve”.
I lindur në vitin 1954 ai është me profesion ekonomist dhe ndryshe nga paraardhësi i tij, është dhe i njohur ndërkombëtarisht.
Në vitin 1981 ai është angazhuar në Departamentin e Kërkimeve të Bankës së Italisë, ndërsa në vitin 1988 i është bashkuar Fondit Monetar Ndërkombëtar duke mbajtur postin e Drejtorit të Çështjeve Tatimore. Po ashtu, ai ka mbajtur detyra të rëndësishme për FMN-në, si përfaqësues i Fondit në Hungari, Turqi, Mbretërinë e Bashkuar dhe në Itali.
Në vitin 2013, kryeministri Enrico Letta i besoi detyrën e Komisionerit për rishikimin e shpenzimeve.
Në këtë periudhë ai merr nofkën “Mr.Spending Rewiev”.
Këtë detyrë do ta mbante shumë pak, për shkak të ndryshimit të qeverisë në Itali e si rrjedhojë ai do të rikthehej sërish në FMN me detyrë drejtori ekzekutiv.
Në tetor të vitit të kaluar, pasi i skadoi mandati, u rikthye në Itali ku themeloi Observatorin e llogarive publike.
Sipas “Tgcom” janë të shumta partitë që kanë deklaruar qëndrimin kundër qeverisë që do të formojë Cottarelli.
Veç paralajmërimit për një aksion kundër presidentit Mattarella që rrëzoi qeverinë e Contes, kreu i Lega Nord Mateo Salvini e ka etiketuar kryeministrin e ri të mandatuar si “Mister Nobody (Zoti Askushi) që përfaqëson institucionet financiare”.
Ndërsa kreu i 5 Yjeve Luigi Di Maio është shprehur skeptik rreth mundësisë që ky kryeministër të arrijë të marrë ndonjëherë mbështetjen e parlamentit për kabinetin e tij qeveritar.
Nëse qeveria e ardhshme italiane merr votëbesimin në Parlament zgjedhjet e ardhshme mund të zhvillohen në fillim të vitit 2019, në rast se Parlamenti italian nuk i jep votëbesimin qeverisë së Cottarellit, zgjedhjet e ardhshme priten të zhvillohen pas muajit gusht të 2018.
a.s/dita
