Me fillimin e fazës me eliminim të drejtpërdrejtë të Botërorit, nis edhe epoka e implementimit të risive të futbollit jo vetëm ndërkontinental. Gjithçka do të startojë në orën 16, me duelin mes Francës dhe Argjentinës, në Kazan.
Ndryshimet e reja prekin si futbollistët në fushë, edhe shikuesit nga ekranet e televizorit. Ndaj, mos u çudisni!
Pasditen e kësaj të shtune do të shohim dy risi: njëra absolute, të paktën për Botërorin, dhe tjetra e njohur por gjithmonë me ndikim.
Për “Rusi 2018”, FIFA nuk lançoi vetëm sistemin e videoarbitrimit VAR. Rregulli tjetër i ri është ai që prek kohët shtesë, nëse një ndeshje përfundon në barazim gjatë 90 minutave. Secili trajner i skuadrave në fushë do të mund të bëjë një zëvendësim të katërt.
Kjo risi është parë gjatë Botërorit për Klube në dhjetor të vitit të kaluar, por do të jetë hera e parë për një Kupë Bote.
Risia e dytë janë penalltitë, të njohura gjerësisht dhe përjetësisht, por që nga sot do të kenë impakt shumë më të rëndësishëm sesa në një ndeshje normale në grupe. Kombëtaret pjesëmarrëse nga kjo fazë e deri në fund stërviten edhe me gjuajtjet e penalltive.
Statistikat ndërkohë tregojnë se, nga 1.300 penallti, në 60% të rasteve fitojnë skuadrat që godasin të parat. Sa për shpjegim, ai që gjuan i pari ndryshon shifrat i pari dhe shton presionin ndaj atij që do të godasë më pas.
o.j/dita
