Inatet personale dhe zemërimi popullor

DITA Online

 

Fatbardh Rustemi

Nuk është fjala për inatin e sime vjehërre, ku nusja shkon të flerë me mullixhiun, pasi qederi kthehet në sebep qejfi dhe kjo nuk i prish punë askujt. (Për inat të Ramës, Kaçi, shkoi tek Saliu. Mund të përmendja dhe emra të tjerë, por, e mora Kastriotin si ilustrim, ngaqë ka vite që bën kasnecin dhe, e nesërmja vjen pa bekimin e tij. Gjithsesi, inati nuk i del për qamet. Përherë i karikuar me një zemërim shterp, duke pritur fundin e të tjerëve dhe veçse rrokulliset vetë. Ja këtë të bën inati, që si puna e uthullës gërryen enën e saj.) Shihni portalet, nuk po them për ca mitomanë që gdhihen dhe ngrysen me turfullima nëpër fejsbuqe, duke i kthyer hapësirat e lirisë në enklava të mllefit, ku edhe pse kalojnë vite: inatçiu nuk lëshon istikam, me shpresën se po i dëgjohet fjala, dhe me fitilat që fut, ishalla po ndez zemërimin popullor. Paçka se poeti, Faslli Haliti, shkruan me atë qetësinë prej myzeqari: “Turmën e ngrenë, ndërsa populli ngrihet vetë.” (Ky marifet që, me inatin personal, të ndezësh zemërimin popullor, vjen prej së shkuarës komuniste: ku armiku yt personal kthehej me përdhunë në armik të të gjithë popullit.) Në fakt, inatçorët, shpesh të prishur në fytyrë, herë të kreshpëruar dhe herë, sikur lexojnë ungjillin, e llogarisin fjalën, që ajo të shkojë: jo “në vesh të perëndisë”, por, të militantëve që i mbajnë veshët ngrehur në pritje të urdhërit, porosisë apo mesazheve të koduara, më tamam do qe: vulgut, që, i fshehur pas anonimatit, shfryn në komente maniakësh e delirantësh, sikurse është rasti i një “zonje të hekurt”, së cilës, ata që e çuan në qiell të shtatë, ia varën teneqenë kollaj fare, thua se po i bënin të shtatat.

“-Unë nuk kam ndonjë gjë personale me të, -u shpreh një opinionist i radhës në një ekran televiziv, pasi shkarkoi deri në fund mllefin ndaj kundërshtarit të munguar në studio. Ishte gati, ta hante të gjallë, duke e detyruar moderatorin të ndërhynte me takt:

-Atë mos e thuaj ti, të gjithë nisemi nga gjërat personale – duke u treguar më i sinqertë me veten, se sa me tjetrin, që po deklamohej në emër të një “misioni hyjnor”. Po të shohësh portalin e moderatorit në fjalë, aq shumë e rrëmben inati gufues të ziun, e lëshojnë nervat, sa duket, sikur ka dalë nga faza. Dhe një i urtë, si profesor Fuga çfarë s`nxjerr nga goja, kur i hipin kacabujt. (Kur një fshatar pa bibliotekën e Sejfulla Malëshovës, iu drejtua i çuditur: “Si mund të gabosh ti, me gjithë këto libra që ke lexuar?!”) Shpesh e ke të vështirë të dallosh, anonimin e komenteve vulgare nga goxha burra, që tallen me vulgun dhe, kur u duhet të sokëllijnë: i huazojnë gjuhën?!

Nga regjistrimet e mbetura të mbledhjeve të byrosë politike, tek rrotullonte një zinxhir në duar, u dëgjua mbyturazi një e sharë e Diktatorit: “Ki muti”, që një aktor i mirënjohur e tha me gojën plot kundër një “shefi të madh”. Thua të jetë kjo shenjë e përmbysjes demokratike: ku të përgërurat nga lart-poshtë, kthehen në të kundërtën: nga poshtë-lart? “Po ia bëre Tiranës, Tirana ta bën mbrapsht”-do thoshte me këtë rast Erion Veliaj, duke mburrur vetitë e bojës “Hidrofobike”. “Injorant”, “idiot”, “gomar”, “spiun”, “legen” e plot të tilla si këto, i dëgjon në debate të ndryshme nga goja e gazetarëve, opinionistëve, profesorëve dhe portalistëve, dhe po këta: bënë namin për fjalën “kazan”, thua se po galvanizoheshin. Deputetët po dihet në spektaklin e tyre të radhës, që i terren njëri-tjetrit me libër shpije. Ama, preke ligjvënësin, zëre s`e ke prekur sovranin! Badigardët e kuvendit janë kthyer në rolin e atyre, që ndajnë sherrxhinjtë. “Lal Plehu” i drejtohet doktor Berisha në facebook-un e tij, kryetarit të bashkisë së Tiranës, i cili, kije inat, por jepi hakun: ka meritë në pastrimin e kryeqytetit. “Pleh” i thotë dhe një aktore ministres së kulturës. Nëse në “kronikat e zeza” dëgjon shpesh se tragjeditë e jetëve të humbura kanë si shkak “motive të dobta”, e ç`vlerë na paska motivi, kur ato ordineret, me shtysa personale dalldisen gjoja në kauza të të gjithë shoqërisë?

Kush do ta ndalë këtë kulturë poshtërimi, teksa përdoruesit e saj vijnë prej andej ku shpresohet purifikimi i shoqërisë sonë, të cilët i fusin fitilat turmës, ku protagonizmin e kanë sojsëzët. Kujtoni çmimin e jetës në diktaturë, e cila llogaritej me “gjysëm leku”, kur dikujt i jepej dënimi kapital, sepse kaq ishte kostoja e një plumbi. Inatet personale tentohet të kthehen në një zemërim popullor, sikurse krisma e një pushke mund të krijojë ortekun. Fatmirësisht, mençuria e shqiptarëve po triumfon mbi dinakërinë e rrufjanëve. Iku koha, kur njerëzit i merrnin për budallenjë! Gjithë këto “vatra inati”, dallueshëm në portale, apo në persona publik që flakërojnë debateve, më kujtojnë historinë e një ledhi, të shfaqur në shtratin e një lumi, i cili ndante sinoret e dy bejlerëve. Njëri prej tyre vuri një hu mbi ishullin rënor i shfaqur befas, duke e quajtur tokë të vetën, edhe tjetri po kështu dhe plasi pushka. U bë batërdia me të vrarë e të plagosur. Dy ditë më pas me rënien e shirave, lumi shtoi prurjet e ujit dhe ujdhesa u zhduk. Pse u bë gjitha ajo batërdi? Se njëri bej kishte inat beun tjetër.

Mirë vulgu që e ka mendjen tek zullumet, por, elitarët, që dëshpërohen pse demokratët e mbyllën “Çadrën e Lirisë”, të rezistonte Sala, gjaku në gju të shkonte, veçse Rama, që ata s`duan ta shohin me sy, të shporrej. Një tjetër inatçi, po e vinte në lojë Lulin, pse i tërhoqi demonstruesit, kur duhej t`i nxiste për yxhym në godinën e Kryeministrisë apo Ministrisë së Brendëshme, flakën t`u vinin dhe shkrumb të bëheshin. Dhe ti i habitur pyet: nuk u ngopën këta me shkatërrimet e `97-ës apo me djegjet, sikurse dhe me hedhjen në erë të shtyllave të tensionit të lartë?   E po inatet personale kanë marrë hambull në këtë shoqëri ku liritë e individit, keqpërdoren, në fuksion të pasioneve të errëta.

“Nuk ishte populli që vendoste, gjë që mund të thuhet si për atë kohë, ashtu dhe për kohën tonë, por, grupet e vogla të inteligjencës dhe të shtresës së lartë, nën ndikim, të cilët nuk ishin tjetër veçse konkurentë në luftën për një copë vend në këtë apo atë qeveri. Rregullat e lojës ishin të thjeshta: detyrë parësore e nderit ishte t`ia nxije sa më shumë dhe sa më fort kundërshtarin para opinionit shoqëror, pra, ta paralizoje veprimtarinë e tij deri në atë shkallë, sa ai të dilte faktikisht, jashtë lojës”-konstaton Eqerem bej Vlora në “Kujtimet” e veta një të vërtetë, që, përfshin ca më shumë dhe kohën tonë. “I shkoi jeta duke më sharë mua.”-do më thoshte një penë e shquar e letrave shqip, i brengosur prej një kolegut të tij, i cili s`linte tavolinë pa e përgojuar dhe gazetë pa futur spica. Më është dhënë rasti ta shoh këtë qyqar, i cili për hiçgjë përlotet. Me sa duket qan jetën e tij, që, duhej ta kishte bërë ndryshe, jo duke e shpenzuar me të shara ndaj rivalit të tij. Populli nuk humbet asgjë, kur një parti dështon me turp apo e mbaron ciklin e saj, ai dëshpërohet kur një “udhërrëfyesi” i tij: tenton ta keqpërdor sovranin për interesat e veta meskine.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *