Europa League
Kukësi-Trabzonspor
Stadiumi “Qemal Stafa”, Tiranë
Sot, ora 19:30
Direkt në TVSH
Kukësi do të ndeshet sot me Trabzonsporin e Turqisë me synimin për të thyer një tabú e për të arritur një rezultat që do të mbajë hapur derën e kualifikimit në grupet e Europa League. Skuadrat shqiptare janë ndeshur disa herë me ato turke në kompeticionet e ndryshme evropiane dhe gjithmonë kanë dalë të humbura, pa marrë qoftë edhe një barazim. Skuadra e fundit turke që ka ardhur në Shqipëri ka qenë pikërisht Trabzonspori, që më 2007 shpartallonte 4-0 në Shkodër Vllazninë, në stolin e së cilës, si zëvendëstrajner, ishte Armando Cungu. Tani trajner i Kukësit, Cungu është krejt i vetëdijshëm për situatën dhe atë çka e pret në dy takimet me turqit. I cilëson si një skuadër tepër e fortë, por Kukësi i tij pikërisht këtë gjë ka bërë deri tani, ka eliminuar skuadra që në letër cilësoheshin si favorite. “Trabzonspori është ekip i madh, këtë e dimë që të gjithë, por ne kemi eliminuar skuadra të forta edhe në raundet e mëparshëm. Të gjithë janë çuditur me ne dhe këtë gjë do të kërkojmë përsëri, çudinë”, thotë trajneri shkodran. “Jemi përgatitur shumë për këtë ndeshje dhe do të përpiqemi të luajmë si të barabartë me turqit. Ata janë favoritë, por edhe ne i kemi shanset tona”. Që pas eliminim të Metalurgut, Cungu nuk e ka fshehur krenarinë për arritjet e ekipit të tij dhe këtë gjë e thotë edhe në prag të takimit të sotëm. “Jam i bindur që të gjithë shqiptarët janë me ne. Kukësi nuk luan vetëm për vete, por përfaqëson të gjithë Shqipërinë në Evropë, ndaj edhe do të përpiqemi t’u dhurojmë kënaqësi të gjithë shqiptarëve kudo që janë”. Ai nuk do të ketë në dispozicion Enco Malindin, por janë federuar dy përforcimet e reja, Dritan Smajli dhe Sokol Cikalleshi, të cilët mund të luajnë, si dhe Besar Musolli, i cili ka përfunduar pezullimin prej katër ndeshjesh, dhënë nga disiplinori i UEFA-s për goditje të kundërshtarit në takimin e kthimit me Flora Tallin.
Gjici beson, 300 mijë euro për kualifikimin
Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, parashikon që skuadra e tij ta kalojë edhe këtë tur në Europa League, për të hyrë në fazën e grupeve. “Trabzonspori është shumë i fortë, por tani edhe ne jemi forcuar jashtë mase, sidomos nga ana psikologjike, duke pasur mentalitet fituesi”, thotë Gjici. Presidenti ka vendosur të nxitë të tijtë duke vendosur një shpërblim prej 300 mijë eurosh për skuadrën në rast se eliminon Trabzonsporin dhe shkon në fazën e grupeve, çka do të sillte edhe të ardhura të mëdha për klubin.
Turqit me tri mungesa me peshë
Trabzonsporit nuk i luajnë Bosingua, Maluda dhe Kolman, lojtarë me cilësi e përvojë të madhe
Trabzonspori ka bërë merkato cilësore gjatë kësaj vere, duke marrë në skuadër dy lojtarë ish-kampionë të Evropës me Chelsea-n, si Zhoze Bosingua dhe Florent Maluda, plus argjentinasitn Gustavo Kolman, por asnjë prej tyre nuk do të jetë në “Qemal Stafa” për t’u përballur me Kukësin. Ky është një lajm i mirë për skuadrën shqiptare, pasi kundërshtarët e munguar përfaqësojnë një nivel të lartë jo vetëm nga ana cilësore, por edhe nga përvoja e madhe në ndeshjet ndërkombëtare. Që të tre nuk kanë ardhur në Tiranë, portugezi dhe francezi për shkak të problemeve fizike, ndërsa argjentinasi është i pezulluar.
