Partizani, rikthim me synim për trofe

redaktor

Kampionati i ri i Kategorisë Superiore është në prag dhe siti zyrtar i UEFA-s në internet i ka kushtuar një speciale, gjigantit të rikthyer pas katër viteve mungesë. Skuadra arriti fundin dy vite më parë, kur 15 herë kampioni i Shqipërisë luajti në kategorinë e tretë. Tani është rikthyer në Superiore dhe drejtori i klubit, Eduard Prodani, deklaron se “jemi këtu për të qëndruar për shumë kohë”. “Jemi kthyer aty ku na takon dhe jemi këtu për të qëndruar gjatë”, thotë Prodani. “Edhe në kohëra të vështira, klube të mëdhenj si Partizani shfrytëzojnë statusin e tyre dhe vazhdojnë të luftojnë për sukses. Partizani është një nga ato klube që ka fituar mbështetje, duke fituar tituj brenda vendit dhe ndeshje ndërkombëtare vit pas viti. Klubi ka arritur madhështinë falë historisë së tij, pasionit të tifozëve dhe yjeve që kanë luajtur për atë fanellë”. Ndërkaq, trajneri Hasan Lika synon t’i shtojë një tjetër titull koleksionit të Partizanit, i cili nuk fiton që prej njëzet vjetësh. “Isha këtu kur skuadra fitoi kampionatin e fundit, më 1993, dhe do ta ndihmoj të fitojë një tjetër”, premton Lika, ish-lojtar i skuadrës. Kampionati i ri për Partizanin nis kundër Kastriotit. Presidenti Lulzim Sallaku thotë se skuadra është ende në ndërtim e sipër. “Jemi duke punuar. I kemi plotësuar të gjitha pozicionet, përveç sulmit. Kemi nevojë për ndihmë dhe do të sjellim edhe dy ose tre sulmues të mirë. Nuk po ndërtojmë një skuadër thjesht për të konkurruar. Synimi ynë janë trofetë”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *