Masat për rishikimin e sigurisë dhe cilësisë së barnave

Pranvera Kola

Rishikimi i rregulloreve për ruajtjen dhe cilësinë e barnave, thjeshtimi i procedurave dhe eliminimi i burokracive në sektorin farmaceutik, ka mbledhur gjatë ditës së sotme rreth të njëjtës tryezë përfaqësuesit e subjekteve farmaceutike dhe drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

“Në kuadër të transparencës, të gjithë hapat që do të ndërmerren në vijim do të jenë të konsultuara me grupet e interesit. Siguria dhe cilësia e barnave nuk janë çështje gojëdhënash, por çështje për të cilat duhet të punojmë së bashku. Ndaj ne po rishikojmë të gjithë kuadrin ligjor, për ta përmirësuar akoma më shumë dhe për të rishikuar të gjithë strukturën e qarkullimit të barnave në Republikën e Shqipërisë”, deklaroi gjatë këtij takimi ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Për herë të parë është hartuar rregullorja e “Praktikave të mira të ruajtjes dhe shpërndarjes së barnave”, hartuar në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Kjo praktikë e re, e cila krijon një standard të ri për ruajtjen e barnave, ju shpërnda përfaqësuesve farmaceutikë, importues dhe distributor, për të dhënë komentet dhe sugjerimet e tyre, para se ajo të miratohet.

Drejtues të Shoqatës së Përfaqësuesve Farmaceutikë vlerësuan draft-rregulloren për “Praktikat e mira të ruajtjes së barnave”, duke e konsideruar si risi për vendin tonë.

Nga ana tjetër, Ministrja Manastirliu siguroi përfaqësuesit farmaceutikë në këtë takim të parë konsultativ se po punohet edhe për procesin e derregulimit. “Po rishikojmë procedurat në sektorin farmaceutik me synim thjeshtimin e tyre, aplikimin online, në mënyrë që të ketë sa më pak burokraci dhe të eliminojmë çdo praktikë abuzive”, tha ministrja Manastirliu.

p.k/dita 

Share This Article
1 Comment
  • Pse Shqiperia nuk eshte anetare e Farmakopese evropiane znj Ministre????????? Eshte e vetmja agjenci qe siguron cilesine e barnave ne Evrope. Apo per shqiptaret mjafton farmakopea indiane apo kineze ????????

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *