Si i dëmton veshkat presioni i lartë i gjakut?

Pranvera Kola

 

Pranvera Kola- DITA 

Tensioni i lartë i gjakut (hipertensioni) mund të dëmtojë veshkat dhe të çojë në sëmundje kronike të tyre. Vetë veshkat luajnë një rol kyç në mbajtjen e presionit të gjakut dhe nga ana tjetër presioni i gjakut ndikon në shëndetin e veshkave.

Mjekja Ilda Xhelili tregon për “Dita” se me presion të lartë të gjakut duhet të kuptojmë forcën e tepërt të gjakut që ushtrohet mbi muret e enëve të gjakut, duke i dëmtuar ato. “Si rezultat i këtij dëmtimi nuk kryhet shkëmbimi i duhur i elementëve kimikë dhe veçanërisht në veshka, të cilat janë përgjegjëse kryesore për detoksikimin e organizmit tonë’, vë në dukje mjekja Xhelili.

Në këto kushte njerëzit që vuajnë nga tensioni i lartë duhet të kontrollohen rregullisht tek mjeku për të shmangur jo vetëm pasojat që kjo sëmundje sjell në dëmtimin e veshkave, por edhe ndërlikime të tjera të mundshme.

Në vijim të shkrimit mjekja Xhelili tregon se si ndodh dëmtimi i veshkave në kushtet e një presioni të lartë të gjakut, cilat janë kategoritë më të rrezikuara, si dhe masat që duhet të merren për të parandaluar këto ndërlikime.

Si ndikon presioni i lartë i gjakut në funksionimin e veshkave?

Presioni i lartë i gjakut e bën zemrën të punojë më shumë dhe me kalimin e kohës mund të dëmtojë enët e gjakut në të gjithë trupin. Nëse enët e gjakut në veshka janë të dëmtuara, ato mund të vështirësojnë largimin e mbeturinave dhe lëngjeve shtesë nga trupi.

Lëngjet shtesë në enët e gjakut mund të rrisin presionin e gjakut edhe më shumë. Pra krijohet një cikël vicioz i rrezikshëm. Tensioni i lartë i gjakut është një nga shkaqet kryesore të pamjaftueshmërisë kronike të punës së veshkave (insuficienca renale kronike). Njerëzit me dështim të punës së veshkave, ose duhet të bëjnë transplant të veshkave, ose duhet t’i nënshtrohen trajtimeve të rregullta për pastrimin e gjakut (dializa).

Si mund ta kuptojmë që vlerat e presionit të gjakut janë tej normave të lejuara?

Shumica e njerëzve me tension të lartë nuk kanë simptoma klinike. Mënyra e vetme për të ditur nëse presioni i gjakut është i lartë është matja rregullisht e tij.

Rezultati i presionit të gjakut është i shprehur me dy shifra. Numri më i lartë i quajtur presioni sistolik, përfaqëson presionin kur zemra po rreh dhe numri më i ulët i quajtur presion diastolik, tregon presionin kur zemra është duke qëndruar në mes të rrahjeve. Tensioni i gjakut konsiderohet normal nëse qëndron në vlerat 120 me 80.

Njerëzit me tension në vlerat 140 me 90 konsiderohen si prehipertensive dhe duhet të kenë shume kujdes në marrjen e masave paraprake dhe kontrollet e rregullta mjekësore për të parandaluar sëmundjet e enëve të gjakut, të zemrës dhe të veshkave. Edhe sëmundjet e hershme të veshkave nuk kanë shenja klinike dhe zhvillojnë ecurinë e tyre në heshtje.

Çfarë testi duhet të bëjmë për të parë funksionimin e veshkave?

Për të parë se sa mirë veshkat i filtrojnë mbeturinat nga gjaku, bëhet matja e “kreatininës” në gjak. Kreatinina është një mbeturinë që duhet eliminuar. Veshkat e shëndetshme e marrin kreatininën nga gjaku dhe e eliminojnë nëpërmjet urinës.

Kur veshkat nuk punojnë mirë, atëherë niveli i kreatininës në gjak rritet pasi ajo nuk eliminohet si duhet. Ndërsa funksioni i veshkave përkeqësohet, në urinën e eliminuar rritet sasia e proteinave dhe albuminës. Në gjendje normale veshkat e veçojnë albuminën dhe nuk e eliminojnë nëpërmjet urinës.

Si mund të pengohet dëmtimi i veshkave nga presioni i lartë i gjakut?

Natyrisht që së pari kërkohet mbajtja e presionit të gjakut në vlera më të ulëta se 140 me 90, qoftë nëpërmjet medikamenteve dhe qoftë nëpërmjet ndryshimit të stilit të jetesës, ku duhet të bëhet kujdes për ushqimin që konsumojmë gjatë ditës, mbajtjen e një peshe të shëndetshme, shmangien e duhanit dhe alkoolit, ndjekjen e rregullt të aktiviteteve fizike, si dhe më e rëndëishmja ndjekja e kujdesshme mjekësore e hipertensionit, jo vetëm sa i takon monitorimit të vlerave të tij, por edhe trajtimeve mjekësore që përshkruan mjeku specialist.

Kujdesi për peshën trupore

Së pari duhet të kujdeseni për peshën e trupit në nivelet afër normales. Përdorni më shumë produkte bimore dhe më pak produkte shtazore dhe kujdesuni që këto të fundit të jenë me përqindje të ulët yndyre.

Ndikimi i kripës

Mjaft me rëndësi është kufizimi i kripës (natriumit). Kujdes kur përdorni ushqime të paketuara dhe vini re mirë nivelin e natriumit që përmbajnë ato. Po ashtu, kufizoni përdorimin e fast-food sepse ato shquhen për përmbajtje të lartë të kripës. Konsumimi i sasive të mëdha të kripës çon në rritjen e presionit të gjakut dhe dëmtimin e veshkave.

Aktiviteti fizik

Përfitime të mëdha kemi edhe nga ushtrimi i aktivitetit të rregullt fizik, duke ushtruar të paktën 30 minuta aktivitet të moderuar, si: ecja, çiklizmi, noti, në shumicën e ditëve të javës. Natyrisht që kjo është dhe në varësi të situatës individuale mjekësore.

Mos e teproni me alkoolin

Dëme të mëdha shkakton edhe alkooli me të cilin nuk duhet abuzuar. Për meshkujt nuk rekomandohet më shumë se 2 pije në ditë për shembull 1 birrë dhe 1 gotë vere, kurse për femrat jo më shumë se një në ditë, pasi ato janë edhe me të ndjeshme ndaj efekteve të alkoolit.

Sigurisht që ka edhe individë, gjendja shëndetësore e të cilëve nuk e toleron fare alkoolin.

Vizitat e rregullta mjekësore

Mjaft e rëndësishme në kontrollin e tensionit të lartë të gjakut dhe punës së veshkave është kontrolli i rregullt tek mjeku specialist. Në përgjithësi njerëzit që vuajnë nga hipertensioni arterial kanë nevojë për mjekime kronike (të vazhdueshme) dhe për ekzaminime të rregullta mjekësore.

Kujdesi që duhet të kenë diabetikët

Në mënyrë të veçantë diabetikët janë më të prirur të zhvillojnë hipertension dhe dëmtime të veshkave, pasi vetë niveli i lartë i sheqerit në gjak dëmton enët e gjakut në të gjithë organizmin. Prandaj menaxhimi i hershëm i presionit të lartë të gjakut është shumë i rëndësishëm për diabetikët. Në njerëzit me diabet konsumi i tepruar i proteinave mund të jetë i dëmshëm.

Studiuesit rekomandojnë që njerëzit me sëmundje të veshkave dhe me diabet të konsumojnë ushqime me përmbajtje jo të lartë të proteinave.

Një dietë me sasi të reduktuar të proteinave mund të ndihmojë në vonimin e fillimit të pamjaftueshmërisë së punës së veshkave. Po ashtu studimet kanë treguar se menaxhimi i niveleve të glukozës në gjak jep përfitime të mëdha në lidhje me parandalimin e sëmundjeve kronike të veshkave.

 

p.k/dita 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *