Një problematikë mjaft e shpeshtë që shfaqet tek moshat e rritura janë edhe shqetësimet me shikimin. Inflamacioni i nervit optik është një sëmundje mjaft e zakonshme që shfaqet kryesisht tek këto mosha.
Mjekja Ilda Xhelili tregon për “Dita”, faktorët që ndikojnë në shfaqjen e kësaj sëmundjeje, simptomat paralajmëruese, rrugët se si mund të trajtohet, si dhe masat që mund të merren për ta parandaluar.
“Fjala optik rrjedh nga greqishtja “optikos” që lidhet me shikimin. Në kafkë (cranium) hyjnë e dalin
dymbëdhjetë çifte nervash që quhen nerva kranialë. Ndër këto është dhe nervi optik, i cili renditet i dyti dhe lidh përkatësisht syrin me trurin. Nervi optik mbart impulse të formuara nga retina, e cila përfaqëson shtresën nervore që ndodhet prapa syrit dhe që ndjen dritën dhe krijon impulset. Këto impulse dërgohen përmes nervit optik në tru, i cili i interpreton ato si imazhe”, vë në dukje mjekja Xhelili.
Sipas saj, nervi optik në mënyrë unike është një pjesë e syrit dhe e trurit, teksa nga pikëpamja embrionologjike është i dërguari i trurit në sy dhe nga pikëpamja funksionale është i dërguari i syrit në tru.
Por çfarë është neuriti optik?
Neuriti optik është inflamacioni (infeksioni) i nervit optik. Ai mund të ndodhë tek të rriturit, ose tek fëmijët dhe të përfshijë njërin, ose dhe të dy nervat njëherësh (pra të dy sytë). Zakonisht prek të rriturit e rinj midis 20 dhe 40 vjeç me mbizotërim të seksit femër.
Carë e shkakton neuritin optik?
Shkaku i saktë ende nuk është i përcaktuar qartë, por shumica e rasteve mendohet të jenë një lloj i çrregullimeve autoimune. Në përgjithësi sistemi imunitar i organizmit përdoret për të luftuar infeksionin, duke krijuar një reaksion që lufton bakteret, viruset, kërpudhat dhe proteinat e tjera të huaja.
Në sëmundjet autoimune, ky reagim është i drejtuar gabimisht kundër një pjese normale të trupit, duke krijuar vetë inflamacion dhe dëmtime të mundshme.
Në rastin e neuritit optik, nervi optik bëhet i fryrë (edematoz) dhe funksioni i tij është i dëmtuar duke rezultuar në humbje të shikimit, i cili mund të jetë i përkohshëm, por edhe i përhershëm.
Shpesh neuriti optik është një tregues i sklerozës së shumëfishtë (MS), një sëmundje në të cilën sistemi imunitar sulmon mielinën, mbështjellën e fijeve nervore.
Në rreth 15-20 për qind të njerëzve që zhvillojnë sklerozën e shumëfishtë, neuriti optik është simptoma e tyre e parë. Afërsisht gjysma e rasteve fillestare të neuritit optik supozohet të jetë një reaksion inflamator që zhvillohet një javë deri në një muaj pas një infeksioni viral të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes.
Neuritin optik mund ta shkaktojnë gjithashtu edhe disa infeksione bakteriale (duke përfshirë këtu sëmundjen lyme, ethet e gërvishtjes së maces dhe sifilizin), si edhe infeksionet virale, të tilla si: fruthi, shytat, herpes zoster dhe herpes simplex. Po ashtu sëmundje autoimune, si: Lupus dhe Sarkoidosis ndikojnë në shfaqjen e neuritit optik.
Po medikamentet a ndikojnë?
Kujdes duhet treguar në përdorimin e disa medikamenteve për kohë të gjatë, si për shembull etanbutol, isoniazid (medikamente kundër tuberkulozit), por edhe Viagra, pasi mund ta dëmtojnë nervin optik si rezultat i furnizimit jo adekuat me gjak (ischemia).
