Hanes Halldorson ishte heroi i skuadrës islandeze në takimin ndaj Argjentinës.
34-vjeçari u bë protagonist i disa pritjeve, që kulmuan me pritjen e 11-metërshit të ekzekutuar nga pesë herë fituesi i Topit të Artë, Lionel Mesi.
Por, shtatlarti islandez ka në bagazhin e aftësive të tij, diçka krejtësisht unike nga të gjithë futbollistët në planetin tokë, pasi ai është gjithashtu një regjisor me famë të madhe në vendin e tij.
Ai filloi të luante si futbollist profesionist vetëm katër vite më parë në moshën 30-vjeçare.
Në të shkuarën, islandezi ka luajtur për vite me radhë në kategoritë e ulëta të futbollit islandez.
Në moshën 14-vjeçare Halldorson nxori shpatullën dhe për 5 vite nuk luante dot futboll normalisht, aq sa u detyrua të operohej dhe nuk u bë asnjëherë pjesë e ekipeve të moshave tek Islanda.
Mendoi ta linte futbollin, por babai i tij e nxiti që në moshën 20-vjeçare re provonte sërish. Shkoi tek Leiknir, klub i divizionit të tretë, që e kishte shumë pranë shtëpisë.
Një sezon në stol, derisa në javën e fundit të sezonit do të vinte shansi i jetës, ndeshja e parë në formacion: ishte 5 shtator 2004, Leiknir priste Vikingur Olafsvik dhe ishte finale për ngjitjen një kategori më lart.
Leiknir ishte i dyti, një pikë mjaftonte, ndërsa Halldorson u fut në formacion pa dashje, sepse portieri titullar doli me karton të kuq ndeshjen paraardhëse.
Halldorson e katranosi. Në fundin e takimit bëri një gafë që vulosi fitoren 2-0 të Vikingurit. Mendoi sërish të linte futbollin.
Po merrej me video këngësh që po korrin sukses në Islandë, futbolli nuk i duhej, por sërish babai nuk e lejoi të braktiste gjithçka, edhe pas një aksidenti që i kushtoi një të çarë të frikshme në dorë.
Halldorson mori në telefon gjithë trajnerët e kategorive të ulëta dhe fati i buzëqeshi, Afturelding e punësoi, ndoshta nuk i kishte parë lajmet, ku flitej për gafën e portierit fatkeq.
Me kalimin e kohës ai arriti të bëhej titullar dhe të spikaste, derisa e punësoi Stjarnan, klub i rëndësishëm në elitë, që e paguante rreth 250 euro në muaj. Pas Stjarnanit erdhi kalimi te KR, klubi më i madh në Islandë, ndërsa në vitin 2011 erdhi grumbullimi i parë në kombëtare, sepse vetëm një portier luante jashtë Islandës.
Edhe në divizionin më të lartë të piramidës së futbollit islandez, shumica dërrmuese e lojtarëve luajnë si gjysmë-profesionist, sepse kostoja e lartë e jetesës në shtetin nordik e bënte të pamundur një jetesë të kënaqshme me anë të këtij sporti.
Falë aftësive si regjisor, Halldorson filloi të punonte me televizione dhe kompani të ndryshme, kryesisht me drejtimin e spoteve televizive, dhe maja e tij ishte drejtimi i klipit të këngës islandeze në Eurovizionin e vitit 2012.
Ndërkohë, paraqitjet e mira me kombëtaren tërhoqën vëmendjen e ekipeve nëpër Europë dhe shumë shpejt drejt tij erdhën oferta me paga që i mundësonin më në fund të siguronte një jetesë të kënaqshme vetëm si profesionist.
Megjithatë, ai nuk mund ta harronte profesionin e vjetër, dhe pas katër vitesh pauzë i është rikthyer regjisë me një bashkëpunim me filialin islandez të kompanisë së famshme të pijeve energjetike Coca-Cola, me të cilën ka drejtuar një spot televiziv enkas për Botërorin Rusi 2018, ku janë shfaqur edhe tifozë të ndryshëm të grupimit më të madh të tifozëve të kombëtares.
Mbas ndeshjes 34-vjeçarit iu dhurua çmimi “Njeriu i Ndeshjes”, dhe në intervistën gjatë marrjes së çmimit, gardiani tha:
“Pritja e penalltisë në një Botëror është një ëndërr që mu bë realitet, dhe kjo bëhet akoma më e rëndësishme, pasi na ndihmoi për të siguruar një pikë që na çon akoma më pranë objektivit tonë për të kaluar grupin. I kisha bërë detyrat e shtëpisë, kam parë shumë penallti të Mesit dhe prandaj vendosa të hidhesha në të djathtën time”.
n.s. / dita
