Max Weber, në përcaktimin e tij për territorin si “një tërësi fatesh të përbashkëta”, ka shprehur në mënyrë gjeniale gjithë ndërvarësinë komplekse midis një territori dhe njerëzve që e popullojnë atë. Me këtë ai nënkupton se, kush jeton në një territor të dhënë, është i destinuar të jetë i bashkuar me të tjerët në qasjen ndaj mundësive që ofron jeta, dmth punësimit, konsumit, ndërveprimit shoqëror. Sapo viziton një vend të ri për herë të parë, menjëherë e kupton nëse ky vend popullohet nga një shoqëri bashkëpunuese dhe e mirëorientuar drejt zhvillimit apo nga një grumbull njerëzish të cilët i bashkon vetëm rastësia ose dëshira për të pushtuar hapësira me çdo kusht…
Në rastin e parë, territori tenton të zhvillohet duke ruajtur dhe vlerësuar gjurmët e së kaluarës së përbashkët, duke ndërtuar gjithshka të re në harmoni me të shkuarën, me mjedisin dhe peisazhin, me qëllim që të plotësojë kërkesat e banorëve të tij dhe që t’u lerë hapësirë edhe brezave të ardhshëm të shprehin kreativitetin e vet mbi këtë territor.
Dhe ky nuk është as më pak e as më shumë, por zhvillim i qëndrueshëm!
Po ç’ndodh në një hapësirë urbane ku ky tip shoqërie mungon? Kjo hapësirë ngjan me një arenë ku perplasen interesa të shumta banorësh të etur për ”pushtime”, ekspansioni i gjigandëve prej betoni shpërfill çdo lloj rregulli dhe respekti për përmasat njerëzore, ndërtuesit e tyre identifikohen me krijesat e veta, duke bërë demonstrim force në hapësirën e përbashkët! Ndërtimet kanë vetëm një karakteristikë, përmasat gjigande, ndërsa mungesa e plotë e cilësisë dhe stilit i detyrohet mungesës së interesit dhe të kohës në dispozicion, pasi qarkullimi i parasë duhet të jetë sa me i shpejtë, pasi pyetja “si?” nuk bëhet kurrë, por vetëm “sa?”.
Agresiviteti që transmeton një qytet i tillë, ngushtimi përherë e më i dhunshëm i hapësirës së përbashkët, ushtron presion të madh mbi banorët, veçanërisht mbi ata që nuk arrijnë dot të jenë pjesë në këtë garë frenetike. Kësisoj, ata ankohen parreshtur për qeverisjen e gabuar (dihet që çdo padrejtësi na ofendon, kur prej saj nuk përfitojmë dot gjë!) pa marrë parasysh faktin që qeverisja, institucionet, janë pjella të kulturës së këtij kombi, produkt i këtij shtrati shoqëror dhe në këtë rreth vicioz është tepër e vështirë të gjesh rrugëdalje!
Është e qartë se nuk flasim për ndonjë vend në planetin A 64!
Është vendi ynë, janë qytetet tona që mbartin këtë stuhi zhvillimi, këtë energji që ka sjellë ndryshim të madh, por që nuk mund të quhet progres kurrësesi!
Një dritë shprese vjen nga struktura e re e qeverisjes! Krijimi i Ministrisë së Turizmit dhe Zhvillimit Urban nënkupton ndërgjegjësimin nga lart të faktit që turizmi dhe zhvillimi urban janë në korelacion me njëri-tjetrin.
Turizmi gjeneron zhvillim urban dhe anasjelltas, zhvillimi urban sjell zhvillim të turizmit në mënyrë të pashmangshme. Por cili është cepi nga ku duhet filluar, çelësi që do të hapë këtë rreth vicioz dhe do të çojë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm urban dhe turistik?
“The Travel and Tourism Competitiveness Report 2013” tregon më së miri diagramën rënëse të turizmit në Shqipëri; ky raport vërteton me shifra atë që, çdokush që ka sy të shikojë, e konstaton lehtësisht me sy të lirë: në rankimin botëror Shqipëria në dy vjetët e fundit kalon nga vendi i 71 në vendin e 74 në botë.
Natyrisht që duhet vizion, natyrisht që duhen strategji kombëtare dhe plane konkrete veprimi, masterplan kombëtar i zhvillimit te turizmit, që duhet një ligj i ri sa me parë për turizmin, që duhet marketing territori, por, më tepër se gjithshka, duhet vullnet për t’i respektuar!
Më tepër se gjithshka duhet kuptuar se, pa një ndërgjegjësim të komuniteteve që popullojnë zonat turistike mbi përgjegjësinë e përbashkët për zhvillimin e turizmit, ky i fundit nuk mund të ketë të ardhme.
Administrata publike, pushteti vendor, operatoreë turistikë, sipërmarrësit, banorët lokalë, pra, të gjithë aktorët duhet të bashkëpunojnë me njëri tjetrin dhe të krijojnë një sistem të integruar për vlerësimin e territorit në një perspektivë afatgjatë dhe me objektiva për cilësi mjedisore, social-kulturore dhe ekonomike.
Nëse nuk mbahen parasysh këto prioritete dhe nuk proçedohet me realizimin e tyre, rrezikohet që turizmi të shndërrohet në një thikë me dy presa, që, nga njëra anë sjell përfitime dhe nga ana tjetër shkatërron identitetin territorial, mjedisin në të cilin zhvillohet, pra, si rrjedhim, vetveten.
Kjo ka ndodhur tashmë tek ne, për fat të keq! Zhvillimi i turizmit të mases ka ndikuar definitivisht peisazhet e fronteve ujore me ndërtesa të larta, me cilësi mesatare dhe të ulët! S’na mbetet gjë tjetër veçse të riparojmë çka është e mundshme të riparohet dhe të ndërhyjmë atje ku ka sadopak mundësi për ndërhyrje!
Nëse dëshirojmë me të vërtetë një zhvillim të qëndrueshëm urban dhe turistik, nuk ekziston një rrugë e shkurtër, e vetmja rrugë është edukimi.
Vetëm nëpërmjet edukimit, të materializuar në veprimtari konkrete, mund të arrijmë që vendi ynë të realizojë gjithë potencialin e tij turistik dhe të ketë një zhvillim të qëndrueshëm.
Edukimi duhet të fillojë me dashurinë për territorin në të cilin jeton. Çdokush duhet të ndihet i privilegjuar që është qytetar i një vendi me histori mijëravjeçare, plot monumente magjepsëse të së kaluarës historike, me një vendndodhje të lakmueshme gjeografike nga pjesa më e madhe e popullsisë së globit.
Prania e monumenteve të historisë e arkeologjisë të shumë qytetërimeve duhet të edukojë një vetëdije kolektive që duhet të përkthehet në përgjegjësi të madhe qytetare ndaj kësaj trashëgimie të çmuar kulturore. Potenciali i madh turistik që ofron kjo trashëgimi, e pashfrytëzuar dhe e keqpërdorur në mjaft raste, pikërisht për shkak të mungesës së këtij edukimi, duhet të shndërrohet sa më parë në burim të fuqishëm zhvillimi ekonomik dhe social të banoreve, si burim për permirësimin e jetës në hapësirën urbane.
Në vend të konsumizmit pa fre duhet edukuar përdorimi i kujdesshëm i burimeve, në vend të ndërtimeve, mirëmbajtja dhe restaurimi.
Ne programet shkollore duhet të përfshihet, bashkë me njohjen e vendlindjes, edhe aftësimi i të rinjve për të bërë guidë turistike për të huajt që vizitojnë qytetin, në gjuhët më të njohura europiane.
Meqenëse kënaqësia dhe ndjesia pozitive e turistëve vizitorë është një kredi që kthehet në përfitim për qytetarët e çdo qyteti turistik, gatishmëria për të kontribuar në ofrimin, qoftë edhe vullnetar të këtij shërbimi, duhet kultivuar tek të rinjtë.
Edukimi i një sjelljeje qytetare të orientuar nga parimet e zhvillimit të qëndrueshëm i përgatit të rinjtë për të përballuar sfidën mjaft të vështirë të vënies së interesave të së nesërmes mbi ato të së sotmes, të sakrifikimit të përfitimeve të shpejta ekonomike të një brezi në favor të brezave të ardhshëm, të zgjedhjes së një rritjeje graduale, por të sigurt, në vend të një rritjeje të shpejtë e të pasigurt dhe me pasoja te pariparueshme për të ardhmen.
Edukimi dhe ndërgjegjësimi për cilësinë mjedisore duhen bërë, krahas njohjes së komuniteteve me të drejtën mjedisore për pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje, për të gjitha ndërtimet apo aktivitetet me impakt mjedisor.
Ky vend nuk është prona jonë, atë ua kemi borxh fëmijëve tanë, të cilët s ‘kanë nevojë për paratë e trashëguara prej nesh, por për një hapësirë urbane të shëndetshme, në të cilën mund të ndërtojnë ëndrrat e tyre.
Brezi i ri duhet të edukohet që ndërtimi nuk është i vetmi biznes fitimprurës, ndërkohë që impakti negativ i tij është tashmë i qartë për të gjithë; brenda një vendi si Shqipëria ka mundësira të pafundme për të zhvilluar biznese inteligjente dhe zhvilluese për qytetet tona. Në një vend që zhvillon turizëm të qëndrueshëm ka vend për artizanatin dhe kulinarinë, për historianë dhe muzeologë, për artistë tradicionalë dhe bashkëkohorë, për analistë dhe financierë, për arkitektë dhe restaurues, për guida turistike dhe shërbime të ndryshme, për informatikanë dhe specialistë të marketingut, për animacion dhe punë didaktike, pra për shumë veprimtari, jo vetëm fitimprurëse, por edhe mjaft kreative, të cilat krijojnë zhvillim dhe sjellin kënaqësi në hapësirën urbane, duke e bërë atë përherë e më tërheqëse për vizitorët.
Politikat zhvilluese që mbeshtesin këtë lloj fryme do ta shndërronin çdo hapësirë urbane me potencial turistik, nga një arenë garash të shfrenuara ndërtimesh, në një subjekt kolektiv, të aftë të koordinojë, të ndërtojë dhe të drejtojë strategji zhvillimi ku bashkohen interesat e të gjithëve.

Te lumte pena Antigoni! Ky eshte thelbi i nje ceshtje, qe ne shqiptaret nuk e kami kuptuar dhe si rrjedhoje nuk e aplikojme.
Shume shkrim i mire. E ndaj cdo fjali dhe iu uroj suksese!
Shume e vertete Goni! Por qe te ndergjegjesohen nje pjese e mire e shqiptareve duhet te veproje ligji, drejtesia e cila ka ne qelize korrupsionin. Nje pjese te shqiptareve i shikojne syte dhe marrin fryme vetem me para dhe jane zhveshur nga cdo ndjenje njerezore dhe jo me pyesin per ambjentin. Komplimente per analizen qe ke bere, ke qene gjithmone vajze e zgjuar.