Pranvera Kola
E ndërsa i nxehti ka nisur tashmë, duhet të jeni shumë të kujdesshëm në marrjen e masave të duhura për mbrojtjen e lëkurës nga rrezet e dëmshme të diellit. Në një kohë kur temperaturat pritet të pësojnë tjetër rritje gjatë ditëve në vijim, si dhe pushuesit t’i drejtohen në masë plazhit, autoritetet e Institutit të Shëndetit Publik apelojnë për më shumë kujdes në mbrojtjen e lëkurës nga rrezet e dëmshme të diellit. Apeli për këtë vit vjen veçanërisht në drejtim të aplikimit të kremrave mbrojtës, të cilët janë vendimtarë në shmangien e sëmundjeve të rënda të lëkurës.
Ekspertët e shëndetit publik këshillojnë që të vendosni kremin e diellit të paktën çdo 15 minuta para se të dilni në plazh. Duhet të jeni të kujdesshëm në zgjedhjen e kremrave me faktorë të lartë mbrojtës, të cilët duhet të kenë të specifikuar në mënyrë të dukshme mbrojtjen që ofrojnë ndaj rrezeve të dëmshme UVA dhe UVB. Ndërsa në rastet kur jeni në punë, apo duhet të lëvizni, si shkak i djersitjes së shumtë është e nevojshme që aplikimi i kremit mbrojtës të bëhet të paktën çdo 60 minuta. “Mos harroni që dielli reflekton si në rërë, ashtu edhe në ujë.
Ky reflektim mund t’i bëjë rrezet 80 për qind më intensive, duke shtuar kështu edhe riskun për djegie, apo ndërlikime të tjera, rreziku i të cilave mund të shkojë deri në kancer të lëkurës (melanoma)”, bëjnë me dije autoritetet e ISHP-së. Një tjetër këshillë që nuk duhet neglizhuar është edhe kujdesi me solaret për nxirje. Këto të fundit po konsiderohen në masë si një rrezik potencial për zhvillimin e kancerit të lëkurës. “Nxirja nëpërmjet solareve shton rrezikun për shfaqjen e melanomave deri në masën 75 për qind” bëjnë me dije ekspertët e shëndetit publik.
Gjithashtu masa të tjera që duhet të merrni janë edhe mbajtja e syzeve të diellit dhe lenteve që ofrojnë mbrojtje të lartë, përdorimi i kapelave me streha. E mira do të ishte nëse ju arrini të shmangni qëndrimet në diell veçanërisht gjatë orëve 11:00-16:00. Kjo pasi, sikundër e theksuam edhe më lart, ekspozimi i pakujdesshëm dhe i papërgjegjshëm mund të ketë pasoja negative të tilla si djegie nga dielli, dhe në një afat kohor më të gjatë fillimin e tumoreve, përfshirë melanomat.
Grupet më të rrezikuara
Përveç të moshuarve, grupe të rrezikuara nga dëmet e të nxehtit janë edhe fëmijët, foshnjat, të sëmurët kronikë, personat të cilët duhet të jenë të shoqëruar me kujdestarë, dhe ata që kryejnë aktivitete fizike jashtë. Simptomat e të nxehtit të tepërt janë: ngërçet, edema, skuqja e lëkurës, goditja nga i nxehti dhe dehidratimi.
I nxehti mund ta komplikojë situatën e pacientëve që vuajnë nga hipertensioni, nga problemet e zemrës dhe insuficienca renale, ose që përdorin ilaçe që përkeqësojnë efektet e goditjes së të nxehtit. Ndër shenjat paralajmëruese që duhet të mbahen parasysh tek të moshuarit janë: zbehja, marramendja, të vjellat, pulsi i dobët, temperatura e ngritur.
Për të qetësuar këto simptoma tek kjo kategori, si masë paraprake është mirë të errësohen dhomat dhe hapësirat e përbashkëta, të mbahet një temperaturë me ajër të kondicionuar jo më poshtë se 25° C, të kontrollohet hidratimi, tensioni dhe temperatura e të moshuarit.
Ndërsa për fëmijët këshillohet që të bëni kujdes dhe të mos i ekspozoni në diell deri në moshën gjashtë muaj, të përdorni kapelë me strehë të gjerë për të gjitha moshat, t’u lagni flokët shpesh, u vini syze dielli me filtra të veçantë mbrojtjeje, të certifikuar me markën CE, si dhe të përdorni produkte për fëmijë me faktor mbrojtës jo më pak se 20. Në javën e parë të ekspozimit në diell përdorni produkte rezistente ndaj ujit dhe djersës me faktor mbrojtës jo më pak se 50, si dhe vishuni rroba të gjera prej pambuku, ose liri.
Më të ndjeshëm janë fëmijët e moshës në 0-4 vjeç
Rreziku tek fëmijët, këshillat si t’i mbroni
- Ambientet ku qëndron fëmija duhet të mbahen të freskëta, me temperaturë deri 25 gradë C dhe lagështi normale. Ajrosja duhet të bëhet vetëm në mëngjes herët dhe natën, ndërsa gjatë ditës duhen mbrojtur dritaret e ekspozuara ndaj diellit.
- Vishini fëmijët me veshje të pambukta, të lehta dhe të gjera.
- Kontrolloni rregullisht temperaturën e trupit të foshnjave dhe fëmijëve të vegjël, nëse nevojitet, rifreskoni trupin e tyre me një dush të ngrohtë ose leckë të lagur.
- Jepuni të pinë ujë, por jo të ftohtë, më mirë ujë natyral sesa lëngje të tjera, në sasi të vogla, ngadalë dhe shumë herë në ditë, shmangni pijet e gazuara.
- Fëmija që ushqehet vetëm me gji deri në 6 muaj, edhe pse është nxehtë nuk ka nevojë për ujë sepse e merr nga qumështi i gjirit.
- Nëse fëmija ka temperaturë, ai ka nevojë për më shumë ujë.
- Shmangni nxjerrjen e fëmijëve jashtë gjatë orëve të nxehta të ditës, pra nga ora 10:00-17:00. Dëmet e shkaktuara nga rrezet e diellit janë veçanërisht të rrezikshme për foshnjat dhe fëmijët e vegjël.
- Gjithmonë vendosini fëmijës, në pjesët e ekspozuara, një produkt me mbrojtje të lartë ndaj diellit.
- Mbroni kokën e fëmijës tuaj me një kapelë me anë të gjëra që të mbrojë veshët, fytyrën apo hundën.
- Në plazh apo në pishina mbroni fëmijët nga të nxehtët dhe rrezatimi diellor (veshje të lehta, kapelë, produkt mbrojtës); shmangni ekspozimin e tyre në diell.
- Fëmijët nën 6 muaj asnjëherë nuk duhet të ekspozohen drejtpërdrejt ndaj rrezeve të diellit.
- Duhet ta dini se, edhe nën ombrellë ata nuk janë të mbrojtur nga të nxehtët dhe rrezet e dielli.
- Fëmijët më të rritur duhet të shmangin aktivitetin fizik jashtë, gjatë orëve të nxehta.
- Fëmijët duhet të pinë ujë para dhe gjatë aktivitetit fizik, edhe kur luajnë, për të kompensuar humbjet e lëngjeve për shkak të djersitjes.
- Mos i lini fëmijët pa mbikëqyrje në vende të mbyllura, të pambrojtura nga të nxehtët dhe të ekspozuara ndaj diellit, për shembull në tenda apo në makinë, veçanërisht gjatë orëve të nxehta të ditës.
Të mirat e rrezeve të diellit
Të gjithë ne përfitojmë nga dielli dhe i dimë të mirat e tij. Dielli bën të ndihesh mirë, me humor, ndihmon në prodhimin e vitaminës D, etj. Ekspozimi në diell në masën e duhur është i domosdoshëm për shëndetin.
Vitamina D, e cila prodhohet në lëkurë nëpërmjet ekspozimit ndaj rrezeve ultravjollcë B (UVB), rregullon nivelin e kalciumit në gjak dhe është e nevojshme për shëndetin e kockave dhe muskujve. Gjithashtu, për shëndetin e fëmijës dhe për të parandaluar rakitin, janë të mjaftueshme sasi të vogla të rrezeve UV. Rrezet ultravjollcë mund të përdoren edhe si mjekim.
Ekspozimi ndaj rrezeve ultravjollcë këshillohet për disa sëmundjeve të lëkurës, si: dermatitis atopik, psoriaza, puçrrat e adoleshencës, etj. Kërkohet gjithnjë këshillimi me mjekun, sepse ai përcakton kohën e ekspozimit në diell, etj. / DITA
