Dëmet që shkakton teprica e hekurit në organizëm

Pranvera Kola

 

Hemokromatoza e trashëguar është një çrregullim gjenetik (i trashëguar), në të cilin ka akumulim të tepruar të hekurit në trup (mbingarkesë hekuri). Mjekja Ilda Xhelili thekson për “DITA” se ky është një çrregullim i zakonshëm gjenetik në zonën e Kaukazit dhe në SHBA, ku incidenca është një në gjashtë persona të prekur. Kurse në Evropë shpeshtësia është më e ulët. Po ashtu edhe në Shqipëri kjo sëmundje nuk është në nivele shqetësuese.

Sipas mjekes, problematike në këtë sëmundje është mosidentifikimi i saj që në stadet e hershme. Kjo pasi pjesa dërrmuese e individëve të prekur nga mbidozimi i hekurit, mund të mos kenë farë shenja klinike dhe të kenë jetëgjatësi normale. Por, mund të kenë edhe shenja të rënda klinike që mund të rrezikojnë jetën e tyre nëse nuk trajtohen në kohën e duhur.

Në vijim të shkrimit gjeni të detajuara këshillat që duhet të ndiqni për identifikimin e hershëm të kësaj sëmundjeje, simptomat dalluese, si dhe trajtimet e duhura mjekësore që duhet të ndiqni.

Sa duhet të jetë sasia normale e hekurit në organizëm?

Sasia normale e hekurit në organizëm luhatet 3-4 gram dhe kontrollohet me shumë kujdes. Trupi humbet çdo ditë 1 mg hekur nga djersa dhe qelizat nekrotike që bien nga lëkura nga muri i brendshëm i zorrëve.

Rënia e qelizave të vdekura është normale për organizmin tonë, pasi ato zëvendësohen nga qeliza të reja. Gratë humbasin 1 mg hekur në ditë nga menstruacionet. Normalisht zorrët absorbojnë rreth 1mg hekur çdo ditë nga ushqimet, duke zëvendësuar kështu hekurin e humbur. Si rezultat, nuk ka grumbullim të tepërt të hekurit në organizëm.

Edhe kur humbjet janë më të mëdha, organizmi mundohet ta kompensojë duke thithur me shumë hekur nga ushqimi. Ndërsa tek personat që preken nga kjo sëmundje, thithja e përditshme e hekurit nga zorrët është më e madhe se sasia e nevojshme për të zëvendësuar humbjet. Si rrjedhojë, hekuri grumbullohet në organizëm.

Sa i takon gjinisë, kush është më i rrezikuar nga kjo sëmundje?

Një njeri me hemokromatozë të trashëguar rreth 40-50 vjeç mund të grumbullojë në trup rreth 20 gram hekur. Kjo sasi e tepërt e hekurit depozitohet në artikulacione, mëlçi, testikuj dhe zemër, duke shkaktuar në këto organe dëmet përkatëse.

Gratë e prekura nga kjo sëmundje akumulojnë më pak hekur se sa meshkujt për shkak të humbjes me menstruacione dhe të ushqyerjes me gji. Prandaj ato i zhvillojnë shenjat dhe simptomat e dëmtimit të organeve për shkak të grumbullimit të hekurit të tepërt, rreth 10 vjet më vonë se sa meshkujt (pra pas menopauzës zakonisht).

Si mund ta kuptojmë që organizmi ynë ka tepricë të hekurit dhe si zbulohet?

Sikundër e theksuam edhe më lart, zbulimi i sëmundjes që në stadet e hershme shpesh mbetet i vështirë. Pjesa dërrmuese e pacientëve në fazat e hershme të hemokromatozës nuk kanë simptoma klinike dhe nuk kanë dijeni për sëmundjen e tyre.

Në përgjithësi sëmundja mund të dyshohet kur vihen re nivele të larta të hekurit në gjak gjatë një testi rutinë në gjak. Tek meshkujt simptomat mund të shfaqen rreth moshës 30-50 vjeçare. Depozitimet e hekurit në lëkurë shkaktojnë errësim të lëkurës. Ndërsa gratë i zhvillojnë simptomat klinike të dukshme rreth 10 vjet më vonë kur nuk kanë më menstruacione.

Çfarë dëmesh shkakton teprica e hekurit në organizëm?

Depozitimet e hekurit në gjëndrën e hipofizës dhe në testikuj shkaktojnë tkurrje të tyre dhe si rezultat sjellin impotencë. Depozitimet në pankreas shkaktojnë rënie të prodhimit të insulinës gjë që rezulton në shfaqjen e diabetit.

Në rastin e depozitimeve të hekurit në muskujt e zemrës shkaktohet kardiomiopati që çon në shfaqjen e aritmive dhe të pamjaftueshmërisë së punës së zemrës (insuficienca kardiale). Ndërsa në rastin e grumbullimit në mëlçi mund të kemi shfaqjen e cirrozës së mëlçisë, por edhe një rritje të zhvillimit të kancerit të mëlçisë.

Po në lidhje me kujdesin dhe trajtimin që duhet të ndjekin pacientët, çfarë mund të themi?

Trajtimi më efektiv për hemokromatozën është zvogëlimi i sasisë së hekurit në organizëm nëpërmjet flebotomisë që është tërheqja e gjakut nga venat e gjakut. Gjaku tërhiqet çdo dy javë, ose edhe çdo javë në varësi të situatës shëndetësore që paraqet pacienti. Pasi të kryhet kjo procedurë, kontrollohen nivelet e hekurit në gjak.

Në rast se ato janë përmirësuar, frekuenca e flebotomisë zvogëlohet në çdo dy, ose tre muaj. Kur diagnoza bëhet në fazat e hershme dhe trajtohet në mënyrë efektive, dëmtimet e mëlçisë, zemrës, testikujve, pankreasit dhe nyjeve mund të parandalohen plotësisht dhe pacientët ruajnë shëndetin normal. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuara edhe përfitimet konkrete që sjell trajtimi nëpërmjet flebotomisë.

Po ashtu, rol vendimtar në trajtimin e kësaj sëmundjeje luan edhe kujdesi për stilin e jetesës. Në këto raste këshillohet që të ndiqet një dietë normale e balancuar, pa shmangur ushqimet që përmbajnë hekur, më kusht që pacientët të kryejnë flebotominë terapeutike efektive, duhet të bëni shumë kujdes me alkoolin, pasi shton rrezikun e zhvillimit të cirozës dhe të kancerit të mëlçisë.

Mjeku juaj mund të rekomandojë edhe shmangien e një sërë ushqimeve pasi mund të jenë të dëmshme. Megjithatë, duhet të dini se në çdo rast trajtimi është individual, në varësi të simptomave dhe gjendjes shëndetësore që paraqet pacienti gjatë ekzaminimeve përkatëse.

 

Përfitimet e flebotomisë terapeutike në rregullimin e niveleve të hekurit

  • Ajo parandalon zhvillimin e cirrozës së mëlçisë dhe të kancerit të mëlçisë nëse zbulohet dhe trajtohet herët.
  • Përmirëson pjesërisht funksionin e mëlçisë në pacientët të cilët e kanë zhvilluar tashmë cirrozën e avancuar.
  • Përmirëson ose zgjidh edhe plotësisht simptomat e dobësisë, dhimbjen e kyçeve dhe lodhjen.
  • Gjithashtu ky trajtim përmirëson funksionin e zemrës në pacientë me sëmundje të lehta dhe të hershme të zemrës.

 

 Kujdesi që duhet të ndiqni për regjimin ushqimor:

  • Rekomandohet një dietë normale e balancuar, pa shmangur ushqimet që përmbajnë hekur, më kusht që pacientët të kryejnë flebotominë terapeutike efektive.
  • Alkooli duhet të shmanget, meqenëse konsumi i alkoolit rrit rrezikun e zhvillimit të cirrozës dhe të kancerit të mëlçisë.
  • Nuk duhet të përdoren doza të larta të vitaminës C, pasi ajo rrit përthithjen e hekurit në zorrë.
  • Ushqimet e detit të papërpunuara duhet të shmangen pasi personat që vuajnë nga hemokromatoza janë në rrezik për të marrë infeksione bakteriale që lulëzojnë në mjedisin e pasur me hekur.
  • Kujdes duhet të tregojnë pacientët që janë prekur nga cirroza, pasi ata janë më të rrezikuar nga kanceri i mëlçisë. Për këta persona rekomandohet çdo 6 muaj ekzaminimi i barkut me ultratinguj (eko e barkut), si edhe testet përkatëse të gjakut, gjithmonë të këshilluara nga mjeku specialist./

 

p.k/dita 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *