Sindi Fejzollari sapo ka mbushur 13 vjeç dhe ëndrra e saj është që një ditë të pushtojë pasarelat e modës, jo vetëm si modele, por edhe si stiliste.
Asaj i pëlqen shumë të vishet dhe të veshë të tjerët.
Si fillim këtë gjë e ka bërë me kukullat në dhomën e saj që tashmë është kthyer në një atelie, më pas me vetën, ndërsa tani modelja e saj e preferuar është… mami.
Shpesh i sugjeron se çfarë duhet të vesh në një festë, darkë apo dalje të caktuar.
Sfilatat e para i ka bërë kur frekuentonte kopshtin, më pas në sallonin e shtëpisë, dhe tani ecën me hapa të sigurta në pasarela të vërteta.
Shpesh ajo është bërë pjesë e aktiviteteve të ndryshme që kanë të bëjnë më modën dhe fëmijët.
Herë është thirrur si modele dhe herë si stiliste, pasi Sindi i bën shumë mirë të dyja.
13-vjeçarja, nxënëse e shkollës “Pjetër Budi” në Tiranë ka shumë dëshirë që këtë pasion të sajin një ditë ta kthej në profesion.
“Eko Fashion Show 2018”, një projekt ku ekspozohen veshje të cilat janë të krijuara me materiale të riciklueshme ka qenë një ndër sukseset e saj, si vitin e kaluar po ashtu edhe këtë vit.
Në këtë aktivitet organizuar në fund të muajit maj, një nga modelet që ra në sy ishte edhe Sindi.
Fustan i verdhë, çorape të verdha dhe kapele me po të njëjtën ngjyrë bëri që 13-vjeçarja të ishte një diell i vërtetë në këtë aktivitet.
Sindi është vajza e dy prindërve që me profesion janë policë dhe duket sikur pasioni i saj për modën e zbut disi ambientin në shtëpi.
E ëma, Giljana, e ka mbështetur gjithmonë vajzën në dëshirat që i ka shprehur, por nga ana tjetër e nxit që të jetë një nxënëse e shkëlqyer në shkollë, në të kundërt, nuk do e ketë të lehtë, në çfarë do lloj fushë që do të dëshirojë të ndjekë në jetë.
Sindit i pëlqen shumë edhe të shkruajë.
Bota e saj e brendshme shprehet nëpërmjet shkrimit dhe stilimit të veshjeve.
Është vetëm 13 vjeç dhe nuk e vret kohën pas telefonave dhe rrjeteve sociale, por pas krijimtarisë.
Ky ndoshta është shkrimi i parë që bëhet për Sindin për këtë modele dhe stiliste të vogël, por ndoshta, në të ardhmen, kur të pushtojë pasarelat dhe revistat e modës, do e kujtojë më nostalgji si një moment të bukur në jetën e saj.
e.r/dita



