Një nga aventurat më të shëmtuara ekonomike të qeverisë në ikje ishte shitja pa kriter dhe lënia në mëshirë të fatit e një pasurie të madhe publike, si struktura unikale e rafinimit të naftës sonë, Rafineria e Ballshit. Në vitin 2008, ajo iu shit një konsorciumi ku përqindjen dërrmuese të aksioneve e kishte një sipërmarrës shqiptar që nuk gëzonte qoftë një ditë të vetme eksperiencë pune në industrinë tonë të naftës. Merita kryesore e tij duket se ishin lidhjet me një sipërmarrës nga Azerbajxhani, i aftë të siguronte 80 milionë euro të një pagese thelbësore për privatizimin e rafinerisë shqiptare, ose të ngrehinës që mbështet këtë rafinim e shitjen e naftës pas tij, që u quajt ARMO. Qeveria, në emër të shtetit, mbajti një përqindje të vogël në aksionet e ARMO, sikurse ndodh kudo në botë në privatizimet strategjike. Pjesa që mban shteti është gjithnjë për të kontrolluar mbarëvajtjen e procesit dhe vlerës së ish-pronës shtetërore pas privatizimit, duke mbrojtur kështu interesat e qytetarit dhe ekonomisë së atij vendi. Por tek ne, qeveria këto aksione i mbajti vetëm sa për forme. Asnjëherë nuk u interesua nëse privati që e mori rafinerinë investoi realisht në të, sipas planit të biznesit në kontratën e shitjes. Asnjëherë nuk mbrojti interesat e punonjësve që punonin në rafineri. Rezultati pesë vjet më vonë, pra tani, është greva dhe bllokimi i prodhimit tek rafineria dhe rishitja e ARMO për 50 milionë euro më pak (në vitin 2008 u shit për 103 milionë euro pjesa që bleu sipërmarrësi shqiptar, rreth 78 përqind të aksioneve) kompanisë së sipërmarrësit nga Azerbajxhani. Të bëjnë përshtypje dy fakte, njëri trishtues dhe tjetri shumë shqetësues. Pas pesë vjetësh, një ish-pronë e madhe publike, rafineria e Ballshit, katandiset në plaçkë tregu. Rishitet duke humbur 50 milionë euro, gjysmën e vlerës së saj të tregut. Ky fakt dëshmon se në rafineri nuk është investuar për modernizimin e saj, sikurse përmbahej në planin e biznesit të kontratës së privatizimit të vitit 2008. Në periudhën 2008-2012 mesatarisht në botë çdo strukturë prodhimi nafte ka parë vlerën e saj të tregut të rritur në 5-8 përqind, edhe pa kurrfarë investimi shtese të kryer, për shkak të rritjes së çmimit të naftës. Kurse tek ne çmimi bie me 50 përqind! Fakti tjetër ka të bëjë me profilin e kompanisë azere që e bleu rafinerinë tonë. Në kërkimin në internet, për të nuk gjen asnjë rrjesht histori apo informacion, në një kohë që për kompanitë me emër ka faqe interneti pafund, për nivelin e tyre teknologjik dhe aktivitetet në prodhimin dhe rafinimin e naftës. Nuk ka asnjë garanci që pronarja e re e ARMO do të investojë në rafinimin shqiptar të naftës, për zhvillimin e tij. Rreziku është që mund ta lërë këtë ish-pasuri kombëtare të dekompozohet më tej. Aventura e sipërmarrësit shqiptar, që në rastin më pak të keq, luajti me qeverinë shqiptare dhe me interesat e ekonomisë së këtij vendi si deshi, prodhoi dy krime të mëdha ekonomike me naftën shqiptare. Së pari, e solli vlerën e tregut të rafinimit shqiptar të naftës në ditën më të keqe. Kjo, ndërkohe, kur vlera e tregut e ARMO vetëm për një vit më parë ishte kuotuar (me një proces kuotimi që ende nuk është bërë transparent për publikun shqiptar) në 817 milionë dollarë! Së dyti, luajti rëndë me procesin e privatizimit të AlbPetrol, duke e komprometuar këtë pasuri të jashtëzakonshme e të patjetërsueshme publike shqiptare, duke vënë një pikëpyetje të madhe në zhvillimin e nxjerrjes së naftes në Shqipëri, si dhe duke mos paguar 80 milionë eurot e garancisë për dështimin e privatizimit. Këto dy krime i kanë kushtuar shtrenjtë (deri tani 130 milionë euro të humbura) dhe do t’i kushtojnë akoma dhe më shumë ekonomisë së vendit.

Duhet guxim dhe arsye qe te shbehen te gjithe kontratat e ketyre horrave…te gjitha pa perjashtim…shqipetaret po presin rezultatet por edhe Europa do te monitoroje qeverine e re. Shpresa eshte e madhe. rilindja nuk fillon nse nuk rrafshohen gjithe kontratat ogurzeza te kriminelit sali berisha, nese ky kriminl nuk jep llogari perse vodhi e vrau.
Z. Gjiknuri fillimisht i duhet nje ekip juristesh i besueshem (nuk ka nevoje te jene super te kualifikuar se marreveshjet e shitjes te kesaj qeverie jane si letra bakalli) per te analizuar kontratat e shitjes dhe te investimeve te rasteve si ARMO. Pasi te prioritizoje (se nje cicke buxhet ka i shkreti) rastet, t’ja u lere Edit dhe Ilirit te tavoline. Kaq po beri, eshte burre i nderuar !