Dy burra të shquar të shkencës, dy humanistë të vërtetë

DITA Online

 

Vendosja e bustit të Eqrem Çabejt përpara Akademisë së Shkencave dhe një homazh për Aleksandër Xhuvanin

Prof. Emil Lafe

Dje në lulishten përpara Akademisë së Shkencave u vendos një bust i gjuhëtarit të mirënjohur Eqrem Çabej (1908–1980), një ndër anëtarët themelues të asaj Akademie.

Skulptori Hektor Dule mori përgëzime të ngrohta për realizimin e arritur figurës së atij dijetari në moshën kur fuqia e gjykimit vjen e bëhet gjithnjë e më depërtuese drejt thellësive të panjohura. Në opinionin e gjerë të vendit e të botës Eqrem Çabej njihet më fort për veprën e tij shkencore themelvënëse në shumë fusha të gjuhësisë shqiptare e sidomos në fushën e historisë së gjuhës. Por ai ka qenë edhe një burrë fisnik me personalitet të lartë moral, me ide e ideale përparimtare dhe me një vetëdije të fortë të përgjegjësisë kombëtare dhe të besnikërisë së palëkundur ndaj popullit e vendit të vet.

Në mars 1980, ndonëse i dobësuar nga sëmundja që do ta ndante nga puna e nga jeta pas disa muajsh, ai gjeti fuqi të shqiptonte vetë, duke qëndruar më këmbë, një fjalë kujtimi e nderimi për kolegun e tij të vyer, prof. Aleksandër Xhuvanin (1880–1961) në konferencën kushtuar 100-vjetorit të këtij punëtori të shquar të filologjisë shqiptare dhe të arsimit kombëtar. A. Xhuvani dhe E. Çabej ishin të lidhur me një bashkëpunim kolegjial shembullor dhe me një miqësi prekëse, ndonëse u përkisnin dy brezave të ndryshëm. Kam pasur fatin, në vitet 1959–1961, që ta vërej dhe ta ndiej nga afër atë lidhje të çiltër kolegjiale e miqësore të këtyre dy burrave të veçantë.

Në fund të fjalës së tij, ku vlerësoi ndihmesat e Aleksandër Xhuvanit në fushën e gjuhësisë historike shqiptare, E. Çabej ravizoi edhe një portret moral të kolegut dhe mikut, të cilin e ka dashur dhe e ka respektuar gjithnjë jo vetëm si mjeshtër të urtë e të ditur, po edhe sipas parimeve tradicionale shqiptare për vlerat e atyre që e kanë shpinën të kërrusur nga vitet dhe nga barrët e detyrave që kanë mbajtur. Fjalët e tij më kanë lënë një mbresë të thellë që atëherë kur i dëgjova së pari në sallën e konferencës dhe më pas duke i lexuar si një mësim që duhet nxënë përmendësh.

Ai tha atëherë: “Personaliteti i Aleksandër Xhuvanit përmban anë njerëzore të forta. Si çdo dijetar i vërtetë, ai ka qenë i rrafshët e i thjeshtë në jetë e në marrëdhëniet e tij me të tjerët. Besnik i parimit tonë për të vënë të gjitha forcat në shërbim të shoqërisë, duke i dhënë gjithnjë më shumë asaj sesa t’i marrë, ai ka vepruar gjithherë ashtu që interesi i përgjithshëm tek ai e ka lënë shumë mbrapa interesin personal, si në jetë, si në fushë të dijes … Ai si njeri mbeti një humanist socialist i vërtetë, një burë përparimtar në kuptimin fisnik të kësaj fjale.”

Të dy këta dijetarë ishin të një brumi. Ata nuk janë një përjashtim në radhët e inteligjencies shqiptare. Janë vetëm dy shembuj nga më të ndriturit. Te ky portret moral i A. Xhuvanit i vizatuar aq mjeshtërisht me fjalë të thjeshta, po të zgjedhura e të ndiera në thellësinë e kuptimeve të tyre, unë shoh edhe vijat themelore të një autoportreti të vetë autorit. Edhe ai mbeti një humanist socialist i vërtetë në një mjedis ku këto fjalë kanë qenë më fort propagandë dhe shumë më pak një realitet i prekshëm.

