Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Burgjeve duket se i ka dhënë zgjidhje problemit shumëvjeçar të të dënuarve me probleme të shëndetit mendor.
Burgu i Lezhës do t’i nënshtrohet së shpejti rikonstruksionit dhe do të kthehet në një spital për të dënuarit e kësaj kategorie.
“Me mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë, ne jemi në vazhdimin e një programi për të rikonstruktuar një pjesë të burgut të Lezhës për ta kthyer në standardet e një spitali psikiatrik. Besoj që ky problem do të marrë zgjidhje brenda këtij viti. Kushtet jo standarde që janë sot në burgun e Zaharisë, do të jenë pjesë e të kaluarës.” ka pohuar për Ora News drejtori i Përgjithshëm i burgjeve, Arben Çuko.
Duke pohuar faktin se burgjet aktualisht po vuajnë nga mbipopullimi, Çuko thotë më tej se ky problem pritet të zgjidhet me hapjen e burgut të Shkodrës.
Kreu i burgjeve mohon të ketë dijeni për deklarimin e bërë nga ministri i Brendshëm italian, sa i takon rikthimit të të dënuarve shqiptarë në Itali.
“Nuk e di se sa të burgosur me nënshtetësi shqiptare janë në burgjet italiane. Kapaciteti i burgjeve shqiptare është 6 mijë veta.” është shprehur ai.
Çuko tha në përmbyllje të fjalës së tij se ligji i ri për Policinë e burgjeve do t’i japë zgjidhje shumë prej problemeve që janë hasur deri më tani.
s.a/dita
