Sandro Rosel, presidenti i Barcelonës, është nën hetime nga autoritetet braziliane për shkak të përfitimit të paligjshëm financiar në dëm të këtij shteti. Nëse shpallet fajtor ai mund të dënohet me 8 vjet burg. Emri i Roselit doli në sipërfaqe gjatë hetimeve të prokurorisë braziliane ndaj ish-presidentit të federatës braziliane, Ricardo Texeira. Kompania Ise, e cila është përfaqësuese ekskluzive e të drejtës së organizimit të ndeshjeve miqësore të kombëtares së Brazilit nga viti 2006, gjatë disa viteve ka paguar në emër të kompanisë UDC rreth 11 milion dollarë. Selia e UDC gjendet në SHBA, ndërsa si pronar figuron Rosel. Media braziliane shkruan se të dy janë miq të vjetër, që nga koha kur Rosel drejtonte degën braziliane të kompanisë Nike.
