Maska patriotike e Kryeministrit

editor

Nga mitingu partiak i Vlorës e në vijim, Sali Berisha gënjen vehten se i ka hypur kalit të patriotizmit. Më shumë se vehten Ai përpiqet të gënjejë shqiptarët, duke u shtirur si një patriot i madh, në mos më i madhi që ka njohur historia e Shqipërisë. Edhe pse përpjekjet e tij janë të forta, të shumta e të kushtueshme, deri tani Ai ka dështuar “të veshë xhamadanin Vija-Vija”. Duket që nuk ka mundur dot të dalë mbi zullumet anti- patriotike që ai ka bërë, ndaj përjashto një numër të verbërish politikë, vështirë të gjesh shqiptar që të besojë këtë “furtunë patriotike” të Kryeministrit.
Ngjarjet janë të kohës së re, të gjitha pas viteve 1990 dhe kanë lënë gjurmë të thella në kujtesën e historisë të këtyre viteve; janë ngjarje që u kanë kushtuar shumë shqiptarëve, cështjes shqiptare dhe shqiptarizmit. Barra e zullumeve përmbledh mijëra jetë shqiptarësh të humbura, rrënim e shpërngulje shqiptarësh nga trojet e tyre; përbaltje të lëvizjeve patriotike e sidomos të luftës çlirimtare të Kosovës, të luftëtarëve dhe të njësive luftarake që e bënë këtë luftë; faljen e trojeve të Shqipërisë; rëndimin e trojeve shqiptare me varre për heronj grek të sajuar; venitjen e shpresave të shqiptarëve për të qenë antarë të familjes europiane etj….
Barra e zullumeve nuk ka rënduar vetëm mbi shqiptarët brënda dhe jashtë kufijve shtetëror. Ajo ka rënduar edhe mbi popujt fqinjë, sidomos mbi kurrizin e kroatëve dhe boshnjakëve. Do të numuroj pak prej bëmave “patriotike” të Kryeministrit, duke shpresuar që shqiptarët t’i kthehen kujtesës dhe të vlerësojnë çfarë ka ndodhur në fakt. Vetëm kështu do të mund ti shpëtojmë propagandës mbi gjoja patriotizmin e kryepushtetarit.

Patrioti anti-Embargo
Kur krisja e ish-Republikës Federative të Jugosllavisë u konkretizua me një luftë të hapur mes Kroacise dhe Serbisë, mes Bosnjë Hercegovinës dhe Serbisë dhe mbajtjen në shtypje, dhunë e terror të Kosovës me pavarësi të shpallur, – e gjithë bota e qytetëruar iu kundërvu Serbisë. Embargoja e vendosur ishte mjeti efikas për të zvogëluar e shterruar fuqinë e makinës ushtarke të ish-Jugosllavisë që e trashëgoi Serbia. Shqipëria e theu këtë embargo ndaj Serbisë. Sasia e karburantit që ka kaluar nga Shqipëria për në Serbi ka qenë dhjetra e dhjetra milionë ton, aq sa makina ushtarake serbe krijoi rezerva karburanti edhe për të luftuar në Kosovë ku bëri masakra të pashëmbullta siç dihet. Kryeministri i sotëm, ish-President i Shqipërisë në atë kohë, ka pranuar se ka lejuar thyerjen e embargos ndërkombëtare. Rrallë shqiptar budalla mund të besojë se thyerja e embargos bëhej në favor të shqiptarëve në Kosovë apo të kroatëve dhe boshnjakëve që masakroheshin dita ditës nga makina ushtarake e Milloshevicit, fuqia e së cilës buronte nga nafta shqiptare!… Makina luftarake e Milloshevicit, e ushqyer nga karburanti kontrabandë prej Shqipërisë, përmes një lufte te egër e të pashëmbullt në fillim masakroi kroatët, boshnjakët dhe së fundi keru krime të papara ndaj shqiptarëve të Kosovës. Nuk di sa patriotike tingëllon kjo histori dhe popujt e lartë përmundur a do të mund ta gëlltisin ndonjëherë për patriotizëm këtë akt!.. Ajo çka ndodhi në Ballkan në ato vite të afërta , për popujt e prekur realisht ishte një luftë e “tretë botërore”. Shqipëria duke ndihmuar makinën luftarake të Milloshevicit u radhit në anën e agresorëve. Foshnjat e atyre ditëve sot janë burra e gra të traumatizuara nga tmerret e asaj lufte nga më kriminialet që ka parë historia e Ballkanit.

Patrioti anti-UÇK
Me lindjen e embrioneve të njësive të Ushtrisë Clirimtare te Kosovës, pushtetit ushtarak të Serbisë filloi t’i rishfaqej makthi që shpejt iu kthye në një tmerr. Këto njësi politika zyrtare e Serbise i quajti forca irredentiste, çeta marksiste leniniste ithtarë të Enver Hoxhës etj… I tillë u quajt emblema e UCK dhe krenaria mbarë shqiptare Adem Jashari dhe mbështetësit e tij të cilët familiarisht u sakrifikuan me shpirt, jetë e pasuri për Pavarësinë e Kosovës.
Qëndrimi i Shqipërisë zyrtare? Ishte heshtja! Madje media pranë shtetit nuk ka munguar të perifrazojë asokohe edhe qëndrimin zyrtar të propagandës së Milloshevicit. Nuk e di si do të jetë ndier Heroi Kombit Adem Jashari kur ish- Presidenti memec vuri lule mbi varrin e Tij. Balta e varrit do ti jetë ndier si asnjë herë tjetër më e rëndë dhe lavdia e Tij do të jetë plagosur pas lufte.
I pashëmbullt ishte qëndrimi i Kryeministrit të sotëm, ish krye-opozitar ne atë kohë, edhe për takimin e Rambujesë. Mos marrja në kohë e vendimit të propozuar nga Diplomacia amerikane dhe Europiane, kushtoi nijëra e mijëra viktima kosovarësh dhe finalizoi genocidin e ëndërruar nga nacional shovistët serbë të të gjitha kohrave. Nuk di a ka dhimbje shpirti i Kryeminstrit të sotëm, për gjithë çfarë iu ndodhi shqiptarëve të Kosovës në ato pak javë tragjike e të dhimbshme?!

Patrioti i Paktit Detar
Po kaq “patriotike” janë bëmat e Kryeministrit brënda kufijve shtetërorë të Shqipërisë. Kurrë më shumë nuk e kam parë të ngazëllyer fytyrën e Kryeministrit se sa në momentin kur ish-Ministri i Jashtëm Basha firmosi me ish-Ministren e Jashtme Greke Bakojanis Marrëveshjen famëkeqe të gjoja rregullimit të kufirit detar mes dy vëndeve!… Nëse nuk besoni gjeni mundësinë për t’i rishikuar ato caste ngazëllimi të të dy delegacioneve të nivelit kryeministror. T’i lutemi medias televizive t’i rishfaqi ato çaste turpërimi e tradhëtie ndaj shqiptarëve. A mund të quhet qëndrim konstruktiv dhe patriotik, akti që fal qindra kilometra katrore territori të Republikës së Shqipërisë?! Nëse ky akt i turpshëm  e anti kushtetues merr çmim patriotik, atëhere Kryeministri i sotëm le të klasifikohet si patriot!…

Patrioti i varrezave false
Është për të qeshur dhe për të qarë, kur shikon se varrezat për luftëtarët grekë në Shqipërinë e jugut janë më të shpeshta për kilometër katror se sa edhe brenda Greqisë.  Dhe e gjithë kjo ka ndodhur nën kujdesin dhe bekimin e Kryeminstrit të sotëm. Shikoni sa “lart dhe larg” shkon patriotizmi i Tij. Vështirë të gjesh një homolog të Kryeministrit tonë në rajonin e afërt apo në të gjithë botën njerëzore. Kryeministri iu ka lidhur një zinxhir nacionalist në këmbë brezave që vijnë, më shkoqur ka hapur një derë për pretendimet e nacionalistëve grekë ndaj të ashtuquajturit Vorio Epir. Është e rëndë, por Kryeministri me shpurën e ministrave të jashtëm 2007-2011 e kanë bërë edhe një veprim të tillë.

Nuk ka rëndësi numri...
Numurova pak nga bëmat “patriotike” të Kryeministrit, sepse ato janë më shumë. Rëndësi nuk ka numri i tyre, por kostoja e tyre që siç thamë është shumë e madhe. Kur bëma të tilla bëhen nga një Kryeministër, President apo politikan i lartë ato marrin tjetër vlerë dhe quhen tradhëti. Dhe kur Aktori kërkon të marrë dicka që nuk e meriton, atëhere memoria e popullit duhet kthjelluar. Me sa duket duhet t’ia kujtojmë shpesh Aktorit se çfarë ka bërë. Por jo vetëm kaq. Është e rëndësishme t’i kërkojmë Aktorit të zhbëjë ato që ka bërë. Aktorëve të tillë nuk iu vlerësohen deklaratat por faktet dhe veprimet e tyre. Sali Berisha para se bëjë deklarata si këto të ditëve të fundit, le të zhbëjë të paktën këto që numuruam në këtë shkrim. Vetëm nëse Ai bën një gjë të tillë atëherë le ta veshë po të dojë edhe Kostumin e Patriotit.
Ironi e fatit është që edhe me maskën që ka vënë së fundi, sërish dëm i solli Shqipërisë. Për herë të parë në tekstin e raportitt te BE, Shqipëria do të shpotitet fort për nacionalizëm të sëmurë, çka nuk e ka dhe nuk e meriton. E pra edhe me Maskën Patriotike, produkti doli jo patriotik!… Është fat i keq për Kryeministrin, apo është ai vetë që i gatuan këto prapësi?

Share This Article
2 Comments
  • E ke shkruar bukur, nje pasqyrim real i veprave “patriotike” te Sali Berishes ne sherbim te Greqise e Serbise dhe kunder Shqiperise

  • mos dil ne gjueti vetem se e peson si kosta trebicka
    mos mbaj makine qe punon me gaz te lengshem se e peson si mero baze

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *