Edhe një herë për Eseninin…

Ornela

Hej-Esenin-djalosh i ëmbël,
s’u lidhe kurrë me zinxhirë,
e shkove jetën si një ëndërr,
po zgjodhe vdekje të vështirë.

“Nga jeta nuk ke më ç’të presësh,
e jetës s’ke më ç’t’i kërkosh,
nuk është më e re të vdesësh,
e reja është të jetosh!”

S’t’u sosën kurrë margaritarët,
poet i fundit i katundit,
po pse-o mik-preve damarët,
me gjak të thurrje varg’n e fundit?!.

Eh-edhe unë-o mik i vyer,
shpeshherë kam qenë në buzë të varrit,
por vetes paq ia kam kursyer,
dhimbjen e hidhur të damarit.

Kur ende s’kisha të njëzeta,
në çdo qelizë jetën ma prekje,
ndaj plot të mora ty nga jeta,
por dot s’të imitoj në vdekje.

Gjithë jetën mua më ka dhembur,
në shpirt e zemër- dhimbja jote,
më fal-që pranë s’të jam gjendur,
kur ti i’u vodhe kësaj Bote!.

Eh-ç’mrekulli more me vete,
dashnor i zjarrtë i poezisë,
po dhe me aq-në shekuj mbete,
si një magji në mes magjisë.

Zoti po të më ip’ fuqi,
nga gjithë ç’kanë vdekur-një të ngjall,
patjetër do të ngjallja ty,
po më me jetën mos u tall!..

Ti-rus-gjeniu i lavdishëm,
e unë shqiptar e jo më pak,
të dy bëmë vargje të magjishëm,
po jeta na qëlloi farmak…

Në vdekje dot s’të imitoj,
se s’është e lehtë-i shtrënjti im,
më dënoi Zoti të jetoj,
se s’pata kurrë sa ti guxim.

Sikur këtu të rri dhe pak,
Bota asgjë nuk ka se ç’humb,
gotën e jetës-me farmak,
dua ta pi deri në fund…

5 Shkurt 2009

Arben Duka

Share This Article