Ka gjithashtu një shumëllojshmëri kushtesh që mund të ndikojnë tek nervi optik, duke shkaktuar simptoma siç është neuriti optik. Këto përfshijnë neuropati të ndryshme optike për shkak të infeksioneve, traumave, kushteve të trashëguara, problem toksike, shtypjes së nervave, sëmundjeve vaskulare si edhe patologji të tilla si diabeti dhe glaukoma.
Cilat janë simptomat klinike të neuritit optik?
Simptoma kryesore është çrregullimi i shikimit, zakonisht në njërin sy dhe që varion nga dobësi e
shikimit, deri në verbëri të plotë. Individët e prekur mund të vërejnë gjithashtu vizion të deformuar, pamundësi për të dalluar ngjyrat e caktuara.
Simptomat mund të përkeqësohen nga nxehtësia, ose sforcot fizike. Humbja e vizionit zakonisht është e përkohshme, por mund të jetë e përhershme në shumë raste. Shumica e njerëzve që zhvillojnë neuritin optik përjetojnë dhimbje të syrit që përkeqësohen nga lëvizjet e syve.
Intensiteti i dhimbjes ndjek zakonisht rrjedhën e humbjes së vizionit dhe zakonisht zvogëlohet dhe zhduket brenda një deri katër javëve. Për shkak se neuriti optik zakonisht ndikon në njërin sy, pacientët mund të mos jenë në dijeni të humbjes delikate vizuale (defiçiteve të vogla), ose ndryshimeve vizuale në lidhje me ngjyrat derisa vetë ata, ose mjekët të mbulojnë syrin e shëndetshëm.
Si duhet trajtuar?
Neuriti optik trajtohet me mjekime lokale dhe medikamente të administruara në rrugë të përgjithshme (medikamente nga goja, injeksioneve venoze, ose muskulore), gjithmonë në varësi të sëmundjes bazë.
Ushqimi dhe hidratimi i mirë, shmangia e duhanit dhe evitimi i sforcove fizike dhe mjediseve të tejngrohura, shpesh rekomandohen gjatë fazës akute të neuritit optik. Megjithatë, duhet të jemi të kujdesshëm që në çdo rast trajtimet e rekomanduara të ndiqen deri në fund dhe vetëm sipas përshkrimeve të mjekut specialist.
Cila është ecuria e neuritit optik?
Në përgjithësi, ecuria e neuritti optik varet natyrisht nga shkaku themelor. Shumica e episodeve zgjidhen spontanisht, me kthimin e shikimit brenda dy javësh deri në tre muaj. Por një pjesë e tyre rifitojnë pamjen deri në 6 muaj kohë. Megjithatë rreth 14 për qind e të prekurve do të kenë përsëritje të neuritit optik në syrin e prekur dhe rreth 12 për qind do të zhvillojnë neurit optik në syrin tjetër brenda 10 ditëve.
A mund të merren masa për ta parandaluar?
Meqenëse, pothuaj 50 për qind e neuritit optik ka të ngjarë të jetë rezultat i një reaksioni imunitar post-viral, duke minimizuar rrezikun e marrjes së infeksioneve virale të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes zvogëlohet rrjedhimisht edhe rreziku i zhvillimit të neuritit optik.
Në fakt, është e pamundur që të shmanget plotësisht ekspozimi ndaj viruseve respiratore, por hulumtimet kanë treguar se larja e shpeshtë e duarve dhe përpjekja për të mos prekur fytyrën pa larë duart, e ul incidencën e zakonshme të prekjes nga kjo sëmundje.
Po ashtu, udhëzimet mbi higjienën personale dhe në familje, përdorimi i shamisë kur kollitemi dhe teshtijmë ul gjasat e përhapjes së viruseve edhe më shumë.
Thelbi i mbrojtjes mbetet pastaj trajtimi adekuat dhe në kohën e duhur i sëmundjeve bazë autoimune, me gjithë problematikën e gjerë të tyre. Pranvera Kola/Dita
p.k/dita
