Telefonata e shumëpërfolur Tsipras-Zaev, lidhur me përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së emrit është realizuar pasditen e së hënës, por nga bashkëbisedimi i dy kryeministrave nuk është prodhuar asnjë lajm.
Sipas zyrës së shtypit të kryeministrit grek, ai që telefonoi ishte shefi i qeverisë maqedonase.
“Komunikimi u zhvillua në klimë të mirë, zgjati një orë dhe nesër do të ketë një telefonatë të re për të finalizuar bisedimet”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të kryeministrit Tsipras.
Tsipras është takuar paraditen e së hënës për më shumë se një orë me ministrin e Jashtëm Niko Kotzias, por kur doli nga selia e kryeministrisë, ky i fundit nuk ka lëshuar asnjë deklaratë.
Ndërsa para disa ditësh dy ministrat e Jashtëm të Greqisë e Maqedonisë deklaruan se e kishin përfunduar punën e tyre dhe se tashmë zgjidhja ishte në duart e dy kryeministrave.
Njoftimi i qeverisë greke u lëshua në të njëjtën kohë që partia “Grekët e pavarur” njoftonte se të martën paradite do të realizojë një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp.
Partia që drejtohet nga ministri i Mbrojtjes, Panos Kammenos, është e vetmja aleate në qeverinë Tsipras dhe qëndrimi i tyre zyrtar është se në emrin e propozuar për vendin fqinj nuk duhet të gjendet termi Maqedoni, apo qoftë dhe ndonjë derivat i saj.
s.a/dita
