Drejtoria e Hetimit Tatimor ka arritur të zbulojë një skemë mashtrimi të bazuar në rimbursimin e TVSH-së që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 85.2 mln lekësh.
Për këtë skemë të zbardhur akuzohen 5 persona, por në pranga janë vendosur vetëm 2 shtetas shqiptar të identifikuar si Erjon Tafa dhe Laert Barzezi. Ndërsa sa i takon tre të tjerëve, shtetasit sirianë me inicialet F.M, A.D dhe M.B janë shpallur në kërkim.
Thuhet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin këta persona kryenin blerje brenda vendit dhe importe në vlera të larta, ndërkohë që, shitjet ishin fiktive dhe në vlera më të ulëta. Në këtë mënyrë, 5 të akuzuarit shmangnin detyrimet ndaj shtetit dhe abuzonin me kreditimin e TVSH-së.
Erjon Tafa ushtronte aktivitet në fushën e shërbimeve kontabël, ku sipas akuzës së tatimeve, kjo e fundit shërbente për të krijuar kushtet e nevojshme për plotësimin e faturave të TVSH-së, deklarimin e tyre në sistemin tatimor dhe gjetjen e shoqërive.
Në këtë zyrë kontabiliteti janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale 10 vula të shoqërive të ndryshme, 7 pajisje fiskale, blloqe TVSH të pa plotësuar të shoqërive të ndryshme, si dhe mandate të transaksioneve bankare.
Pas verifikimeve në terren, bëhet e ditur se subjektet e të akuzuarve kishin adresë inekzistente.
Aktualisht po vazhdojnë hetimet për dokumentimin e të gjithë skemës së përfitimit, ku po hetohen në gjendje të lirë edhe subjektet e treta, të cilat lidhen direkt ose indirekt me subjektet që janë objekt hetimi.
s.a/dita
