Togat e zeza kanë vendosur shtyrjen e seancës gjyqësore të radhës për vrasjet e 21 janarit 2011, ku ishte parashikuar të merreshin në pyetje tre ekspertë balistiko-kimikë. Mësohet se shkak për shtyrjen është bërë mungesa e Genc Gjokutajt, i cili mbron të pandehurin Ndrea Prendi. Avokati ka pretenduar se mungesa ishte e justifikuar për shkak të gjendjes së tij jo të mirë shëndetësore. Nga ana e vet, i pandehuri Ndrea Prendi deklaroi para gjykatës se nuk mund të merreshin në pyetje tre ekspertët pa qenë i pranishëm avokati i tij.
Tre ekspertët janë thirrur në këtë proces me kërkesë të avokatëve mbrojtës të të pandehurve. Dëshmia e tyre konsiderohet shumë e rëndësishme për sa i takon objektit në këtë proces gjyqësor.
Organi i akuzës zotëron dëshminë e tre ekspertëve amerikanë për ngjarjet e 21 janarit të vitit të kaluar, ku u vranë 4 protestues të opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” gjatë një proteste. Dëshmia e tre ekspertëve të thirrur nga mbrojtja pritet me mjaft interes.