Kroacia është kualifikuar në çerekfinalen e këtij Botërori, pas ndeshjes dramatike me Danimarkën, e cila u mbyll në 120 minuta lojë me rezultat të barabartë 1-1 dhe më pas u ‘vulos’ nga goditja e penalltive.
Goli i Jorgensen në minutën e 2-të i dha avantazhin danezëve, ndërkohë që, Manxhukiç barazoi shifrat vetëm 2 minuta më vonë.
Kroacia provoi ta fitonte këtë takim brenda 90 minutave, por nuk ia arriti.
Ndeshja iu drejtua minutave shtesë, ku në të 116-të Luka Modriç kishte shansin e artë të kalonte në avantazh kroatët, por kapiteni kroat gaboi nga pika e bardhë e penalltisë, pasi gjuajtja u prit nga portieri danez.
Në goditjen e penalltive, Schmeichel tregoi sërish vlera të jashtëzakonshme, pasi i priti kroatëve edhe dy penallti të tjera.
Por në anën tjetër, ishte edhe portieri fantastik i Kroacisë, Subasic, i cili arriti t’i ndalte 3 herë lojtarët danezë.
Skuadra e Kroacisë tanimë pritet të luajë në çerekfinale të këtij Botërori me atë të Rusisë.
s.a/dita
