Mesfushori i Juventusit, Paul Pogba, ka zgjuar interesimin e skuadrave angleze Arsenal dhe Chelsea. Por, drejtori sportiv i kampionëve të Italisë, Xhuzepe Marota, i ka paralajmëruar klubet që mos ta marrin mundimin të bëjnë oferta për francezin e ri, pasi ai nuk shitet për asnjë çmim. “Harrojeni Pogbanë. Ne nuk kemi ndërmend të dëgjojmë asnjë ofertë që vjen për të në adresën tonë”, ka deklaruar prerë Marota për të përditshëm sportive torineze “Tuttosport”. 20-vjeçari ishte një nga goditjet më të mira në merkaton e Juventusit verën e kaluar, teksa e mori nga Manchester United dhe ai u bë një nga lojtarët më të fortë.
