“Marca” jep lajmin: Gareth Bale te Reali

redaktor

Gazeta më e madhe e Spanjës, “Marca”, ka njoftuar mbrëmë se më në fund Real Madrid dhe Totenham kanë gjetur gjuhën e përbashkët për transferimin e Gareth Bale në “Stantiago Bernabeu”. Gazeta, e cila është shumë e afërt me klubin madrilen, shkruan se uellsiani më në fund do të veshë fanellën e bardhë, ndonëse dy klubet do të presin edhe pak ditë për ta komunikuar zyrtarisht transferimin. Pas dy muajve bisedime pa fund, klubi londinez ka vendosur të pranojë ofertën prej 85 milionë sterlinash, e barabartë me 99 milionë euro. Shuma e jashtëzakonshme, më e madhja në histori, do të paguhet me disa këste. Marrëveshja u arrit gjatë një takimi që është mbajtur të mërkurën midis Florentino Pérez e Hosé Angel Sançez për Realin, Daniel Levi për Totenhamin dhe agjentit të lojtarit, Xhonatan Barnet. Tani ka mbetur vetëm hedhja e firmave. Sipas kontratës, Bale do të jetë lojtar i Realit për gjashtë sezonet e ardhshëm dhe do të përfitojë një pagë vjetër prej dhjetë milionë euro neto, ndërkohë që i është rezervuar fanella me numrin 11. Klubet kanë planifikuar ta bëjnë publik transferimin sapo Totenhami të mbyllë marrëveshjen për blerjen e mesfushorit të Romës, Erik Lamela, një marrëveshje për të cilën drejtori teknik i londinezëve, Franko Baldini, po përpiqej ta mbyllte po të mërkurën, në Madrid. Njoftimi mund të bëhet që sot, ose ndoshta të hënën. “Marca”, teksa shkruan se është rënë dakord për gjithçka midis dy klubeve, i shton një hije dyshimi lajmit, teksa shkruan se kur në mes është Levi, nuk ka kurrë garanci, për sa kohë që hidhet firma në letër…

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *