Miq – të dashur për 40 ditë

anazapta

Jeni të lodhur me marrëdhëniet që nuk i përmbushin pritshmëritë tuaja apo nga ato që mbarojnë sapo kuptoni se personi me të cilin shoqëroheni nuk ka asgjë të përbashkët me ju? Jessica dhe Timothy kishin shumë motive për të provuar diçka ndryshe, diçka që të tjerëve ndoshta s’do t’u kishte vajtur kurrë në mendje

Jessica Walsh tregon se të gjitha marrëdhëniet e saj kanë përfunduar njëra më keq se tjetra, ndërsa Timothy Goodman thotë se e ka të vështirë të angazhohet : dy vjet më parë ka pasur raportin e fundit serioz, që nga ajo kohë vetëm takime të rastësishme dhe raporte afatshkurtra.

Dhe kështu të dy menduan, ndoshta fillimisht me shaka: “Jemi miq të mirë, kemi interesa të përbashkëta, jetojmë në të njëjtin qytet, përse të mos e provojmë e të shohim si shkon?”

Vendosën të kalonin nëpërmjet një eksperimenti të vërtetë dashuror dhe ta dokumentonin atë në një ditar ‘online’ : “40 Days of Dating“ (40 Ditë Takime). Përse 40 ditë? Sepse sipas statistikave në kaq kohë mund të ndryshohet një zakon i keq. Dhe mesa duket, të dy kanë shumë të tilla që kanë ndikuar në fundin e historive të mëparshme.

Sipas Jessica-s nuk është edhe aq keq të jesh beqare, por të jesh emocionalisht dhe fizikisht e lidhur me dikë është akoma më mirë, sidomos kur gjen personin e duhur. “Të ndash, të dashurosh dhe të jesh e dashuruar, çfarë ka më të mirë se kjo?!”, shprehet ajo.

Ndërsa Timothy preferon lirinë, ai nuk dëshiron të ndjejë përgjegjësinë e një të ardhmeje të ndërtuar bashkë. Para se t’ia fillonin me këtë eksperiment dashurie, të dy pranuan se ishin nervozë. “Le të luajmë me zjarrin”, komentoi Timothy. Po miqësia?

Si çdo eksperimet tjetër, “40 Days of Dating” ka disa rregulla, praktikisht gjashtë të tilla:

Të shihen çdo ditë për 40 ditë.

Të takohen me një terapist çifti një herë në javë.

Të plotësojnë një pyetësor të përditshëm që dokumenton çdo gjë që ndodh mes tyre.

Të kenë të paktën tre mbrëmje romantike në javë dhe një fundjavë jashtë qytetit.

Më e rëndësishmja: Të mos kenë raporte seksuale apo takime romantike me askënd tjetër.

Ditari i ndarë në dy pjesë (nga një për secilin) përmban të njëjtat pyetje: Çfarë gjërash interesante ju kanë ndodhur? Mësuat diçka të re mbi ish-mikun tuaj, aktualisht të dashurin/ën tuaj?  Si ndiheni dhe çfarë ka ndryshuar në krahasim me në fillim?

Dhe, ndërsa eksperimenti vazhdon, Jessica tregon për ditën e dytë. “Psikologu i pyeti të dy nëse ishin të tërhequr seksualisht nga njëri-tjetri dhe Timothy rrëfeu se gati sa nuk e kishte pushtuar paniku nga ideja se do të ishte besnik për më shumë se një muaj.

Në ditët që pasuan daljet e tyre së bashku, mendimet, frikërat apo ‘goditjet’ e entuziasmit rrodhën në një raport thuajse të përsosur.

Blogu i tyre ka një sukses të pamenduar dhe eksperimeti i dashurisë po ndahet edhe me shumë persona të tjerë, i shoqëruar me shkëmbime këshillash dhe eksperiencash nga ana e lexuesve. Me rreth 200.000 vizita në ditë në faqen e tyre, Jessica e Timothy kanë marrë shumë e-maile, pjesa më e madhe inkurajuese. Pyetja që shtrojnë të gjithë është: Do të vazhdojnë të qëndrojnë bashkë? Më 22 gusht është dita e fundit e eksperimentit dhe nëse ai përfundon me një “happy end”, mund të hapet shtegu për realizimin e një filmi, skenari i të cilit do të bazohet mbi eksperiencën e këtyre 40 ditëve. Të presim dhe të shohim… /D.Gjuzi

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *