28-vjeçari që plagosi me thikë dy prindërit e tij këtë të mërkurë, do të qëndrojë në arrest me burg deri në përfundim të hetimeve.
Babai i tij dhe i vëllai kanë deklaruar se situata e ndodhur ka qenë momentale, ndërsa vet Neziri ka dëshmuar se ka pasur mosmarrëveshje gjatë muajve të fundit me prindërit, pasi këto të fundit nuk ia pëlqenin nusen.
“Jam penduar për atë çfarë bëra. Prindërit e mi më përbuznin se kisha zgjedhur për nuse një person që nuk e donin dhe se nuk kontribuoja në familje. Durimi im arriti fundin, më dukej vetja i pavlerë, ndaj reagova me sulm ndaj prindërve të mi”, ka thënë ai përpara trupës gjykuese.
Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës ka shpallur mos kompetencë për gjykimin e çështjes në fjalë.
Seanca për caktimin e masës së sigurisë u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërkohë që, tashmë ajo do t’i kalojë për gjykim të mëtejshëm Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë.
Pra, masa “arrest me burg” është dhënë si masë paraprake, pasi masa pritet të konfirmohet nga Krimet e Rënda.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:45 të datës 20 qershor në banesën e familjes Neziri. Destan dhe Hasie Neziri, 75 dhe 64 vjeç, po ndiqnin ndeshjen e kampionatit botëror të futbollit mes Portugalisë dhe Marokut kur janë sulmuar me thikë nga djali i tyre.
Burrë e grua janë dërguar nga fqinjët në spital në gjendje kritike për jetën.
75-vjeçari ka marrë plagë të rënda në kokë, ndërsa gruaja e tij ka marrë gjashtë goditje në pjesë të tjera të trupit.
Ata u janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale dhe raportohet se tashmë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