Nderimi i këtyre dijetarëve të shquar, humanistë socialistë të vërtetë, është një peng moral i shoqërisë dhe i shtetit shqiptar, aq më fort i një shteti të drejtuar nga një parti socialiste. Figurat e tyre duhet të jenë frymëzuese për punë të mira e të dobishme, që të lartësojnë shkencën e kulturën shqiptare. Ato nuk duhet të kthehen në ikona të padëmshme, të idealizuara e të zhveshura nga realizmi i tyre, para të cilave vetëm falemi, kërkojmë ndjesë ose vetëlëvdohemi. Sot shkencat albanologjike dhe institucionet e tyre, që jo rrallë u bënë timare të militantëve e të puthadorëve partiakë, janë larg asaj që duhej të ishin. Në radhë të parë, janë të shpërfillura e të shpërqendruara, ende pa një shtëpi funksionale e të denjë për rëndësinë dhe vlerën e tyre, ndërkohë që në ndërtesa arsimore-kulturore të shtetit lulëzojnë gjithfarë institucionesh universitare private. Së dyti, ato janë pa një program të përcaktuar perspektiv, pa një hierarki detyrash, pa projekte konkrete veprash madhore me rëndësi kombëtare. Të krijohet përshtypja sikur shteti nuk e ka mendjen t’u vërë detyra konkrete shkencave albanologjike dhe as të dëgjojë se çfarë duan të bëjnë dhe mund të bëjnë ato me mbështetjen e shtetit për kulturën kombëtare. Duket sikur gjithë diskutimi po zhvillohet rreth riorganizimit të Akademisë së Shkencave, kur dihet tashmë se ajo Akademi nuk është dhe as mund të bëhet më institucioni më i lartë kërkimor-shkencor i vendit (përcaktim që ka mbetur në Statutin e saj nga koha kur ishte e tillë), por thjesht shtëpia ose shoqata shkencore e akademikëve të zgjedhur sipas të gjitha rregullave që përcakton Statuti.

Thellësia e mendimit të Eqrem Çabejt, ashtu siç e ka plazmuar bukur skulptori, duke depërtuar në thelbin e subjektit të tij, të kujton fjalën e lashtë se rrënjët e dijes janë të hidhura, por frytet të ëmbla. Duhen ndihmuar me sa të jetë e mundur të rinjtë që kanë nisur rrugën nëpër rrënjët e hidhura të shkencës, që të na sjellin fryte të ëmbla. Kërkimi shkencor kërkon organizim dhe planifikim, ngrohtësi shpirtërore, mbështetje e vëmendje të pandërprerë, klimë bashkëpunimi e mirëkuptimi, kushte të përshtatshme për një rendiment pune më të lartë, nxitje për frymëzim. Në punët e organizimit e të drejtimit të shkencës më shumë se kudo vlen fjala e urtë “Mat shtatë herë dhe pre një herë!”

Pjesëmarrja e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e djeshme të përurimit të bustit të Eqrem Çabejt dhe fjala e tij me atë rast janë pa dyshim shprehje e një vëmendjeje më të madhe të qeverisë për shkencat albanologjike dhe për kërkimin shkencor në përgjithësi.                  

Share This Article
5 Comments
  • Eshte nje vleresim i merituar qe i behet ketij gjuhetari te shquar te Shqiperise. Kontributi i tij ne fushen e gjuhesise eshte i pacmuar.. Busti i tij para Akademise se Shkencave i jep krenari ketij vendi.
    Valle, a nuk eshte turp per Bashkine e Tiranes, qe emri i nje personaliteti te nderuar ne fushen e historise,nje Albanolog i madh i njohur ne mbare boten, te vleresohet me nje tabele te vendosur per te emertuar nje rrugice andej prapa pallatit me shigjeta, e cila nuk eshte as 30-40 m e gjate? Ne nje rrugice ku nuk kalojna as 10 veta ne dite te mbaje emrin e te madhit ALEKS BUDA? Ka rruge e bulevrde ne Tirane te cilat mbajne emra personash ,te cileve po te pysesh qytetaret nuk e njohin e ngren supet sepse nuk dine historine e tyre. Zotrinj pushtetar, qofshi edhe bashkiak,vleresoni figurat shkenciore te ketij vendi e u gjeni vendin e meitur. Vendosja e emrit te Aleks Budes ne ate rrugice “mjerane” eshte turpi i Bashkise se Tiranes..

  • Per Eqrem Cabejne, figuren me te madhe te shkences shqiptare te te gjitha koheve dhe gjuhetarin e rangut boteror, figure nga me te pastrat e inteligjences shqiptare, per kontributet e tij madhore ne argumentimin e autoktonise se shqiptareve ne trojet e sotme dhe me tej, per rolin e tij ne rritjen e vetedijes sone kombetare, do te duhej nje monument ne nje shesh te Tiranes e jo nje bust i thjeshte ne kopshtin e Akademise.
    Mendoni pak: ne kemi sot 3-4 shtatore per Azem Hajdarin dhe nuk kemi nje shtatore per figuren me te madhe te shkences sone.
    C’po ndodh keshtu me ne?

  • Ps.
    Ç’keni qe e ngaterroni Azem Hajdarin ne kete mes. Eshte kompetence e Izet Haxhise, tashme…

    Por, ju lutem, ju lutem shume, zoti Emil Lafe, te mos behemi te pa fe dhe t’i bejme çorbe gjerat sic s’jane…

    se pari, Çabej, dhe fare fare pak si ai, natyrisht ishin perjashtim nga radhët e inteligjencies shqiptare. Padyshim, janë vetëm dy shembuj nga më të ndriturit.

    se dyti, po. te ai portret moral, tek ajo qendrese me kembe per Lamtumiren e kolegut, Çabej permendi ate qe DUHEJ ta kishte kjo inteligjence, por nuk se domosdoshmerisht e kishte. Nuk mund ta kishte…

    Ju lutem, mos kerkoni te beni katarsis te pamundur.

    se treti, nese doni ta mbani ndokend si ‘HUMANIST Socialist”, eshte e drejta juaj, mbajeni, por a ndjeheni vertete i vertete perballe shqiptareve kur nderkallni ne ate hulli Eqrem Çabejn, Humanistin?!

    Mos, mos se shpirtrat jane ende rrotull…

    Te te munduarve, te viktimave dhe te munduesve…

  • Z.Bendo.Azem Hajdari ishte mehmet shehu i demokracise,idoli i rrugacerise.Shqiperia ka 5-6 shkencetare te mbetur,por ka 500-600 mije rrugace,parazite,pijanece,burgaxhij,sporteliste,plazhiste,maloke,qe e kane idhull Azem Hajdarin.Mehmet Shehu thoshte:Ku ve kemben Enver Hoxha,une ve koken.Azem Hajdari thoshte:-Sali Berisha,Une e jap jeten per ty! Ky lloj jeniceri pelqehet shume ne Shqiperi.Azem Hajdari jo vetem me jeten,por edhe me vdekjen i sherbeu thyerjes se Institucioneve te Shtetit..
    I thashe botuesit tim te me ribotonte nje liber te botuar vite me pare me shpenzimet e tij.Nuk behet-me tha.Nuk ecen ne treg.Azem Hajdari dhe Mehmet Shehu ecin.I kerkon tregu.Vere si shiten gazetat keto 30 vjet me historite,bemat dhe buuumat e Azem Hajdarit dhe Mehmet Shehut.Pse?Sepse keto 600 vjet ne jemi popull MERCENAR.KryeMercenaret Mehmet Shehu dhe Azem Hajdari i kane rrenjet ne popull,prandaj do te nderohen me monumente edhe me shume se padronet e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *