Qeveria boliviane do të ndërtojë një muze nënujor në fund të liqenit Titikaka, me një vlerë prej 10 milionë dollarësh, pas zbulimit të mijëra objekteve arkeologjike në thellësitë e tij, njoftoi sot Ministria boliviane e Kulturës.
“Bëhet fjalë për një kompleks turistik dhe një qendër kërkimesh arkeologjike, gjeologjike dhe biologjike duke u bërë kështu një vend unik në botë”, konfirmoi ministrja e Kulturës, Wilma Alanoca, pasi zbuloi arkitekturën e menduar nga agjencia belge e zhvillimit “Enabel”, partnere e projektit.
Rajoni i liqenit Titikaka, që shtrihet në 8 562 kilometra katrorë mes Bolivisë dhe Perusë, ka qenë djep i disa kulturave, që lulëzuan para epokës koloniale.
Zbulimet e fundit, të realizuara vitin e kaluar, kanë mundësuar gjetjen e rreth 10 000 objekteve arkeologjike, të tilla si objekte të prodhuara me eshtra, qeramikë apo metal, si dhe eshtra njerëzore dhe kafshësh dhe enë kuzhine që korrespondojnë me kohën e civilizimeve antike paratiuanakota, tiuanakota dhe inkase.
”Po vijojnë negociatat me Thesarin e Përgjithshëm bolivian për të financuar ndërtimin e muzeut, kostoja e të cilit është vlerësuar 10 milionë dollarë”, bëri të ditur Alanoca duke informuar se UNESCO dhe Belgjika do të investonin me dy milionë dollarë.
Muzeu do të ndërtohet pranë qytetit San Pedro të Tikuinas, që ndodhet rreth 100 kilometra nga kryeqyteti administrativ i vendit, La Paz.
a.s/dita
