Një klient dhe një punonjës i një supermarketi të rrjetit “Leclerc”, të vendosur në La Seyne-sur-Mer, në afërsi të Toulon, janë plagosur me thikë nga një grua që e kreu aktin e rëndë nën thirrjet “Allahu Ekber”.
Sipas Var Matin, ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm rreth orës 10:30, me protagoniste një grua të re, të veshur me të zeza dhe një vello.
Sipas dëshmitarëve, skena fillimisht dukej si një grindje mes konsumatorëve dhe një arkëtar u përpoq të ndërhynte për të zgjidhur situatën.
Por gruaja i nguli thikën, duke thirrur “Allahu është i madh” në gjuhën arabe dhe më pas plagosi edhe klientin me të cilin u duk sikur debatonte.
Ajo u bllokua nga njerëz të pranishëm dhe pastaj u ndal nga policia, duke shmangur një masakër të mundshme.
Punonjësi i supermarketit u plagos lehtë në afërsi të syrit, ndërsa klienti është plagosur në gjoks dhe gjendet i shtruar në spital.
“Ai është jashtë rrezikut”, i tha AFP prokurori i Toulonit, Bernard Marchal.
Policia gjyqësore ka nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe kontekstin e sulmit.
“Është me sa duket fakti i izoluar i një personi me çrregullime psikiatrike të provuara”, tha prokurori.
“Kjo nuk përjashton që ajo të radikalizohet”, theksoi ai.
a.s/dita
