Bashkim Dedja është kryetari i Gjykatës Kushtetuese që do të përballet të premten me procesin e vettingut.
Më poshtë do të njiheni me analizën e deklaratave të pasurisë së tij, e cila është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.
Raporti është prodhuar nga BIRN pas administratimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI.
Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Bashkim Dedja zotëronte një pasuri prej 2.49 milionë lekësh në vitin 2003, kur deklaroi për herë të parë pasurinë. Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e tij rezulton të jetë rritur me 17.3 herë në krahasim me vitin fillestar, duke kapur vlerën e 43.2 milionë lekëve.
Të ardhurat familjare të krijuara gjatë viteve 2003-2017 janë në vlerën e 31.8 milionë lekëve dhe përbëhen në 85.4 për qind nga paga dhe shpërblime nga funksioni, 10.8 për qind nga paga e bashkëshortes, 2.6 për qind nga mësimdhënia dhe 1.2 % nga të ardhura të tjera.
Pasuria familjare e gjyqtarit Dedja përbëhej në fund të vitit 2017 nga rreth 274,524 lekë llogari bankare, 200,000 lekë kursime në cash, 41,3 milionë lekë pasuri të paluajtshme dhe pasuri të luajtshme në vlerën 1.3 milionë lekë.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin artimetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq” që identifikohen gjatë kontrollit.
BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik mbi 14 deklaratat e gjyqtarit Dedja, ku njëra rezultoi me probleme.
U identifikua si “flamur i kuq” mosmbulimi i shtesës së pasurisë në vitin 2013 në shumën 894,467 lekë, pasi konstatohet se subjekti deklaron si burim për blerjen e apartamentit dhe garazhit një hua të marrë nga vëllai dhe kunati, por nuk saktëson sa është kjo shumë. Është e paqartë nëse ky informacion është dhënë në pjesën konfidenciale të deklaratës, të cilën BIRN nuk e disponon.
Gjithashtu, një tjetër flamur i kuq që shfaqet në deklarimet e pasurisë së gjyqtarit Dedja është rritja e vlerës së pasurive të paluajtshme në vitin 2011, e cila është rezultat i rivlerësimit (14,3 milionë lekë).
Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Bashkim Dedja nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.

Ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo mbulohet me burime të ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik.
s.a/dita
