Deputetja e Partisë Demokratike, Fatbardha Kadiu ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama dhe Ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj për mbajtjen peng të integrimit europian të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Kadiu ka deklaruar se nuk mund të ketë normalitet në politikë, për sa kohë Ministri i Brendshëm dhe familjarët e tij do të sfidojnë ligjin haptazi.
“Para se të jemi pjesë e Komisionit për Ekonominë dhe Financat jemi anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë. Jemi rojtarët e zbatimit të ligjeve, ndaj nuk mund të ketë asnjë moment normaliteti këtu brenda në këtë situatë ku vetë Fatmir Xhafaj dhe familjarë të tij kanë shkelur hapur ligjin. Ashtu si mbi tre dekada më parë kur ish-hetuesi Xhafaj pas vdekjes së babait të tij shpirtëror masakroi të rinjtë me duart e tij, duke i shkulur dhëmbët me darë e vezë të ziera në sqetulla vetëm, sepse rastësisht ata të rinj po darkonin.
Sot pas tre dekadash, policët e frymëzuar nga ky hetues, sot mbështetës i dhunës në rolin e Ministrit të Brendshëm, vrasin të riun në ambientet e komisariatit në Korçë. Vetëm kjo është një arsye që ky ministër duhet të largohet”, tha Kadiu, duke sjellë më pas në vëmendje mbrojtjen që Xhafaj po i bën vëllait të tij.
Deputetja e PD-së ka ngritur shqetësimin se “si mundet ky ministër të promovojë Vetting-un kur ky personalisht nuk e kalon vetë Vetting-un, për ligjin antimafia” .
Ajo ka përfunduar së thënuri se e gjitha kjo është një situatë anormale, ku gjithkush ka të drejtë të ndihet i pasigurt. Sa i takon punonjësve të policisë që do të përfshihen në Vetting, Kadiu u shpreh se ata medoemos që do ndihen të tallur e të ofenduar nga Xhafaj.
s.a/dita
