
Nga Vangjush Ziko
I dashur Moikom,
Tema e përkthimit është një temë interesante.
Për këtë ka shkolla dhe opinione të ndryshme.
Procesi i përkthimit, për mua, është, mbi të gjitha, mjeshtëri.
Si çdo mjeshtëri, ka në bazë përvetësimin e një zanati.
Si në çdo zanat, përvoja është kryesorja.
Zbulimi i sekreteve dhe teknikave të caktuara të një diçkaje të krijuar nga një mjeshtër.
Mjeshtërinë e përkthyesit unë do ta përqasja me mjeshtërinë e aktorit, mjeshtërinë e këngëtarit, të instrumentistit, që interpreton një tekst, një karakter, një melodi, një partiturë.
Pra, rikrijimin e një diçkaje të krijuar jo prej tij.
Dhe kjo, patjetër, kërkon një prirje, një talent, që në thelb ka imitimin.Poezia është gjinia letrare më e vështirë për t’u përkthyer, për t’u rikrijuar në një gjuhë tjetër.
Vështirësia e parë lidhet me specifikën gramatikore, me morfologjinë, sintaksën, semantikën, anën tingullore të gjuhës, sa e afërt apo sa e largët është gjuha e përkthimit me gjuhën e origjinalit.
Vështirësia tjetër lidhet me stilin e autorit, me filozofinë e tij krijuese, me temperamentin, me preferencat e tij stilistike dhe estetike, me teknikën e tij krijuese (vargu, metri, ritmi, rimat).
Asnjë përkthim, sado i përsosur qoftë, nuk ia kalon dot origjinalit, është vetëm një kopjo e tij relative.
Prandaj lind mundësia dhe domosdoshmëria e shumë përkthimeve të një autori.
Ashtu siç ka shumë interpretime apo venie skenike të një drame, të një kënge, një opere apo të një simfonie.
Në përkthimin e një poezie mund të preket vargu, metri, rima, por kurrë ritmi dhe figutacioni.
Rima është e diskutueshme.
Kjo është në vartësi të funksionit që i ka caktuar poeti.
Rimat që janë në funksion të melodisë dhe të harmonisë stilistike, të muzikalitetit, që lidhen me ëmbëlsinë lirike të stilit, apo rimat gjëmimtare që shoqërojnë kreshpërimin e ndjenjave apo hapin marcial të mendimeve.Kur është e pamundur që të arrihen, janë një therori e dhimbshme, por e pashmangshme për të promovuar një poet në një gjuhë tjetër; çdo ngjizje artificiale, mekanike e rimës, e shvlerësojnë, e asgjësojnë origjinalin.
Rima është thembra e Akilit e çdo përkthimi.
Ky mendoj, i dashur Moikom, është fati i Lasgushit tonë dhe i Majakovskit.
Ti ke arritur thelbësoren e thelbësores: figuracionin futurist dhe ritmin muskuloz të poezisë së Majakovskit ne librin tend ,POEZITE FUTURISTE TE MAJAKOVSKIT, botim i ZENIT, 2018.
Rimat e Majakovskit janë vërtet të jashtëzakonshme, në harmoni me figuracionin e tij hiperbolik dhe me ritmin dinamik të poezisë së tij.
Rimat novatore të poezisë futuriste të Majakovskit janë në përputhje me figuracionin e tij ekstravagant.
Ato përputhen me dinamikën e emocioneve të tij të jashtëzakonshme duke i përmbyllur ato me asociacione adekuate, si tamburi në këngët marciale.
Rimat e tij nuk janë përputhje e zakonshme e zanoreve dhe bashkëtingëlloreve, por asonanca diftongjesh të dy fjalëve. Majakovski ndjek modelin e “çastushkave”, këngëve popullore ruse.
Po të sjell ndonjë shembull (rusisht sigurisht): “noski’ poda’reni”/ “naski’peda’reni”; no’ç njikem/pozvono’çnji’ke; shago’v mnu/ Go’fmanu; u’lici u’zki/ kro’vi sgu’stki… Këto rima mbajnë tempin “oratorik” të poezisë së Majakovskit, poezi e një tribuni.
Te fala, Vangjushi, 25 QERSHOR 2018, Kanada
POEZI TË VLADIMIR MAJAKOVSKIT
DIÇKA PËR PETERBURGUN
Çatia qan me lotë në ulluk,
Në mëngën e lumit vija heq.
Qielli me buzët po nduk
Thithat e gurtë përmbi qytet.
Qielli i ngopur vërshon
Drejt pjatës së detit të nderë,
Çobani i qullur po çon
Gamilen gungaçe të Nevës.

PORTI
Çarçafi i ujit rrihte barkun
Dhe grisej mbi dhëmbin e bardhë,
Sirena klithte me zë të zvargur,
Kujtonte dashurin’ e marrë.
Dhe varkat strukeshin pas skele,
Gjirin e hekurt thithnin me shije,
Digjeshin zjarr vëthkat çengele
Në veshn’ e shurdhër të anijeve.
A MUND TA BËNIT JU
E leva hartën e së përditshmes,
Bojën e gotës mbi të derdha
Dhe përmbi pelten e lëvizshme
Nofulla detesh ju rrëfeva,
Luspat e peshkut të metaltë
Më pëshpëritën mua një kumt.
Po ju
a mundet
të loznit, vallë,
Me flautin e ullukut një nokturn?
MERRENI
Rrugës së pastër pas një ore
Do rrjedhë dhjami juaj njerëzor,
Hapa kutizën time vjershërore,
Jam lëmsh fjalëvyer dhe tranzistor.
Ti, zotëri, ke në mustaqe copra lakre
Nga supa e pangrënë gjer në fund,
Ti zonjëz e fundosur në të bardha
Ke nxjerrë atë kokën si molusk.
Në fluturzën e zemrës poetike
Rëndoni ju e ndotur me galloshe.
Turma egërsohet kaq nevrike
Si një morr heq këmbët hosh.
Po qe se unë huni kaq brutal,
S’ përdridhem para jush sot,
Qesh dhe ju pështyj mu në surrat,
Unë lëmshi fjalëvyeri tranzistor.
JUVE
Juve që shkoni jetën në orgjira,
Në banja e klozete aq komode,
Si s’ kini turp që me aq dëshirë
Lexoni në gazetë kush do dekorohet.
E dini ju të shumtët të paaftë
Që mendjen kini vetëm në e ngrëna,
Ordinancës së atij që merr dekoratë,
Në këtë çast iu pre këmba.
Në qoftë se ai që po jep shpirt,
Ju sheh nga shtrati i plagëve,
Si ju me buzët lyer si shirit
Këndoni në marshim veç Severjanin.
Ia vlen të japësh jetën për ju
Të dhënë veç pas pjatave dhe grave?
Më mirë kamarjer në bar të hyj
Kurvave t’ u jap lëng bananesh,
TË DASHURUARIT
ia kushtoj këto vargje autori
Katër,
Katër goditje grusht.
“Jepi Cezarit të tijën, Zotit ç’ i takon”.
Po unë ku,
ku të përplasem, te kush?
Ku ta ngre strofkën?
Sikur të isha picirruk,
si Oqeani i qetë,
mbi maja valësh do ngrihesha
të përkëdhelja hënën me baticën.
Ku ta gjej një të dashur si dhe vetë?
Atë s’ do ta nxinte ky qiell i grimcët,
Po të isha i varfër si miliarderi?
Ç’ i duhen paratë shpirtit.
Ka brenda një hajn të pangopur.
Hordhisë së pasionit tim, që ha frerin,
ari i Kalifornisë s’ kish për t’ i sosur.
Po të isha Dante
a Petrarkë belbak,
vetëm pas njërës të digjesha.
T’ i thosha; në vargun tim rri e u kalb.
Po fjala,
dashuria ime
është hark triumfal
i zhurmshëm,
dashnorët e gjithë shekujve
do kalojnë pa lënë gjurmë.
O, po të isha shqerkë
si bubullima duke psherëtirë,
do përqafoja manastirin e plakur Tokë.
Po të ulurija me zërin tim shpellë,
kometat do këputnin krahët e zjarrtë,
nga pikëllimi do rrëzoheshin poshtë.
Po të isha si dielli,
Me dritën e syve natën do ta çirrja,
Ç’ më duhej mua
pluhurin e ligur të dheut
me dritë ta ngija?
Zvarrë do heq dashurinë time mal.
Ç’ natë e çartur, me ethe,
ç’përbindësh,
ç’ Goliadh
më kanë ngjizur të tillë,
të padobishëm, avdall?
* * *
Vendi im
do desha të më deshte,
Por, dhe po s’ më deshi, eh!
Do kaloj mbi vendin tim
porsi shi vjeshte,
larg e larg
tërthori si rrebesh.
Përktheu: Vangjush Ziko

Ju pershendes me shume rrespekt e kenaqesi ju burra te nderuar te artit te bukur.Mbasi po flitet per perkethimin dhe zihet ne goje edhe Lasgushi yne , une dote thosha se nje dite nga nje pike gjaku shqiptari ketu apo kudo do te ngjizet prape nje “Nol i madh”njohes i gjuhes meme me gjithe sekretet e saj dhe qofte edhe te nje gjuhe te huaj te pranoje e thyeshme si e jona vargun lasgushjan.
Pershendetje!