Ministri i Jashtëm i Meksikës, Luis Videgaray i ka kërkuar SHBA-së që të rishqyrtojë praktikën e ndarjes së fëmijëve nga prindërit emigrantë, pasi ky akt është “mizor dhe çnjerëzor”.
Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara i kanë paraqitur masat e ndërmarra si një mënyrë për të penguar hyrjen e paligjshme, por imazhet e botuara këtë javë të fëmijëve dhe të rinjve të ulur në kafaze me dysheme prej betoni në objektet e strehimit, kanë nxitur zemërim.
“Kjo është një shkelje e qartë e të drejtave të njeriut dhe i vë fëmijët, duke përfshirë edhe ata me aftësi të kufizuara, në një situatë të cënueshme”, tha Videgaray në një konferencë shtypi në Meksikë.
Ai shtoi se qeveria meksikane e ka bërë tanimë të qartë qëndrimin e saj përkundrejt administratës së Trumpit.
Në konferencën e mbajtur për shtyp, ai cilësoi gjithashtu se e ka ngritur çështjen edhe me zyrtarë të lartë të Kombeve të Bashkuara, përfshirë këtu Sekretarin e Përgjithshëm Antonio Guterres.
s.a/dita
